'Hoxha', prokuroria kërkon masë të re sigurie për Kumbaron
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar sot një tjetër masë sigurie për Ilir Kumbaron, i akuzuar si rrëmbyes i Remzi Hoxhës, biznesmenit shqiptaro-maqedonas zhdukur në vitin 1995.
Kërkesa u bë sot, nga prokurori i çështjes Xhevat Hana, i cili kërkoi rikthimin në burg të Kumabros.
Tashmë pritet që Gjykata e Krimeve të Rënda të marrë në shqyrtim kërkesën dhe të shprehet nëse do ta pranojë atë, apo jo.
*****
Shuarja e "arrestit" Kumbaro, drejt lirisë
TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, javën e parë të dhjetorit shfuqizoi vendimin e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë në vitin 2003 ndaj ish-drejtuesit të SHIK-ut në kryeqytet, të pandehurit Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit, dhe Avdyl Loshajt. Ky vendim erdhi pas rekursit të mbrojtësve ligjorë të të pandehurit Kumbaro, të cilët kërkuan shfuqizimin e kësaj mase për shkak të pushimit të akuzave ndaj tij në vitin 2004.
"Vendimi i datës 18 shkurt 2003 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me të cilin është caktuar masa shtrënguese e sigurimit "arrest në burg" për të pandehurin Ilir Kumbaro, që është shpallur në kërkim ndërkombëtar ka patur fuqi ekzekutuese deri në datën 1 korrik 2004, datë në te cilën është vendosur pushimi i akuzave për të pandehurit Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budion Meçe dhe Ilir Kumbaro"-thuhet në vendimin e dy ditëve më parë të dhënë nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Andi Çeliku.
Në vendimin e pushimit të akuzave ndaj tyre në 2004 përcaktohen qartësisht se pushimi i këtyre veprave penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe të "torturës", janë bërë për shkak të ligjit "Për Amnistinë" i vitit 1997, miratuar nga ish- Presidenti Sali Berisha. Pushimi i akuzës për veprën penale "Torturës me pasoja të rënda", është bërë pasi akuza, nuk ka mundur të provojë se vepra penale është kryer nga të pandehurit.
Ky vendim i Gjykatës së Lartë, do t'i dërgohet autoriteteve angleze për të tentuar të mos ekstradojë të pandehurin Kumbaro për në Shqipëri, ku po gjykohet bashkë me Arben Sefgjinin e Avni Koldashin për rrëmbimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, i cili figuron i zhdukur që nga ajo kohë.
Djali i Remzi Hoxhës: Nuk do t'u ndahem torturuesve të babait tim
Vëllai dhe djali biznesmenit të rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1995, akuzuan se ka ndikim politik në drejtësinë shqiptare
Ardian Hoxha: Nuk heq dorë, askush nuk do të shpëtojë nga përgjegjësia e rrëmbimit dhe e torturimit të babait tim
TIRANË- Pa kaluar 24 orë nga vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që shfuqizoi masën e sigurisë "arrest me burg" dhënë ndaj Ilir Kumbaros, të akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, reaguan familjarët e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha, i cili rezulton i zhdukur që nga tetori i 1995 nga agjentët e SHIK-ut.
Djali i biznesmenit të zhdukur, Ardian Hoxha, dhe vëllai i viktimës Nexhmedin Hoxha, të kontaktuar nga "Shekulli" shprehën rezervat e tyre për drejtësinë në Shqipëri, duke akuzuar edhe zyrtarë të qeverisë si të implikuar në rrëmbimin dhe zhdukjen e njeriut të tyre në vitin 1996. "Reagimet familjare janë nga natyra e pengesave në procesin e seancave gjyqësore siç ka ndodhur edhe më parë.
'Duket qartë se politika qeveritare ka direkt gisht ndaj personave që pa kompromis janë të implikuar në krime të papara dhe tani dëshirojnë të lirohen nga proceset gjyqësore",- tha Nexhmedin Hoxha i të zhdukurit.
Ai shtoi se drejtësia në Shqipëri nuk po funksionon. Më tej ai shoi se se pavarësisht rrethanave dhe proceseve gjyqësore familja nuk do ndalet së kërkuari drejtësinë dhe varrin e njeriut të taj të dashur.
"Ne nuk do hakmerremi ndaj atyre që pranojnë të rrëfejnë ngjarjen e vërtetë dhe ndoshta kanë qenë të detyruar ta bënin nga eprorët e tyre, ne do i falim por me një kusht që të na tregojnë eshtrat e tij që ta varrosim",- shprehet i vëllai i të zhdukurit Nexhmedin Hoxha, duke cilësuar çështjen e tyre si një lojë të politikës qeveritare.
I biri i Remzi Hoxhës, Ardiani, në reagimin e tij akuzon drejtësinë dhe politikën në Shqipëri, se po shpërblejnë kriminelet. "Vendimi i Gjykatës tregon edhe njëherë se sa e brishtë dhe jo e drejtë është drejtësia dhe politika në Shqipëri. Krimineli shpërblehet për krimet e kryera.
Avokatët e "të fshehurit, gënjeshtarit dhe kriminelit", kanë arritur që përkohësisht të gjejnë një hapësirë ligjore, të cilën e ka krijuar qeveria Berisha, për t'i falur kriminelet për krimet e kryera",- theksoi Ardian Hoxha.
Ai paralajmëroi se Ilir Kumbaro dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të lirohen nga përgjegjësia.
Djali i Remzi Hoxhës vë në dukje provat e akuzës, të cilat përveç se kanë provuar se babai i tij është rrëmbyer nga punonjësit e SHIK-ut të asaj kohe, kanë faktuar se i fundit që është parë më të zhdukurin ka qenë i pandehuri Ilir Kumbaro që në proces gjyqësor ekstradimi në Angli drejt Shqipërisë.
"Ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Ilir Kumbaro ka qenë personi i fundit i që e ka pasur "në dorë" babanë tim para se "t'i mbeste në to". Ky vendim, për mua personalisht nuk ka ndonjë peshë të veçantë, përveçse na tregon edhe njëherë se në Shqipëri nuk ka drejtësi të mirëfilltë,- theksoi Ardian Hoxha për "Shekullin".
Ai shprehu bindjen se pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë, ngjarja do të zbardhet dhe autorët do të marrin dënimin e merituar dhe se nuk do ndalen se kërkuari eshtrat e njeriut të tyre të dashur të rrëmbyer nga punonjësit e SHIK-ut në tetor të 1995 në punishten e tij në Tiranë.