E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ukrainasja që dashurohet me kolegët

Aktore që prej moshës nëntë vjeçare Kunis duket se i ka pikë të dobët kolegët e saj. Pas një lidhjeje 9-vjeçare me Macaulay Culkin, tani është radha e Ashton Kutcher, kolegu i saj në serialin “That ’70s Show”.

E ardhur në Los Angles nga Ukraina në moshën 8-vjeçare, pa ditur asnjë fjalë në anglisht, në moshën 14 vjeçare Mila Kunis, teksa i ati mbante familjen duke punuar si shpërndarës picash nëpër familje, debutoi në “That ’70s Show”, një nga telefilmat më popullorë dhe më jetëgjatë. Mes kolegëve ishte edhe Ashton Kutcher, që aktualisht, pas shumë thashethemesh dhe përgënjeshtrimesh, mund të konsiderohet zyrtarisht si i fejuari i saj i ri. Pak ditë më parë u fotografua përkrah tij teksa të dy ndiqnin ndeshjen në Los Angeles dhe hante gjithë qejf një hot dog. Për më tepër, kjo punë duket diçka serioze, pasi pak më tutje kishte edhe prindërit. E në fakt, një bukurie si Mila është e vështirë t’i rezistosh. Pak nga pak u bë pjesë e klubit të aktoreve më të pëlqyera, më të mira dhe më seksi, por edhe pjesë e gazetave dhe e revistave më të mira të Amerikës.

Kunis është shumë luftarake dhe e gjallë. Kur e pyet për jetën e saj private refuzon kategorikisht të përgjigjet. Çdo gjë për lidhjen e saj me Kutcher nuk mund të diskutohet, ashtu si dhe lidhja e saj e mëparshme tetë vjeçare me Macaulay Culkin, ish-vogëlushin e “I vetëm në shtëpi”. Në komedinë e fundit, ku interpreton “Ted”, që duket se nuk është pritur shumë mirë nga publiku, interpreton të fejuarën e duruar të 35-vjeçarit Mark Wahlberg, ku i duhet të merret edhe me arushin Ted. Mila vetë tregon se, kur ka qenë e vogël, nuk ka pasur kurrë një arush.

“Vetëm në moshën 9 vjeçare, më dhuruan një. Një fat i zi ai i imi. Do më pëlqente të thosha se edhe unë dikur kam pasur një arush që e mbaja në krahë”. Të rinjtë që refuzojnë të rriten e të marrin përgjegjësitë e tyre. Një tendencë kjo e brezit të të rinjve të moshës së Milës. Por kjo për të nuk përbën ndonjë problem të madh. “Të jem e sinqertë, nuk më duket ndonjë problem i madh. Njeriu e zgjedh vetë atë që dëshiron të bëjë në jetë. Nëse kjo i shkon për mbarë, është i lirë ta ndjekë atë rrugë”. Mila tregon se nuk e mendonte kurrë që një ditë mund të ishte aktore. Ajo erdhi në SHBA nga Ukraina kur ishte ende fëmijë.

“Nuk e kisha ëndërr aktrimin. Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje. As që e dija se çfarë ishte të qenit aktore. Ndoshta këto janë gjëra normale për një fëmijë amerikan, por po për mua që vija nga një vend i ish-Bashkimit Sovjetik”. Pastaj në Los Angeles gjërat erdhën fare gradualisht: foto publicitare, sporte, televizion dhe në fund kinemaja. “Kur erdhëm në Los Angeles prindërit vendosën të më regjistronin në një shkollë në Beverly Hills Studios, për të cilën kishin dëgjuar të flitej në radio, pasi unë aty bashkë me fëmijë të tjerë mund të mësoja gjuhën. Në të vërtetë ajo ishte një shkollë aktrimi. Kushtonte rreth 250 dollarë, një shifër e lartë për familjen time, por edhe pse nuk e di ende arsyen, vendosën ta paguanin. Pastaj shumë shpejt e gjeta veten duke bërë një reklamë për kukullat Barbie”. Që nga vitet e para në Amerikë familja e ka ndihmuar në çdo hap që ka hedhur, duke mos dyshuar asnjëherë në vendimet e saj.

“Ata që në fillim donin që unë të merrja edukimin e duhur shkollor dhe të kisha nota shumë të mira. Pastaj, pasi hyra në kolegj, i kërkova atyre leje për t’i ndërprerë studimet. Në atë kohë isha e sigurt se doja të vazhdoja të aktroja”. E kështu karriera e vajzës ukrainase nisi të rridhte vaj. Si imazh i “Dior”-it Mila tregon se në dollapin e saj ka shumë veshje dhe këpucë. “Jam e çmendur pas tyre. Në fund të fundit, si çdo femër. Shopping-u është terapi më vete dhe, kur ndihem e mërzitur, një ditë e kaluar nëpër dyqane më ngre totalisht humorin. Por e vetmja gjë që më mungon, kur kam dëshirë për të blerë gjëra të reja, është koha. Është e vetmja që më mungon dhe kjo më dëshpëron vërtet”.

Ajo tregon edhe për gjërat që nuk mungojnë kurrë në gardërobën e saj. Janë ato që i merr gjithmonë me vete, pavarësisht se ku shkon: një kostum sportiv, bluza pambuku me ngjyra të ndryshme, një fustan veror, shapka dhe disa fustane mbrëmjeje me dekolte. Në fund,ashtu siç thotë gjithmonë, asnjë fjalë për lidhjet e saj të mëparshme dhe jetën private. “Për jetën time private nuk kam folur dhe nuk do të flas kurrë. Janë gjëra që më përkasin vetëm mua. Arrij ta bëj shumë mirë dallimin mes asaj që është publike dhe asaj që është private. Nëse të tjerët i djeg kurioziteti për jetën time private, unë i them që është shumë më mirë nëse merren me problemet e tyre”. Çdo vit ajo është në listën e grave më seksi. “Po ju them se sa më shumë kalojnë vitet, aq më shume ndihem në lartësinë e duhur. Gjithçka vjen nga brenda, është pjesë e karakterit dhe nuk kërkohet me dhunë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›