Këlliçi, deputetëve të PS: Agasi ju ka marrë zvarrë. Bardhi: 12 deputetë të PS, zgjedh

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, dhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kanë adresuar akuza të forta ndaj mazhorancës gjatë seancës së sotme plenare, duke e lidhur situatën me hetimet ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi.
Këlliçi u drejtua deputetëve socialistë duke i pyetur se çfarë duhet të ndodhë më që ata të reagojnë për zhvillimet e fundit.
“Çfarë duhet t’ju bëjë më Edi Rama juve? Po ju ka marrë zvarrë Ergys Agasi, janë tallur me ju, ju kanë kthyer në një organizatë kriminale”, deklaroi Këlliçi.
Ai iu referua komunikimeve të bëra publike mes Hysenit dhe Agasit, duke thënë se ish-drejtoresha e SHISH, sipas tij, i ka dhënë informacion biznesmenit gjatë kohës që ai ishte në kërkim.
“A e kupton që, ndërkohë që ne flasim, zoti Kryetar, dalin mesazhe se Vlora Hyseni, ajo që duhet të garantojë sigurinë e qytetarëve të Shqipërisë dhe duhet të garantojë sekretet e Aleancës së NATO-s, i shkruan Ergys Agasit dhe i thotë: ‘Të kalojnë çunat sonte sepse i kanë vënë veshin, pa merak, por të ndërrojnë numrin e telefonit’. I thotë se jeni vënë në përgjim, ndërroni numrat”, tha Këlliçi.
Deputeti demokrat përmendi edhe çështje të tjera të denoncuara prej opozitës, mes tyre inceneratorët, sterilizimin, dializën, tunelin dhe KAYO-n, duke kërkuar që mazhoranca të reagojë ndaj zhvillimeve që, sipas tij, prekin sigurinë kombëtare.
“Është çështje që ka rënë shteti shqiptar. Kur do ta ngremë zërin? Do na gjykojë historia”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Gazment Bardhi kërkoi që kryeministri Edi Rama të paraqitet në Kuvend dhe të japë llogari për emërimin e Hysenit në krye të SHISH dhe për zhvillimet e fundit.
Sponsorizuar
Bardhi pretendoi se opozita kishte paralajmëruar më herët për lidhjet e pretenduara mes Hysenit dhe Agasit, ndërsa akuzoi mazhorancën se nuk kishte reaguar ndaj këtyre paralajmërimeve.
“Ju thatë ku i gjetët këta? Nuk e bën Edi Rama këtë. Edi Rama ka zgjedh më të mirë. Ja që doli që është e vërtetë. Ku e keni Edi Ramën sot?”, tha Bardhi.
Duke iu referuar komunikimeve të publikuara, Bardhi tha se Hyseni jo vetëm që dyshohet se ka ndihmuar Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim, por se i ka dhënë atij informacion për veprimet e strukturave të sigurisë.
“Shërbimi informativ i shtetit jo vetëm ndihmonte kreun e një organizate kriminale t’i arratisej drejtësisë, por i thoshte: ‘…unë për ty fik radarët e shtetit’”, deklaroi Bardhi.
Ai ngriti gjithashtu pretendime për ndikim të grupeve kriminale në institucione dhe në politikë, duke përmendur edhe një akuzë të tij se Agasi kishte ndikuar në përzgjedhjen e 12 deputetëve socialistë.
“A nuk ishte Ergys Agasi që të paktën ka sjellë në këtë sallë 12 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste me porosi direkte të Edi Ramës?”, tha Bardhi.
Këto deklarata janë akuza dhe pretendime të opozitës. Hetimi ndaj Vlora Hysenit dhe personave të tjerë vijon nga SPAK, ndërsa përgjegjësia penale përcaktohet nga organet e drejtësisë në përfundim të procedurave përkatëse. Seanca e sotme plenare është shoqëruar edhe me tensione dhe debate mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH.a.b