Hipotekat, të pandehurit mohojnë akuzat dhe kërkojnë pafajësi
Hakorrja: Kam qenë drejtues në SHKB, nuk mund të veproja me dokumente të falsifikuara. I besova Veiz Senkos, që e kisha mik shtëpie
Mohojnë akuzat dhe japin versionin përfundimtar të tyre për faktet. Seanca e djeshme ishte caktuar nga Gjykata e Tiranës për avokatët e dy zyrtarëve të Hipotekës dhe sekserëve të akuzuar për mbivendosje pronash kundrejt shumave të konsiderueshme. Pas mbrojtjes së avokatit Sajmir Visha, i pari që e ka marrë fjalën nga të pandehurit ka qenë Dali Hakorrja, i liruar nga Gjykata e Lartë dhe i hetuar më pas dhe gjykuar në gjendje të lirë. Gjatë fjalëve të fundit para shpalljes së vendimit, i pandehuri Hakorrja, dikur me funksion të lartë në SHKB, është shprehur se nuk i njeh të pandehurit e pranishëm në seancë, përveç Veiz Senkos, të cilin e ka pasur mik shtëpi dhe që i ka besuar të kryente çdo punë të tij. Sipas Hakorres, është e vërtetë që ka marrë një pronë në “Rrugën e Durrësit” për ndërtimin e një pallati, por që nuk dinte se kjo pronë kishte probleme mbivendosjeje. “I kam marrë ndërtuesit Ahmet Tusha 50 mijë euro për të bërë ndërtim në këtë zonë, të cilat ia kam kthyer, pasi dola nga burgu, sepse mësova që prona ishte me probleme mbivendosjeje. Nuk e di nëse Veiz Senko më ka ngrënë në pabesi”, - u shpreh gjatë mbrojtjes së tij Hakorrja. Më tej, ai kërkoi pafajësi, duke u shprehur se ka qenë funksionar për 20 vite në polici, së fundmi drejtues i një seksioni që merrej me arrestimet në gjithë vendin dhe nuk ishte aq i pavëmendshëm sa të operonte me dokumente të falsifikuara. Po të njëjtën gjë kanë deklaruar edhe të pandehurit e tjerë përmes avokatëve të tyre, duke pretenduar pafajësi nga gjykata. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi ta shpallë vendimin më 29 dhjetor, konkretisht javën e ardhshme.
Pretenca
Prokuroria e Tiranës deklaroi një seancë më parë fajtorë dy ish-zyrtarë të Hipotekës dhe të etiketuarit si sekserë të tyre, duke kërkuar 26.2 vjet burg dhe 9.4 milionë lekë gjobë për 6 të pandehurit e kësaj çështjeje. Konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës erdhën tri javë pas pranimit të gjykimit të shkurtuar për këta të pandehur. Dënimi më i rëndë është kërkuar për të pandehurin Veiz Senko, për të cilin u kërkua 10 vjet burg, 5 milionë lekë gjobë, si dhe konfiskim të vilës 1-katëshe me sipërfaqe 84.42 metër katrorë dhe 3.250 eurove të sekuestruara gjatë arrestimit nga policia. Ky i pandehur u deklarua fajtor për të gjitha akuzat e formuluara nga prokurori, përkatësisht 8 të tilla, që nga “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “mashtrimi”, “falsifikimi”, “pastrimi i produkteve të veprës penale” etj. Prokurori Gentian Osmani kërkoi dënimin me 3.6 vjet burg dhe 1.5 milion lekë gjobë për të pandehurin Artan Mehmeti, 5 vjet burg e 1.5 milion lekë gjobë për të pandehurin Dali Hakorrja, 3 vjet burg e 300 mijë lekë gjobë për të pandehurin Agron Tafa, 2.6 vjet burg e 600 mijë lekë gjobë për të pandehurin Enton Babameto, si dhe 2 vjet burg e 500 mijë lekë gjobë për të pandehurin Halil Hima. Gjithashtu, për dy ish-zyrtarët Babameto e Mehmeti u kërkua nga organi i akuzës edhe heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve shtetërore për 2 vjet.
Akuza
Të pandehurit e arrestuar gjatë operacionit “Furtuna” akuzohen se në bashkëpunim kanë tjetërsuar titujt e pronësisë për 13 raste, duke shfrytëzuar lidhjet me njëri-tjetrin, pasi tre nga të pandehurit janë ish-zyrtarë të Hipotekës në atë kohë. Sipas përfaqësuesit të akuzës, për të provuar këto akuza ekzistojnë prova si përgjime telefonike, përgjime me fotografi dhe video, të cilat komprometojnë të pandehurit. Gjatë operacionit u arrestua Veiz Senko, Halil Hima, që ishin në rolin e sekserëve, Enton Babameto, Artan Mehmeti, Ramiz Hyka, zyrtarë të Hipotekës dhe Dali Hakorrja, ish-punonjës i SHKB-së. Akuzat që rëndojnë mbi zyrtarët janë “akuzat e korrupsionit pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike”, “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre”. Sipas prokurorisë, zyrtarët Enton Babameto, Artan Mehmeti, Ramiz Hyka dhe ish-oficeri i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Dali Hakorrja, tjetërsonin pronat në mënyrë të paligjshme. Hakorrja, sipas prokurorisë, u kishte premtuar paprekshmëri personave të tjerë. Burimet kanë shtuar se të pandehurit kishin mbivendosur disa prona. Sipas hetimeve, gjashtë të pandehurit akuzohen nga prokuroria e kryeqytetit se kanë tjetërsuar titujt e pronësisë në 13 raste dhe në një rast mendohet se ryshfeti shkonte deri në 45 mijë euro.