"Kemi ndryshuar shumë pak pas diktaturës"
Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ai do të vijë për të sjellë eksperiencën e tij të mëparshme në një vepër, e cila për herë të parë ngjitet në skenën tonë. Baritoni gjerman Thomas Gazheli (ka marrë mbiemrin e bashkëshortes, një vajzë shqiptare), do të vijë për të interpretuar në operën gjermane "Salome", e cila vjen premierë në Tiranë në kuadër të 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Gazheli do të përcjellë jo vetëm emocionet e një opere tejet të vlerësuar e të duartrokitur, por edhe emocionet e një qytetari gjerman që ka përjetuar ndarjen, por edhe bashkimin e dy Gjermanive. "Unë kam pasur fatin të mos kem asnjë të afërm në Gjermaninë Lindore, e megjithatë kjo nuk më bën më pak të ndjeshëm ndaj ngjarjeve të kohës. Sigurisht që rënien e murit, ashtu si edhe shumë qytetarë të tjerë gjermanë, unë e kam përjetuar me shumë emocione e entuziazëm", tregon ai. Për Gazhelin, megjithatë, situata artistike në Gjermani pas bashkimit nuk ka ndryshuar shumë. Ajo vazhdon të mbetet e njëjta për të, edhe pse tashmë me disa teatro më shumë. Gjermanisë Perëndimore i janë shtuar edhe teatrot e asaj lindore. Baritoni Thomas Gazheli për herë të parë do të ngjitet në skenën e operës së Tiranës për të interpretuar në rolin e profetit Joakanaan (Gjon Pagëzorit). E pavarësisht kësaj premiere, edhe për karrierën e tij, ai sigurisht që e njeh mirë rolin. Jo vetëm sepse është vepër e një autori gjerman Richard Strauss, por edhe sepse këtë rol, pavarësisht kohës kur është krijuar si operë, por edhe si histori, ai e konsideron si tepër modern dhe aktual në një kuptim. "Më është dhënë mundësia të interpretoj rolin e Jokanaan, të cilin unë nuk e kam interpretuar më parë. Për mua është vërtet një rol shumë interesant, të cilin natyrisht që e njoh shumë mirë, sepse është një vepër gjermane. Nga këndvështrimi im ky është edhe një rol tepër aktual. Kemi të bëjmë me një besimtar fanatik, ashtu siç kemi shumë në ditët e sotme fanatikë myslimanë, por edhe të feve të tjera, të cilët shoqërinë perëndimore e shikojnë si dekadente. Pra, konflikti mes fesë dhe shoqërisë së ditëve tona. Në këtë kuptim e shikoj këtë vepër si aktuale", thotë baritoni gjerman, Thomas Gazheli. Rolin e Gjon Pagëzorit, kokën e të cilit Salomeja e kërkon të prerë në një pjatë të argjendtë, ai e konsideron si tepër të vlefshëm, por edhe si një rritje profesionale për karrierën e tij operistike. Thomas do të interpretojë rolin e Gjon Pagëzorit, profetit pas të cilit Salome dashurohet sapo e shikon. Ajo e dëgjon teksa i mbyllur në një birucë ai paralajmëron ardhjen e medias. Ajo shkon menjëherë pas tij. Fillimisht tronditet prej pamjes së tij, ndien një neveri, e cila menjëherë kthehet në adhurim. Ajo mahnitet nga bukuria e trupit të tij, nga shkëlqimi i flokëve dhe sidomos nga ndjeshmëria e buzëve të tij. Dëshiron ta puthë me çdo kusht, por Gjoni e injoron kërkesën e saj, duke e mallkuar. Lind në këtë mënyrë hakmarrja. Salome, i kërkon njerkut të saj, Herodit, kokën e Gjon Pagëzorit mbi një pjatë të argjendtë. Kërkon me çdo kusht të çojë deri në fund dëshirën e saj. Ta puthë në buzë. Ajo e arrin qëllimin vetëm duke vrarë profetin. "Ah! Ti nuk më lejove të puth buzët e tua, Gjon. Tani do t‘i puth vetë!" - i thotë Salome dhe përqafon me epsh kokën e prerë të profetit...
Thomas Gazheli ka lindur në Karlsruhe, Gjermani, ku edhe nisi edukimin e tij muzikor si trumbetist dhe violinist. Pjesë e repertorit të tij janë shumë role të operave të njohura si: "Carmen", "l‘Elisir d‘amor", "Cosi fan tutte", "Dasma e Figaros", "Boheme", "Berberi i Seviljes", "Falstaf", "Traviata", "Rigoletto" etj. Opera "Salome" do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit në Tiranë më 15 nëntor për të vijuar edhe në datat 17, 19 dhe 21 të po këtij muaji. Do të jetë mjeshtri italian Nicola Colabianchi, i cili do të drejtojë orkestrën simfonike të TKOB-it, ndërsa regjia i është besuar Patrizia Panton, Platon Bardhi është kujdesur për skenën, ndërsa kostumet vijnë prej Teatrit të Operës së Romës. Kjo veprimtari është organizuar në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, i cili ka pranuar të jetë pjesë e festimeve të mëdha në kuadër të 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, duke iu bashkuar filozofisë së tashmë Europa është e bashkuar, kufijtë gjeografikë thuajse nuk ekzistojnë, ashtu siç edhe nuk ekzistojnë edhe ata artistikë. Për operën "Salome" do të interpretojnë tenori Roy Stevens në rolin e Herodit, mexosopranoja Edith Mihali në rolin e Herodiadës, baritoni Thomas Gazheli në rolin e Gjon Pagëzorit, ndërsa për rolin e protagonistes Salome, po përgatiten për interpretim sopranot Sonila Baboçi dhe Nausicaa Policicchio.