E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këndonjësvet

“Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të bëjmë?”, një nga veprat më të rëndësishme të mendimit shqiptar të shekullit XX, Mit’hat Frashërit, botohet nga Instituti i Dialogut dhe Komunikimit. Të botuara fillimisht në formë artikujsh nga Lumo Skëndo dhe që siç dihet, ishte pseudonimi që përdorte Mit’hat Frashëri, më pas, në vitin 1924, u përmblodhën në formë libri nga botuesi Kristo Luarasi, me titullin domethënës “Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të kemi?”. Një libër që asokohe bëri mjaft bujë e ngjalli mjaft diskutime. Më poshtë është shkëputur një pjesë nga hyrja e librit

Këndonjësvet

Nukë munt ta mohojmë se Shqipërija jonë gjendetë sot në një situatë delikate, të vështirë. Ankimet janë të shumë dhe çdo njeri pandeh se diagnostikon sëmundjen dhe gjen ilaçin duke u ankuarë; kujton se qarja e shëron lëngatën. Kujdesi më i parë i atyreve

që shohin të keqen dhe rrezikun, ka qenë qysh të ngarkojnë dokë me faj. Pandehin se me këtë mënyrë çduketë e liga dhe shpëton vëndi. Të tjerë gjendenë që as mejtojnë fare, as shohin, se nuk shikojnë.

Artikujt që po pasojnë s’janë as për të parët, as për të dytët. Janë shkruarë vetëm për ata që shikojnë, që vënë veshin të dëgjojnë, që duan të lodhen, të kupëtojnë përgjegjësinë e tyre personale.

Qarja më e madhe sot në Shqipëri është prej situatës ekonomike, nga shkuarja dhe rrojtja që u bë fort e rëndë. Varfërija që mbretëron sot në vëndin tënë s`është një sëmundje më vete: është shënja, simptoma e një lëngate më të madhe, mbase dhe e shumë sëmundjeve.

Pa diturë shkaku, pa gjeturë rrënjën, nuk munt që t`i heqim një mur së ligësë.

Faji më i madh, burimi i kësaj që vuajmë, është se, kushdo prej nesh j`a heth fajin tjatrit; as kush nukë do që të marrë një përgjegjësi përsipër. E pret nga tjatrë kush ndreqjen e të metave, shpëtimin prej çdo pësimi.

Bëjmë sikur harojmë që Shqipërija është shtëpija jonë dhe që ne vetë do t`a ndreqim dhe t`a vëmë jashtë valëve të shtërgatësë.

Shqipërija, sot vëndi më i varfëri i dheut, është dhe ay më i shtrënjti, ku jetesa kushton më tepër se tekdo gjetkë. Burimet e fitimit po rrinë të mëshelë, ku se nga çdo anë shpenzimet gjejnë rëke të ra.

Gjithë vuajnë dhe qahenë. Po kujtojnë se një fuqi e huaj, një krah prej qielli, do t`i nxierë nga e keqja. Të dy krahët e vetë s`i mejton kush. U pëlqen më mirë të eksploatojnë një të tretë, se sa të pshtetenë mbi fuqin e tyre personale.

Shtrenjtësi e jetësë na bën të vuajmë, se rrojmë keq, dhe me shum` mundime. Dhe s`mejtojmë cilin burrim prej pasunivet që ka dheu ynë duhet që të përdorim.

Shqipëtari, thonë, rron me bujqësinë dhe bagëtinë. Unë do të shtonj një mjeshtëri të tretë: Kurbeti.

Që të shpëtojmë nga varfërija duhetë që të harrojmë kurbetin, të pakësojmë “çobanllëkun”, të shtojmë bujqësinë. Duke u liruarë buka do të lirohet dhe jeta.

Vëndi qahetë nga mungesa e tregtisë, gjë fort e naturshme me qënë se Shqipëtari sot nukë ble asgjë, nukë shpenzon as një ovull. Shqipëtari nuk harxhon, se nuk fiton. Nukë fiton se nuk e ndien nevojën e një jete të ëmbël; pra nuk punon.

Kur të punojë “robi” dhe të begatohet, atëherë do të zërë të zhvillohetë dhe industria, pa të cilën nuk munt të kemi kurrë një prehje ekonomike.

