Bëni atë që ju takon në mbrojtje të qytetarëve...!
Është rasti i dytë, në pak ditë, që në Itali ka sulme nga falanga ksenofobësh racistë, kësaj here ndaj balerinit Klejdi Kadiu. Ngjallja e racistëve është frymëzuar nga riardhja në pushtet e Lega Nord, lideri i të cilëve është bashkëpunëtori më i ngushtë i Berluskonit, zotëria për të cilin Kryeministri ynë thotë se e ka shumë mik.
Dhuna ndaj Klejdit, nuk ishte rastësi por e shënjestruar mirë si person publik dhe një nga përfaqësuesit më të denjë të emigracionit shqiptar në Itali. Nëpërmjet tij, jepet të kuptohet që politika italiane e berluskonëve do të jetë represive e do të përshkallëzohet, në rast se shteti shqiptar, Kryeministri, Kryeparlamentarja dhe Kryediplomati nuk reagojnë ashpër e të krijojnë precedent proteste për këtë rast.
Kaq e zënë të jetë Kryeparlamentarja me dhënie leksionesh perëndimorëve për formën magjike të bumit ekonomik shqiptar? Kaq i zënë të jetë Kryediplomati ynë në problemet e Ballkanit apo më gjerë, si dhe efektet që mund të ketë ndryshimi apo jo i emrit të Maqedonisë? Kaq i zënë të jetë Kryeministri ynë me përurimet e veprave madhore që ja kanë ndryshuar faqen Shqipërisë?
Nuk gjejnë kohë të bëjnë minimumin e minimumeve, në qoftë se do të duan të konsiderohen partnerë të barabartë; atë të një telefonate, të një note proteste apo të thirrjes së ambasadorit italian që situata të mos përkeqësohet? Lëreni politikën e madhe, se jeni shumë të vegjël. Bëni atë që ju takon, në mbrojtje të qytetarëve tuaj.