E Diel, 1 Nëntor 2026

”Kemi bashkuar rebelizmin tonë në një duet rock”



Janë mikesha në jetë dhe rivale në muzikë. Por kësaj here ndajnë skenën e “Top Fest 7”, për të fituar një kupë të përbashkët. Kamela Islamaj dhe Orgesa Zaimi sjellin energjinë e rock-ut me një këngë që të fton në lëvizje. Me vargjet u bëjnë thirrje të rinjve të ndryshojnë jetët e tyre, ndërsa me muzikën ftojnë njerëzit e guximshëm si të mos ndalen asnjëherë. Në këtë tendencë të fundit të dueteve femërore, rockeret tregojnë më shumë rreth bashkëpunimit të tyre të parë:
Konkurroni në “Top Fest” me një këngë me titull “Lëviz me mua”. Kujt i drejtoheni, njëra-tjetrës apo publikut?
Orgesa: “Lëviz me mua” është një mesazh që u japim të gjithë të rinjve shqiptarë që të lëvizin, të bëjnë diçka me jetën e tyre, mos të rrinë duarkryq kafeneve, pa shkollë, pa punë…
Kamela: Këngën ua dedikojmë të gjithë atyre që guxojnë…
Shumë që mund t’ju kenë parë bashkë në skenë, ndoshta s’e kanë pritur, si lindi kjo këngë?
Orgesa: Duke qenë se kemi vite që frekuentojmë të njëjtat ambiente dhe shoqëri besoj se shumë njerëz mezi kanë pritur që ne të kemi një këngë bashkë.
Kamela: Kjo këngë lindi në studion e Indrit Mesitit dhe më pas u bë e jona...me shumë qejf... (qesh)
Ndjeni konkurrencë të fortë në këtë edicion të “Top Fest 7”, kujt prej këngëtarëve ia ndieni rrezikun?
Orgesa: Konkurentja më e fortë për mua është Kamela (qesh)
Kamela: Nuk i kam ndjekur shumë këngët konkuruese, por mund të them se këtë vit ka shumë prurje dhe këngëtarë të mirë që këndojnë pa problem “live”.
Jeni të dyja këngëtare të muzikës rock, çfarë është në Shqipëri një këngëtare femër e kësaj rryme?
Orgesa: Kohët e fundit rryma rock është bërë tendencë në tregun muzikor shqiptar (ne në fakt kemi vite që bëjmë rock). Këngëtare rock-u në Shqipëri ka shumë pak… Ne përpiqemi të bëjmë diferencën.
Kamela: Femrat që këndojnë rock në Shqipëri, pa diskutim janë të pakta (ato të vërtetat) dhe mendoj se janë femra me karakter të fortë dhe vokal po ashtu.
Të bën rrock-u të pasur, apo mbetet muzika e të apasionuarve?
Orgesa& Kamela: Muzika në përgjithësi në Shqipëri nuk është mjet pasurimi aq më tepër rock-u, që dëgjohet në ambiente të kufizuara, por përveç se është muzika më e pëlqyer dhe e të apasionuarve pa diskutim, është një rrymë ku mund të shprehësh fare mirë inatet, rebelimin, botën tënde... dhe pa diskutim vokalin.
Stili që ju keni, ju bën të dukeni disi të egra. E dashuroni vërtet ngjyrën e zezë, çfarë fshihet pas kësaj aparence?
Kamela: Thjesht dashuria për të zezën si ngjyrë, jo si nënkuptim.
Orgesa: Sheh rrushi rrushin dhe piqet… (Qesh)
Cilat janë angazhimet tuaja të tjera jashtë skenës?
Kamela: Unë këtë vit pres të diplomohem në Akademinë e Arteve në degën Muzikologji. Përveç pasionit të të kënduarit, dua të jem një kritike e mirë e vetes dhe e të tjerëve.
Orgesa: Përveç muzikës unë kam një program radiofonik të përditshëm në Kiss Fm, që më jep kënaqësi të pakrahasueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›