E Diel, 1 Nëntor 2026

Kënaqësia dhe trishtimi që mbolli një film në Pragë!

Mbrëmë në një nga kinematë me të njohura të Pragës u shfaq premiera e filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder” i regjisorit Milkani. Ishte një nga ato ngjarje që bashkon jo vetëm shqiptarët me njëri-tjetrin por edhe shqiptarët me çekët. Të jem i sinqertë, për filmin kisha lexuar shumë pak, dhe teksa ngjisja shkallët nuk ndjeja ndonjë emocion të veçante, përveçse kënaqësisë që më jepte tek dëgjoja fraza shqip të shkëputura ashtu shpengueshëm. Me një çekishte perfekte, z.Milkani përhapi në sallë atë ndjenjë të bukur dhe shpeshherë të këputur apo të fshehur midis dy popujve tanë. Aktorja çeke Anna Geislerova, Tomas Topfer, Nik Xhelilaj apo Michele Placido i jepnin filmit garancinë e një suksesi të veçantë.

Një film ku përzihej bota rinore shqiptare me atë çeke në vitet ’60, që për çudi kishte pak dallime, ndjenjat e kësaj rinie dhe pasionet për artin, që strukeshin sa herë që përpara iu dilte hija e sistemit. Në film nuk mungonin dhe çastet gazmore të cilat shoqëroheshin me të qeshura në sallë, një gjetje e përkryer kjo e skenaristit dhe regjisorit, pasi nuk mund të shpjegohet ndryshe shpirti i popullit çek.

Në fshatin e vogël ceck, Çeski Shternberk, thureshin të gjitha bashkë: pasioni, ndjenja, nënshtrimim ndaj sistemit, detyrimi ndaj familjes. Një film i cili përgjatë gjithë minutazhit të fal të qeshura dhe kënaqësi, në fund, është po aq i trishtueshëm sa edhe vetë titulli i tij. Të gjithë u larguam të trishtuar nga salla e Lucernes dhe ndokujt nuk i munguan lotët.

*Student në Doktoraturë, Pragë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›