E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pranga dy persona, në kërkim për rrëmbim



Policia e Tiranës ka vënë në pranga Gentian Lugën dhe Bilbil Krasniqin, të cilët akuzohen se kanë rrëmbyer një të ri nga Alliasi në muajin maj

Dy persona të shpallur në kërkim janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohen për pengmarrjen e një personi. Punonjësit e Sektorit të Operacioneve Speciale në bashkëpunim me forcat e komisariatit të policisë nr. 4, organizuan një operacion, ku vunë në pranga Gentian Lugën, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Bilbil Krasniqin, 32 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë. Të dy të arrestuarit kërkoheshin që në maj nga drejtësia shqiptare. Pas marrjes së informacioneve për vendndodhjen e tyre, agjentët e policisë organizuan operacionin për t’i vënë ata në pranga.

Prokuroria e Rrethit të Tiranës kishte lëshuar një urdhër arresti, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”.

Luga dhe Krasniqi akuzohen se kanë rrëmbyer një të ri nga Alliasi në maj të këtij viti. Mendohet se konflikti midis tyre ka qenë si pasojë e aktivitetit kriminal që ata ushtronin. Sipas deklaratave të policisë, pengmarrja ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve lidhur me shpërndarjen e heroinës në Tiranë. Megjithatë, sipas policisë, mendohet se të rinjtë ishin pjesë e një grupi që merrej me grabitjen e banesave dhe mosmarrëveshjet midis tyre kanë sjellë edhe këtë ngjarje.

Në këtë ngjarje ishte përfshirë dhe një rrëmbyes i tretë, Gramoz Selmani, i cili u arrestua menjëherë pas denoncimit të bërë nga personi i dëmtuar. Luga dhe Krasniqi kanë marrë peng shtetasin Festim Gici, 20 vjeç, banues në lagjen Allias të Tiranës. Sipas policisë, Festim Gici është rrëmbyer dhe futur në një automjet të markës "Honda" me targa GEE 46055. Ai ka qenë pranë banesës së tij në rrugën "Njazi Meka", kur makina e shokëve të tij i është afruar pranë dhe shokët i kanë kërkuar pengut të shkonte me ta. Festim Gici është futur në makinën e tyre, ndërsa të gjithë së bashku kanë marrë rrugën e Komunës së Zall-Bastarit, ose siç njihet tashmë Rruga e Arbrit. Pranë fshatit Brar, pengmarrësit kanë ndaluar makinën dhe në afërsi të një përroi kanë zbritur pengun nga autovetura. Ata dyshohet se kanë nisur të godasin dhe të ushtrojnë dhunë mbi 20-vjeçarin, Festim Gici. Më pas i riu është lënë i lirë dhe i është drejtuar komisariatit nr. 4, për të kryer denoncimin. Pas marrjes peng në muajin maj, është kryer menjëherë arrestimi i njërit prej pengmarrësve, ndërsa ditën e djeshme është arritur që të vihen në pranga edhe dy autorët e tjerë të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›