E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i PD-së, asnjë analizë apo përplasje idesh

Kuvendi i djeshëm, i mbledhur krejt formalisht, tregoi se PD-ja edhe për të paktën katër vite do të ketë të njëjtën fytyrë, dhe politikë


TIRANË - Fjalime të njëjta me ato të dëgjuara çdo ditë nga foltorja e Parlamentit apo nga selia e kryeministrisë. Akuza për Edi Ramën dhe opozitën, premtime për t'i shkulur dhëmbët mafias dhe për t'i vënë ruspën ndërtimeve nga veriu në jug.


Këtu ishte fokusuar ligjërata e Berishës dhe Topallit në kongresin e IX-të të Partisë Demokratike, një ditë më parë, ndërsa një kongres që mblidhet një herë në 4 vjet bën një analizë dhe bilanc të çdo partie.


Nuk u tha asgjë për rezultatin e 28 qershorit, që imponoi koalicion me partinë e spektrit të majtë, LSI. Nuk u tha dhe nuk u preken një sërë çështjesh të tjera, që kalojnë në analizë për çdo parti në ditën e saj të kongresit. Nuk pati garë për postin e kryetarit të PD-së, nuk pati konkurrim platformash dhe idesh, nuk pati pyetje e për pasojë përgjigje, por vetëm duartrokitje për "njëshin".


Nuk u tha asgjë nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, se pse nuk përmbushi premtimin parazgjedhor se PD-ja do të kishte fitoren e marsit të vitit 1992. Nuk u tha asgjë nga Nënkryetarja e partisë, Jozefina Topalli, se pse ajo në qarkun e Shkodrës nga 9 deputetë, që kishte premtuar, në fakt mori vetëm 7 mes debatesh dhe kontestimesh të mëdha.


Nuk u tha asgjë nga Astrit Patozi se pse në qarkun e Vlorës, ku ai drejtoi punën gjatë zgjedhjeve, PD-ja arriti të merrte një rezultat të dobët thuajse si ajo e vitit më të keq, 1997. Nuk u tha asgjë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, se pse PD-ja doli e dyta pas PS-së për nga rezultati në proporcional.


Në Kuvendin e 9-të të PD-së nuk u tha asgjë. Ishte vetëm një show politik, ku u votua si në kohën e Partisë së Punës. U votua në bllok pa kaluar në detaje për të gjitha ndryshimet e statutit të partisë, dhe po aq u votua formalisht për kryetarin e partisë, pa asnjë kandidat rival.


E konceptuar si një dite feste edhe për themelimin e PD-së, në këtë Kuvend nuk foli askush përveç lidershipit, që pritet të rikonfirmohet sërish. Nuk folën themeluesit (as ata që janë kthyer në PD), nuk foli asnjë i ftuar (nëse kishte ardhur ndonjë). Kuvendi i djeshëm i mbledhur krejt formalisht tregoi se PD-ja edhe për të paktën katër vite do të ketë të njëjtën fytyrë, dhe politikë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›