E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kemi identifikuar 52 persona të maskuar që kryen akte dhune” – Kreu i Policisë: 201 efektivë mbetën të lënduar! Prindërit të mos lejojnë fëmijët në protesta

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita bëri me dije se gjatë protestave të studentëve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, janë dëmtuar dhe plagosur 201 punonjës policie.

skender hita

Në një deklaratë për mediat, bashkë me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Hita tha se kanë identifikuar gjithashtu deri më tani 52 persona të maskuar të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme, pavarësisht tentativës së tyre për të fshehur identitetin.

“Si pasojë e këtyre akteve të dhunës, 201 punonjës policie kanë ngelur të dëmtuar dhe të plagosur, gjatë përmbushjes së detyrës së tyre për garantimin e rendit dhe sigurisë si dhe për të ushtruar të drejtën e lirë të tubimit paqësor të qytetarëve.

Nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike deri më tani, janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të fshehur identitetin.”, tha Hita.

Hita u bëri thirrje prindërve të tregojnë kujdes dhe të mos lejojnë përfshirjen e të miturve në protesta ku ushtrohet dhunë. Ai gjithashtu apeloi për qytetarët që të distancohen nga aktet e dhunshme dhe të bashkëpunojnë me Policinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

“Në këtë kontekst dëshiroj të përsëris dhe njëherë thirrjen time publike të bërë disa herë në radhë të parë, për prindërit, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë fëmijët e tyre të mitur që të përfshihen në situata ku ushtrohet dhunë dhe në këtë protesta të jashtëligjshme.

Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune, të shmangin qëndrimin pranë personave që ushtrojnë dhunë dhe të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.”, shtoi ai.

DEKLARATA E PLOTE:

Të nderuar qytetarë, gjatë dy javëve të fundit në kryeqytetin tonë jemi përballur me akte të rënda dhune si ndaj punonjësve të Policisë, por njëkohësisht dhe ndaj institucioneve shtetërore pronës publike dhe private, duke cënuar njëkohësisht sigurinë e qytetarëve, të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore.

Si pasojë e këtyre akteve të dhunës, 201 punonjës policie kanë ngelur të dëmtuar dhe të plagosur, gjatë përmbushjes së detyrës së tyre për garantimin e rendit dhe sigurisë si dhe për të ushtruar të drejtën e lirë të tubimit paqësor të qytetarëve.

Krahas veprimeve procedurale, në vijimësi Strukturat e Hetimit të Krimeve kanë intensifikuar punën për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës, të cilët nëpërmjet maskimit të tyre nëpërmjet maskës mendonin se nuk identifikoheshin.

Nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike deri më tani, janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të fshehur identitetin.

Materialet proceduriale për të gjithë këta persona janë referuar në vazhdimësi prokurorisë së Tiranës për ndjekjen e tyre penale. Puna hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike vijojnë, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë për dokumentimin e plotë të çdo veprimi të dhunshëm, të kryer gjatë këtyre javëve të fundit, përfshirërë ato që kanë vënë në rrezik serioz për jetën dhe punonjësit e Policisë, edhe qytetarët.

Në këtë kontekst dëshiroj të përsëris dhe njëherë thirrjen time publike të bërë disa herë në radhë të parë, për prindërit, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë fëmijët e tyre të mitur që të përfshihen në situata ku ushtrohet dhunë dhe në këtë protesta të jashtëligjshme.

Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune, të shmangin qëndrimin pranë personave që ushtrojnë dhunë dhe të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Policia e Shtetit është dhe mbetet e vendosur të garantojë të drejtën kushtetuese të tubimit dhe protestës paqësore. Por njëkohësisht do të veprojë me vendosmëri në përputhje me aktet ligjore dhe parimin e proporcionalitetit, ndaj cilitdo, që përdor dhunë rrezikon jetën e njerëzve apo dëmton pronën publike dhe private.

E drejta për të protestuar është e garantuar dhe duhet respektuar. Dhuna nga ana tjetër nuk mund të justifikohet dhe as të mbrohet në emër të kësaj të drejte.

Të nderuar përfaqësues të mediave, dëshiroj të ndalem veçanërisht edhe në marrëdhënien e Policisë së Shtetit me mediat. Jo thjesht në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga disa organizata të gazetarëve, por mbi të gjitha për të riafirmuar vlerësimin dhe respektin institucional për rolin e medias në një shoqëri demokratike.

Policia e Shtetir e konsideron median një partner të rëndësishëm në informimin e publikut dhe në garantimin e transparencës institucionale. Gazetarët, operatorët fotoreporterët, kryejnë një mision me interes publik shpesh në rrethana të vështira dhe me rrezik të shtuar. Ndaj e drejta e tyre për të ushtruar lirisht dhe në mënyrë të pavarur profesionin, duhet të respektohet dhe të mbrohet.

Në këtë kuadër, bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të medias. duhet të mbështetet në respektimin e ndërsjellë, komunikimin e vazhdueshëm, transparencën dhe përgjegjësinë profesionale.

Veçanërisht gjatë tubimeve dhe situatave që shoqërohen me tensione apo akte dhune, është e domosdoshme të forcohet ky koordinim në terren, përmes një komunikimi të qartë në kohë ndërmjet shërbimeve policore dhe përfaqësuesve të medias.

Ky bashkëpunim duhet të garantojë njëkohësisht ushtrimin e papenguar të veprimtarisë gazetareske dhe respektimin e masave të ligjshme të sigurisë, të cilat synojnë mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë personaveve të pranishëm në protesta.

Udhëzimet e shërbimeve policore, respektimi i perimetrave të sigurisë të vendosura në përputhje me ligjin dhe komunikimi i drejtpërdrejtë në terren, janë elementë të rëndësishëm për parandalimin e incidenteve, pa cënuar të drejtën e medias për të dokumentuar dhe raportuar zhvillimet me interes publik.

Kështu, çdo shqetësim apo pengim të punës së gazetarëve apo për sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e Policisë trajtohen me seriozitet, objektivitet dhe në përputhje me procedurat ligjore.

Dua të theksoj se siguria e gazetarëve dhe liria e informimit nuk janë në kundërshtim me garantimin e rendit e sigurisë. Përkundrazi ato janë përgjegjësi që duhet të përmbushen së bashku, përmes profesionalizmit, mirëkuptimit dhe respektimit të ligjit.

Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar kushtet e nevojshme që gazetarët të ushtrojnë të lirë dhe të sigurtë profesionin e tyre duke qenë njëkohësisht e hapur për një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim më të strukturuar me organizatat përfaqësuese të medias.

Besoj se vetëm përmes komunikimit institucional, respektit të ndërsjellë dhe përgjegjësisë profesionale, mund të shmangim keqkuptime, të parandalojmë incidente dhe t’i shërbejmë së bashku interesit publik. Policia ka detyrimin të garantojë sigurinë. Media ka misionin të informojë. Respektimi i këtyre dy përgjegjësive është në interes të qytetarëve dhe të një shoqërie demokratike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›