Kelmendi, “Krenaria e Qytetit”

Në ditëlindjen e tij të 80-të, letrari, publicisti dhe gazetari me origjinë nga Rugova e Pejës, Ramiz Kelmendi, është nderuar të shtunën nga Komuna e Pejës me çmimin “Krenaria e Qytetit”, për kontributin e dhënë në shërbim të popullit, letërsisë, publicistikës, gazetarisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.
Në një akademi solemne të organizuar nën patronatin e kryetarit të Komunës së Pejës, Ali Berisha, në teatrin e qytetit “Istref Begolli” u artikulua dhe u kujtua në një moment opusi i gjerë krijues i një prej gazetarëve dhe publicistëve më të mëdhenj të Kosovës, ka raportuar KosovaLive.
Në fjalimin e tij, kreu i Pejës, Ali Berisha e vlerësoi Kelmendin si krenari e qytetit të Pejës, i cili si i ri në moshën 16 vjeçe nisi ecjen e tij në shtegun krijimtarisë letrare, gazetareske e atdhetare.
“Vëmendja jonë institucionale duhet dhe është drejtuar gjithnjë ka vlerat e mirëfillta që lanë thellë gjurmë krijimin në zhvillimin tonë historik, shoqëror, arsimor dhe kulturor si popull. Prandaj personalisht dhe në emër të banorëve të Pejës iu falënderojë për angazhimet e juaja intelektuale, duke artikuluar krenarinë e qytetit tonë”, tha Berisha.
Duket që ky çmim e kishte emocionuar tepër Ramiz Kelmendin, i cili i mburrur për nderimin që i është bërë nga qyteti i tij, falënderoi të gjithë me thirrmën, rroftë Peja, rroftë Rugova.
“Jam kaq krenar me këtë çmim, se ma dha pikërisht qyteti im i lindjes, në të cilin edhe dua të vdes i lumtur që mora shpërblimin dhe njohjen më të madhe, që më bëri kaq të emocionuar dhe të mburrur si kurrë më parë në jetën time”, ka lëshuar lirshëm Kelmendi emocionet e tij.
Për veprën e Kelmendit foli edhe kritiku letrar Vehap Shita, i cili tha se Kelmendi në veprimtarinë e tij është munduar gjithnjë të kap jetën sa më të gjallë dhe reale.
Kësaj akademie solemne i ka dhënë frymë edhe më tepër aktori i njohur rugovas, Çun Lajçi, me një poezi të recituar dhe të shkruar vetë kushtuar Ramiz Kelmendit.