Kelmendi botohet në Ukrainë

Poeti kosovar, Jeton Kelmendi, është botuar në Ukrainë. Libri me poezi (На верхів’ї часу) “Në krye të kohës”, të cilin e përktheu Anna Bagriana, është përzgjedhje poezish nga vetë përkthyesja dhe i ofrohet lexuesit ukrainas në kuadër të serisë së poetëve të shquar nga Ballkani. “Një poezi e mendimit dhe ndjenjave shpirtërore”, shkruan përkthyesja për poezinë e Jeton Kelmendit, ku autorin e quan ‘udhëtari nga Dardania’.
Ajo më tej duke analizuar poezinë e Kelmendit shprehet se “poeti, qysh në rininë e tij të hershme, është përballur me luftërat në Ballkan, por ka një natyrë tejet interesante, pasi që është i kujdesshëm me fjalën dhe nuk e ngarkon atë me vuajtjet e njerëzve, por e thotë me mjeshtri ndjenjën e tij për këto dhe çështjet e ndryshme”. Nga ana tjetër Dmitry Chystyak, shkruan në parathënien e librit se “duke lexuar Jeton Kelmendin, e mëson fjalën se si me dashtë dhe e mbush shpirtin plot me lirikë”.
Chystyak më tej shkruan se “edhe pse një poet i ri në moshë, bëhet fjalë për një poet me përvojë të madhe dhe sfond kulturor prej akademiku, ku secila fjalë të bënë të mendosh dhe ta analizosh, gjithnjë duke përdorur një gjuhë specifike dhe me simbole të cilat spikasin referenca nga mitet e popullit të tij deri tek kultet e përmasave botërore.
Me një fjalë Jeton Kelmendi është sot njëri nga poetët e njohur të Evropës, i cili ka krijuar emër jo vetëm në poezinë shqipe por edhe në atë evropiane, prandaj si e tillë kjo poezi ka lexuesit e vet tanimë edhe në Ukrainë, për çka duhet falënderuar Anna Bagriana që e solli tek lexuesi ynë ketë mjeshtër të fjalës dhe ligjërimit poetik”. Para pak kohësh, një libër i poetit Kelmendi u botua edhe në gjuhën arabe në Kajro të Egjiptit, ku nga mediat e atjeshme u vlerësua lartë poezia e tij. Poezia e Kelmendit është përkthyer edhe në gjuhë të tjera europiane dhe botërore.