Kejsi Tola fitoi nën ethe
Ende nuk e beson se është ajo fituesja e edicionit të 47-të të Festivalit të RTSH-së, edhe pse ka kaluar një kohë e mjaftueshme për të prekur realitetin. Kejsi Tola, 16-vjeçarja e cila nuk pati aspak mëshirë që të linte 19 konkurrentët e tjerë pas vetes, duke kryesuar në vendin e parë të këtij festivali, tregon për “standard” emocionet që e shoqëruan jo vetëm përgjatë tre netëve të konkurrimit, por edhe rruga që ajo ndoqi për të përjetuar këtë moment, të cilin ajo e vlerëson si një nga çastet më të rëndësishme. Por, ajo çfarë të lë më shumë përshtypje nga Kejsi, është fakti që edhe pse biseda është e përqendruar më tepër tek pozicioni i saj më i ri, si fituesja e festivalit, ku ajo do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e përvitshëm “Eurosong”, në Moskë, ajo sërish kujton ditët e “Etheve”.
“Më merr në ëndërr” është titulli i këngës, me të cilën ajo u prezantua në këtë edicion, ndërsa Agim Doçi është autori i tekstit të këngës.
Jeni shpallur fituesja e edicionit të 47-të të Festivalit të RTSH-së, e imagjinuat fitoren, e pretendonit?
Jam shumë e lumtur dhe sigurisht tepër e emocionuar. Siç dihet, fituesi i këtij festivali ka mundësinë që të konkurrojë edhe në Festivalin Evropian, i cili këtë vit do të mbahet në Moskë. Në këtë rrafsh, unë do të jem përfaqësuesja e Shqipërisë në këtë festival për këtë vit, dhe padyshim më jep një ndjesi të veçantë që më bën të ndihem shumë mirë.
Nuk mund të them nëse e prisja apo jo, por dihet që çdo këngëtar që merr pjesë në një festival apo çdo kopmeticion tjetër të zakonshëm, merr pjesë me idenë që duhet të dalë shumë mirë. Por, në qoftë se ai e mbyll edicionin me rezultate të kënaqshme, s’ka pse të mos jetë edhe fitues i një çmimi.
Pashë që kishit shumë emocione, a mund të na i përshkruani me pak fjalë ato momente?
Po, kisha shumë emocione, pasi ato janë pjesë e pashmangshme e skenës. Në fakt, është një moment shumë i bukur, por mbaj mend që nuk po e besoja atë që po dëgjoja dhe shikoja, por pranova ta vërtetoj vetëm atëherë kur prezantuesit të thërrisnin emrin tim, pavarësisht se prapa kuintave të gjithë po më jepnin zemër dhe një situatë e tillë më linte të kuptoja që unë isha fituesja. Në ato momente po dridhesha, madje më shpërthyen edhe lot dhe kur dola në skenë mora guximin që të përmblidhja vetveten, pasi duhej kënduar kënga fituese. Ishin emocione vërtet shumë të forta.
Të them të drejtën, nganjëherë edhe pse kanë kaluar vetëm dy ditë nga nata finale, ende nuk e besoj se unë jam fituesja e këtij festivali. Nuk e di sa mund të zgjasë kjo lloj ndjesie, pasi mbaj mend se edhe tek edicioni i “Etheve të së premtes mbrëma” jam gjendur në këtë lloj situate. Madje, mund të shtoj se nuk më besohej që ditët kishin kaluar pa kuptuar dhe edicioni kishte mbaruar aq shpejt. Gjithçka ishte si në ëndërr.
A e ndjenit konkurrencën gjatë netëve të konkurrimit?
Normalisht që e ndjeja konkurrencës, por nuk mund të them se kisha frikë nga këngëtarët e tjerë konkurrues. Thjesht konkurrencën e kam ndjerë në atë mënyrë, ku më stimulonte akoma edhe më shumë që të jepja maksimumin tim dhe të dilja mirë, së pari duke përfaqësuar veten time. Konkurroja me vetveten, në atë mënyrë që të dilja sa më mirë dhe të përfaqësoja denjësisht atë çka jam.
Ju ishit fituesja e festivalit, pse mendoni se juria nuk u kursye për të dhënë një vlerësim maksimal vetëm për ju?
