E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ken Loach: Kinemaja është vendi i sfidës

Kështu e ka parë dhe e sheh kinemanë regjisori britanik, i cili ka dhënë së fundi këtë pohim me rastin e vlerësimit me Çmimin e Karrierës nga Akademia Evropiane e Filmit.


Në skenën e edicionit të 22-të të çmimeve të kësaj Akademie, skenë e ngritur më 12 dhjetor në Bohum, Gjermani. Loach u ngjit për të tërhequr trofeun i shoqëruar nga protagonisti i filmit të tij të fundit, Eric Cantona.


E ka nisur karrierën në Televizionin Britanik dhe filmin e parë "Poor Cow" e realizoi më 1967. Loach, ky emër fiksohet menjëherë në kujtesën e publikut me filmat "Kes" 1970 dhe "Jetë familjare" 1971. Qysh atëhere ai u pozicionua si një kineast me bindje politike dhe sociale të shfaqura në filmat "Riff-Raff" (Filmi Evropian i Vitit, 1991), "Land and Freedom" (Filmi Evropian i Vitit, 1995), dhe "Sweet Sixteen" (Çmimi i Kritikës, 2002). Disa e filmat e tij të fundit janë "Ae Fond Kiss..." (Çmimi César 2005), "The wind that shakes tha barley" (Palë e Artë në Kanë 2006), "It's a free world" 2007, dhe "Looking for Eric" 2009.


"Ndihem shumë i nderuar që u vlerësova për gjithë e punën e bërë të shkuarën", tha me rastin e Çmimit të Karrierës regjisori, në një intervistë të botuar në faqen zyrtare të Akademisë Evropiane.


"Por janë të shumtë njerëzit me të cilët unë kam bërë filmat e mi dhe falë atyre me të cilët punoj unë mund ta quaj veten regjisor. Do të falënderoja skenaristët në veçanti të cilët, zakonisht, nënvlerësohen. Unë do ta pranoj këtë çmim për të gjithë ata njerëz me të cilët punoj, përndryshe do të ishte shumë egoiste. Ndihem i nderuar, por nuk kam për të menduar dhe aq shumë për këtë çmim, sepse fillon dhe e beson pastaj dhe nuk punon dot më."


Pyetjes se sa ka ndryshuar kinemaja qysh prej fillimeve të karrierës së tij në vitet gjashtëdhjetë, Loach iu përgjigj: "Falë teknologjive të reja ka ndryshuar shumë sipërfaqja e saj.


Por thelbi nuk ndryshon - të zbulosh karaktere, një narrativë të mirë, të trajtosh jetën, të punosh me aktorë dhe interpretime. Nuk ndryshon pyetja: përse është e rëndësishme ose e domosdoshme të bësh një film."


Regjisori shpjegon më tej vitet tetëdhjetë, pasojat e politikës së Margaret Theçerit. Ne erën e qeverisjes së saj njerëzit humbën punën dhe ai vetë e pati të vështirë të bëjë kinema.


Bëri dokumentare të cilët kryesisht u refuzuan nga televizionet. "Në momente dëshpërimi kam menduar të heq dorë. Por mora një telefonatë nga David Puttnam, asokohe ishte producent, i cili më pyeti nëse do të bëja një film për të.


Kjo gjë çoi tek Columbia Pictures, më pas tek një film tjetër dhe më në fund të punoj përsëri."


Loach shpreson se ka akoma hapësirë për filma kritikë dhe politikë si "Gomorra" i Matteo Garrones. Dhe nga ana tjetër ai thotë se kur vjen puna për t'iu dhënë këshilla të rinjve, këshilla më e udhës është të mos dëgjosh asnjë këshillë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›