E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsultimet për datën e zgjedhjeve, Partia e Lirisë refuzon ftesën e Presidentit: E papranueshme! Kryeagjenda janë protestat e studentëve

Tedi Blushi, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, ka refuzuar ftesën e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për konsultime lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore.

blushi

Në një përgjigje zyrtare drejtuar kreut të shtetit, Blushi argumenton se konsultimi është i papërshtatshëm në kushtet kur vendi po përballet me protesta të studentëve dhe gjimnazistëve, si dhe me atë që ai e cilëson si dhunë shtetërore ndaj protestuesve.

“Përballë kësaj emergjence kushtetuese dhe kombëtare, përgjegjësia e institucionit të Presidentit të Republikës nuk mund të kufizohet në konsultime formale, por duhet të përqëndrohet në qëndrime të qarta, akte dhe veprime konkrete në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Fatkeqësisht, institucioni i Presidentit të Republikës nuk e ka përmbushur rolin e tij kushtetues, veçanërisht përballë dhunës shtetërore ndaj studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar”, thuhet ne pergjigje drejtuar Presidentit Bajram Begaj.

Blushi kërkon që kreu i shtetit të përmbushë detyrimin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa e kthyer këtë proces në një procedurë që, sipas tij mund të përdoret për qëllime propagandistike nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama.

“Ajo që pritet prej jush është të përmbushni detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa e shndërruar këtë përgjegjësi në një procedurë formale, që mund të përdoret për qëllime propagandistike nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë të krizës”.

Kthimi i pergjigjes

SH.T.Z BAJRAM BEGAJ

PRESIDENT I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

I nderuar President!

U njoha me ftesën tuaj, por e konsideroj të papërshtatshme pjesëmarrjen në një konsultim formal për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, në një moment kur protesta dhe kërkesat legjitime të studentëve dhe gjimnazistëve janë kryeagjenda e Shqipërisë.

Ky konsultim formal bëhet edhe më i papranueshëm, veçanërisht, pas dhunës shtetërore barbare, gjakosjes dhe terrorizimit, si dhe rrëmbimeve e arrestimeve arbitrare dhe të paligjshme të studentëve dhe protestuesve.

Shqipëria po përballet me një krizë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore, ndërsa dhuna ndaj të rinjve dhe represioni ndaj pluralizmit politik e bëjnë të domosdoshëm reagimin e institucioneve kushtetuese.

Përballë kësaj emergjence kushtetuese dhe kombëtare, përgjegjësia e institucionit të Presidentit të Republikës nuk mund të kufizohet në konsultime formale, por duhet të përqëndrohet në qëndrime të qarta, akte dhe veprime konkrete në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

Fatkeqësisht, institucioni i Presidentit të Republikës nuk e ka përmbushur rolin e tij kushtetues, veçanërisht përballë dhunës shtetërore ndaj studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar.

Në këto rrethana, një konsultim formal për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore është totalisht i pavend dhe i padobishëm.

Ajo që pritet prej jush është të përmbushni detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa e shndërruar këtë përgjegjësi në një procedurë formale, që mund të përdoret për qëllime propagandistike nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë të krizës.

Për këto arsye, ju bëj me dije se nuk do të marr pjesë në një konsultim formal me ju, të shkëputur nga urgjenca kushtetuese dhe kombëtare me të cilën përballet Shqipëria.

Ju faleminderit! 

TEDI BLUSHI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›