Aksident në superstradë, tre të plagosur
Shpejtësia në lëvizje dhe lagështia në rrugë kanë shkaktuar aksidentin automobilistik të radhës në Durrës. Një fuoristradë tip "Nisan" me targa TR 1336 H, duke lëvizur me shpejtësi në superstradën Durrës-Tiranë, i ka rënë nga prapa një automjeti "Mercedes Benz" me targa të huaja AD 615 TZ që lëvizte në të njëjtën korsi. Si rezultat të dyja automjetet kanë humbur kontrollin dhe kanë dalë jashtë rruge. Burime policore bënë të ditur se si rezultat është dëmtuar rëndë një nga pasagjerët e fuoristradës, 25-vjeçari Elton Hoxha, ndërsa personat e tjerë që ndodheshin në automjetet respektive kanë pësuar dëmtime më të lehta. Të gjithë janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Automjeti me targa të huaja drejtohej nga shtetasi Durim Lleshi, 30 vjeç me banim në Plazhin e Durrësit. Lidhur me aksidentin që ndodhi dje pasdite në hyrje të superstradës është marrë masa e ndalimit për drejtuesin e fuoristradës, shtetasin Dashamir Biçi, 30 vjeç me banim në Tiranë. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Nga hetimet paraprake rezulton se lëvizja me shpejtësi dhe mosruajtja e distancës mes dy automjeteve në lëvizje ka qenë shkak i aksidentit të favorizuar edhe nga reshjet e shiut.
Va.Qy.
Va.Qy.