Këlliçi: CDI shpreh solidaritet me opozitën dhe protestuesit në Shqipëri

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se organizata ndërkombëtare e qendrës së djathtë, Centrist Democrat International (CDI), ka miratuar një deklaratë për situatën politike në Shqipëri, duke shprehur solidaritet me opozitën dhe protestuesit.
Në një deklaratë për mediat, Këlliçi bëri të ditur se delegacioni i Partisë Demokratike, i kryesuar nga kreu i saj Sali Berisha, mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të CDI-së në Bruksel, ku u diskutuan zhvillimet politike në Shqipëri.
Sipas Këlliçit, delegacioni informoi Asamblenë mbi protestat qytetare në vend dhe kërkoi ngritjen e një grupi pune për të dokumentuar, sipas tij, lidhjet e qeverisë shqiptare me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës. Ai tha se kjo kërkesë u mirëprit dhe se u propozua edhe zhvillimi i një konference ndërkombëtare mbi situatën në Shqipëri.
Në deklaratën e miratuar nga CDI-ja, sipas Këlliçit, organizata shpreh shqetësim për zhvillimet në fushën e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike në Shqipëri.
CDI-ja, sipas dokumentit të bërë publik nga nënkryetari i PD-së, shpreh gjithashtu solidaritet me opozitën demokratike dhe qytetarët që protestojnë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtës për protestë paqësore, lirisë së shprehjes dhe pjesëmarrjes politike.
Në deklaratë i bëhet thirrje autoriteteve shqiptare që të angazhohen në dialog demokratik, të zbatojnë rekomandimet ndërkombëtare për reformën zgjedhore dhe forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe të garantojnë kushte të barabarta për konkurrencën politike.
Këlliçi tha se kjo deklaratë përbën një mbështetje për kërkesat e opozitës dhe protestuesve, ndërsa rikonfirmon, sipas tij, angazhimin e CDI-së për demokracinë, pluralizmin dhe vlerat demokratike në Shqipëri.
/gj.m/a.f/