Mendoj se kënga ishte vërtet shumë e bukur, teksti po ashtu ishte shumë interesant dhe tërheqës. Ndërkohë që isha unë ajo që arrita t’i përcillja ashtu siç duhej me përpikëri tek publiku, nëpërmjet performancës dhe interpretimin tim përgjatë tre netëve të konkurrimit deri në çastin final. Ishin këta komponentë të ndërthurur mjaft mirë me njëri-tjetrin, të paktën këto ishin fjalët e profesionistëve që më kanë uruar dhe vlerësuar.
Ishte kompozitori Edmond Zhulali ai që iu bëri propozimin, çfarë iu shty më tepër që të pranonit propozimin e tij?
Profesor Edmondi është një nga kompozitorët më të mirë dhe më me emër në Shqipëri. Ai ka një përvojë shumë të gjatë me kompozimin e këngës dhe gjithnjë kam dëgjuar që ai ka punuar me këngëtarë të njohur dhe profesionistë, kështu që pse të mos shfrytëzoja rastin për të pranuar propozimin e tij. Ishte një nder i madh për mua të bashkëpunoja me të. Veç kësaj, propozimin fillimisht ma ka bërë shoqja ime e ngushtë, e cila është e bija e kompozitor Zhulalit, e kështu unë nuk mund t’ia prishja as asaj. Por bashkëpunimi siç duket ishte i suksesshëm. Sepse edhe me çdo lloj kompozitorësh nuk është aspak etike që të punosh, prandaj dhe kam pranuar ftesën e Edmond Zhulalit si një kompozitor me vlera.
Për çfarë flet kënga juaj?
“Më merr në ëndërr” është titulli i këngës, e cila përmban motive dashurie. Nuk mund të jap ndonjë shpjegim të detajuar, pasi nuk ka një fabul të përcaktuar, por thjesht është përgjithësuese e kësaj ndjenje. Megjithatë, mund të them se siç edhe kuptohet nga vetë teksti i këngës, ajo përcjell edhe mallin mes dy të rinjve, të cilët i këndojnë pa pushim dashurisë.
Çfarë është dashuria për ju?
Dashuria është një ndjenjë, e cila të bën të sakrifikosh për njerëzit që ti i do me gjithë zemër.
Tashmë, ju keni një mision të rëndësishëm në Moskë, në Festivalin Evropian, aty ku ju do të përfaqësoni edhe Shqipërinë, çfarë do të thotë kjo për ju?
Ka një domethënie shumë të madhe për mua të marr përsipër iniciativa kaq të rëndësishme. Do të më duhet që të punoj shumë, sepse përgjegjësia siç e thashë është shumë e madhe dhe nuk dua të zhgënjej shqiptarët në atë festival, por edhe në anën tjetër, duke përfaqësuar edhe veten time sa më denjësisht. E di që nuk është e lehtë, por do të përpiqem me të gjitha forcat e mia që të pozicionoj vendin tonë në një nivel të kënaqshëm.
Tani që keni marrë përsipër përgjegjësi kaq të mëdha, a mendoni se do të shndërroheni në një personazh shumë të njohur publik, prej të cilit mund të hapen edhe shumë drita jeshile për t’ju krijuar një perspektivë të mirë?
Kanë qenë “Ethet e së premtes...” ato që më kanë hapur shumë dyer për të ecur edhe më shumë përpara në fushën e muzikës dhe eventet e tjera, ndërkohë që edhe pa talentin dhe punën time nuk do të isha sot në këtë pozicion. Por edhe festivalin nuk do ta lija pa përmendur, që për mua është një hap shumë i mirë dhe i rëndësishëm.
E ftuara juaj në natën e dytë të konkurrimit ishte këngëtarja nga Kosova, Flaka Krelani, çfarë vlerësoni më tepër nga ky duet, kishte shumë energji?
Ka qenë ideja e kompozitorit dhe unë padyshim e kam pritur me shumë dashamirësi këtë bashkëpunim. Mendoj se ka dalë një këngë shumë e bukur atë natë dhe më vjen mirë që e kam pasur këtë mundësi. Me Flakën jam njohur që tek “Ethet...” kur ka marrë pjesë si një e ftuar e këtij edicioni, dhe që atëherë kisha krijuar një miqësi të mirë me të, por tani ky lloj raporti është përforcuar akoma edhe më tepër.
Këngëtari/ja juaj e preferuar?
Si këngëtaren time të preferuar mund të klasifikoj Vaçe Zelën, e cila për mua është vërtet e paarritshme, ndërkohë që sa u përket këngëtarëve aktualë të skenave shqiptare, mund të cilësoj Aurela Gaçen si të preferuarën time.