Po Shqipërija vuan prej një lëngate më të madhe që po i brin eshtërat: popullimi. Ne kjo e gjej rezikun më të math që na ka hipurë mbi krye, që na kanoset ekonomikërisht dhe politikisht, se po shkakton dobësin tonë materiale dhe morale.

Të shtuarët e popullsisë është për neve një çështje jete; me të tetë-qind mijë e ca banorët që kemi sot, jemi duke formuarë vëndin më të varfër dhe shtetin më të dobët të dheut; në mos i dhënshim kësaj çështjeje impotencën që meriton, pritmi ynë me të vërtet vizatohet në ngjyra të errëta.

Çështja kaq importente dhe vitale e popullëzimit është lidhur me atë të shëndetësisë dhe të shoqërive bamirse, më teprë akoma me krijimin e shoqërivet të gravet. Në qoftë se nukë zgjojmë mëmën, djalin e kemi dënuarë për vdekje.

Që të shpëtojmë prej greminës dhe të sigurojmë një lumtëri, duhet të këqyrim plagën tënë drejt për drejt, të interesohemi, të përpiqemi, të reaktojmë.

Po rrojtja e një populli, mbajtja dhe lulëzimi i një kombi, i një Shteti, s’është vetëm me mjete materiale; kërkon dhe një shumicë kondita morale, një fuqi të mëndjesë dhe të shpirtit, që sigurojnë përparimin dhe qytetërimin, që e bëjnë ate komb dhe ate Shtet të zërë një vënd të ndershmë në shoqëritë e sotme. Fuqija morale dhe shpirtënore është ajo që siguron edhe pushtetën materiale, mirëshkuarjenë fizike.

Në këto të paka faqe kam radhiturë një diagnostik. Si çdo plagë, edhe tonatë shërohenë. Dëshëronj që, kur të bierë kjo broshurë në duart e këndonjësvet, plagët tona të jenë vetëm një kujtim. Çdo njeri që rron detyrohet të shërojë trupin e tij.

Ilaçi është aktiviteti material dhe moral.

Aktiviteti është puna, dhe puna bëhetë me vullnet dhe me dashje.

Puna s`është shorta e një njeriu, e një palë të njerëzve: është pjesa e të gjithëve.

Ftonj këndonjësit e mij të kupëtojnë mirë barën që u bie: të mos e pandehnjë askush vetëhen e tij lark çështjesë; flas për të gjithë.

Të lutem edhe ty, e dashurë këndonjëse, të meditosh mbi detyrën e madhe që ke, mbi shërbimin e math që munt të bësh.

Çdo Shqipëtar gjendetë sot përpara gjykatores së historisë. Historija po na gjykon: në mos patmë fatin të jemë stërniprë të lumturë të stërgjyshëvet fatosë, kemi detyrën të përpiqemi që të bëhemi, ne vetë, stërgjyshër të ndershëm për nipët tanë.

19 Prill 1924

L.S.

“Plagët tona”, në treg një nga botimet më të guximshme të Mit’hat Frashërit

“Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të bëjmë?”, një nga veprat më të rëndësishme të mendimit shqiptar të shekullit XX, Mit’hat Frashërit, botohet nga Instituti i Dialogut dhe Komunikimit. Të botuara fillimisht në formë artikujsh nga Lumo Skëndo, dhe që siç dihet ishte pseudonimi që përdorte Mit’hat Frashëri, më pas, në vitin 1924, u përmblodhën në formë libri nga botuesi Kristo Luarasi, me titullin domethënës “Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të kemi?”. Një libër që asokohe bëri mjaft bujë e ngjalli mjaft diskutime. Por që, edhe pse që atëherë kanë kaluar kaq shumë vjet, vazhdon të mbetet i rëndësishëm dhe aktual, duke na ofruar me një guxim e qartësi intelektuale të lakmueshme, mundësinë për të njohur më mirë veten e njëkohësisht shpjegimin e disa prej arsyeve që s’na lënë të bëjmë përpara. Mit’hat Frashëri është autori i disa prej veprave të çmuara, ndër të cilat janë: “Naim bej Frashëri, kujtimi mbi të ungjin” (1901), “Bëj mirë pa hidhe në det” (1902), “Dhe tregonje” (1902), “Shkurtabiqi i verdhë” (1914), “Rilindja e Shqipërisë” (1918), “Albanais et Slaves” (1919), “Mosmarrëveshjet shqiptaro-serbe” (1921) etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›