E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këndvështrimet e ndryshme mbi Sirinë

20-12-2012 / Nga Ilirian Dahri

Situata është me të vërtetë e rënduar dhe si rrjedhojë kanë filluar të shtohen akoma dhe më shumë armatimet dhe anijet luftarake në Mesdhe. Këtë herë janë rusët që kanë dërguar pesë anije në bregun sirian. Janë anije luftarake që shkojnë të zëvendësojnë ato të Flotës të Detit të Zi që ndodhen në rajon që prej muajit nëntor. Mediat ruse flasin se do kenë një mision të vështirë, atë të shpëtimit të qytetarëve rusë që ndodhen në Siri, por zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse ndalet vetëm në aspektin e anijeve luftarake që po udhëtojnë drejt Sirisë. Jemi afër përfundimit të regjimit të Assad-it? Më në fund nuk do të ketë më vrasje civilësh? Do të gjejë më në fund paqen  rajoni? Gjithçka është e lidhur me këndvështrimin e situatës Dy vende të cilat e shikojnë situatën nga këndvështrime të ndryshme janë padyshim Turqia dhe Irani. Dihet tashmë se presidenti iranian Ahmadinexhad mbështet, madje fuqishëm Bashar Assad ndërsa Turqia mbështet rebelët që janë ngritur kundër diktatorit sirian. Nisur nga kjo lloj ndarje dy liderët nuk janë takuar me njëri – tjetrin. Ka qenë një lajm i Rusia today që ka informuar se takimi mes tyre nuk është zhvilluar. Takimi nuk është kryer dhe Ahmadinexhad ka akuzuar Naton që me vendosjen e Patriot në Turqi po vendos bazat për luftën e tretë botërore. Historikisht Irani ka mbrojtur shizmën militante të vendosur që prej vitit 1500 në Persi nga safavidët që ishin një dinasti turke ndërsa aktualisht Turqia është një emblemë e rizgjimit sunit. Por ka edhe më tepër,  sepse  turqit ndërkaq blejnë gazin iranian dhe në të njëjtën kohë ka edhe shumë firma iraniane që janë të regjistruara në Dhomën e tregtisë të Stambollit ku vlen të theksohet se jetojnë 1 milion persianë. Kanë luftuar kundra njëri – tjetrit prej kohës së perandorisë otomane dhe të asaj persiane por sidoqoftë kanë shkëmbyer kulturën e tyre duke marrë shumë edhe nga historitë e njëra – tjetrës. Por aktualisht një urë lidhëse shumë e fortë është Islami ku dy popujt ai Persian dhe ai turk kanë gjetur një tjetër lidhje të fuqishme. Gjithsesi kanë gjuhë që janë të degëve të ndryshme, kanë rite fetare të ndryshme. Por kanë edhe ura lidhëse.  Por takimi mes dy liderëve do të kryhej në Konya, që cilësohet edhe si atdheu i dërvishëve një vend ku në vitin e largët 1273 Alal al Din Rumi ndahej nga jeta, një poet i njohur Persian, mjeshtër i sufizmit. Dy ishin ngjarjet shpirtërore shumë të rëndësishme për jetën e Rumit. Takimi në Persi me Shams Tabriz, Dielli i Tabriz dhe njohja në Damask me Ibn Arabi, një mendimtar i madh ndër të parët që ngriti teorinë e qënies. Rumi arriti që të lidhte në mënyrë të mrekullueshme entuziazmin mistik të Tabriz me inteligjencën e Ibn Arabit. Në këtë qytet ku do të takoheshin dy liderët, Rumi krijoi rreth 30 mijë vargje dhe 4 mijë strofa mes të cilëve spikat padyshim libri i famshëm Divani i Tabrizit një poemë e konsideruar e rëndësishme pothuajse si Kurani në gjuhën persiane. Por Rumi u bë i famshëm në të gjithë botën me ceremoninë e dërvishëve që në vitin 2007, filloi të mbrohej edhe nga Unesko.  Por duke lënë mënjanë  lidhjet e forta historike dhe kulturore dy vendet tashmë duket se janë në dy kahe të kundërt dhe më tepër se kurrë janë të pozicionuar kundra njëri -tjetrit. Edhe në takimin që dy liderët patën kryer në muajin tetor u fol gjërë e gjatë për Sirinë. U takuan për rreth një orë përgjatë takimit rajonal të Bakut në Azerbaixhan dhe asokohe dy liderët arritën të gjenin pika të përbashkëta. Në fakt të dy vendet ishin dakord për të evituar  gjakderdhjen në Siri. Asokohe mediatori ndërkombëtar Lakhdar Brahimi kishte vajtur në Teheran me qëllim për të  kërkuar një armëpushim mes palëve.  Ndoshta Brahimi ishte personi i duhur sepse më kot, Kofi Annan kishte folur me palët gjithsesi pa arritur në asnjë lloj marrëveshje. Ahmadinexhad kishte folur edhe me Erdoganin i cili nga ana tjetër në tetor kishte dërguar trupa të shumta në kufirin turk pas mortajave që mbërrinin në tokën turke. Moska kishte propozuar ndërkaq një komision dypalësh për të kontrolluar incidentet e mundshme në kufi. Sirianët e Assad –it kishin pranuar ndërsa Ankaraja jo. Sipas këtyre të fundit nuk kishin marrë një propozim formal. Por edhe me perëndimorët nuk ishte një situatë e lehtë për Turqinë madje pas toneve të forta luftarake të Turqisë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Ankara kishte deklaruar se Washingtoni nuk besonte në një konflikt mes Turqisë dhe Sirisë dhe sipas tij “ne nuk shikojmë mundësinë e një lufte”. Gjithsesi amerikanët pas ofensivës së qeverisë siriane që kërkonte të merrte kontrollin e Maaret al-Nooman, që ndodhet mes autostradës së Damskut dhe Alepos, dhe pas shtimit të viktimave  filluan të hyjnë në skenë duke dërguar agjentë të tyre në Turqi dhe në pjesën kufitare mes dy vendeve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›