E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zihen për pronën, i hedh tritol kushëririt në oborr

Një konflikt pronësie ka çuar në kanosjen me lëndë plasëse midis dy kushërinjve që banojnë në një fshat të Rrethit të Pogradecit. Ardian Kapri, një 45-vjeçar nga fshati Golik i Rrethit të Pogradecit, ka zgjedhur vetëgjyqësinë për mosmarrëveshjet që ka krijuar me kushëririn e tij, A. Ymeri, banues në të njëjtin fshat. Policia tha se pasditen e së dielës, rreth orës 16:30, 45-vjeçari Kapri ka hedhur lëndën e eksplozivit në oborrin e shtëpisë së kushëririt të tij. Ai ka shkuar te servisi ku punonte kushëriri i vet, dhe pasi ka vënë në punë ndezësin e lëndës plasëse artizanale, e ka hedhur në oborr. Sipas hetimit të policisë, 45-vjeçari Kapri ka dashur të vrasë kushëririn e tij që në ato momente po punonte në servis për rregullimin e makinave, por fuqia e lëndës plasëse ka qenë e një force të tillë që ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Sipas të dhënave, Ardian Kapri ka hedhur dy qese me lëndë plasëse artizanale në oborrin e banesës së kushëririt të tij, por fatmirësisht nuk i ka shkaktuar dëme për jetën. Nga hetimet ka dalë se ky akt është ndërmarrë prej 45-vjeçarit në shenjë hakmarrjeje për një konflikt pronësie të tokës, të lindur midis tij dhe kushëririt të vet, pronar i një pike servisi. Policia e ka cilësuar ngjarjen si kanosje, ndërsa i ka shtuar kësaj akuze edhe atë të prodhimit të lëndëve luftarake, duke vazhduar kërkimet e saj për arrestimin e autorit, i cili ka arritur të largohet dhe është shpallur në kërkim.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›