Coli rrëfen tre vrasje që nuk janë në dosje
I penduari i bandave të Durrësit, Adriatik Coli, ka hedhur dritë për tre vrasje të tjera të anëtarëve të kësaj bande, ndërsa deklarata e tij në seancën e djeshme gjyqësore ka shkaktuar debate të ashpra mes avokatëve dhe prokurorëve. Në deklaratat e tij të radhës para trupit gjykues, Adriatik Coli bëri të ditur se në dëshminë e tij para prokurorëve ka zbardhur vrasjet e shtetasve Ali Kërtusha, Dorjan Sema dhe Ledion Keci, që sipas tij janë kryer nga anëtarë të bandës së Durrësit, por prokuroria nuk i ka përfshirë ato në dosjen e dërguar për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Avokatët mbrojtës të anëtarëve të bandës së Durrësit kanë akuzuar prokurorinë se nuk ka dhënë të plotë dëshminë e Adriatik Colit. Ndërkaq prokurorët e kanë justifikuar këtë fakt me pretendimin se këto ngjarje janë ende nën hetim, duke qenë se nuk ka autorë konkretë dhe për këtë arsye nuk është përfshirë në dosjen e përcjellë në gjykatë. Pas këtij debati, gjykata ka ndërprerë dëshminë e të penduarit Adriatik Coli.