E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kënga e Pirro Çakos, ekspertët: Ja ku e ka vjedhur Pinkun

TIRANE-Prej disa ditësh në mediat e shkruara shqiptare është ndezur debati mbi njërën nga këngët pjesëmarrëse në festivalin Kënga Magjike, e kompozuar nga kantautori Pirro Cako. Kënga "Botën do ndryshoja" e kënduar nga Besa Kokëdhima, supozohet se është një kopje e hitit të famshëm botëror "Fuckin prefect" të kënduar nga Pink. Sapo kënga u transmetua për herë të parë tek e "Diela shqiptate", në rrjetet e ndryshme sociale dhe në youtube kanë qenë me qindra ata që kanë bërë komente, pasi vijën melodike të këngës së Besës e kishin gjetur të njëjtë me atë të këngës së Pink. Më pas gazetarët kanë investiguar, të ndihmuar edhe nga ekspertët e muzikës, dhe kënga ka rezultuar me gjithë mend e kopjuar në pjesën më të madhe të saj. Në fakt, pa bërë shumë teori dhe filozofira, një këngë krijohet që të dëgjohet dhe pëlqehet nga publiku. Nëse ky e fundit e gjen atë një kopje të një kënge tjetër, sepse melodia i ngjan, nuk ka ekspertizë shkencore që ti bindi për të kundërtën. Megjithatë autori i këngës Cako ka preferuar që të flasë me partitura duke publikuar të dyja këngët tek gazeta Shekulli me notat përkatëse, në mënyrë që sipas tij të gjithë të shohin se këngët nuk janë njësoj. Këtu tani futemi në një fazë tjetër të debatit që është shumë interesante. Çako partiturën e Pink e ka shkruar ekzakt, pra duket që e njeh shumë mirë, por nëse merr partiturën e shkruar prej dorës së tij, pra të këngës së Besës, dhe ulesh ta luash në piano, kënga nuk na del njësoj. Të ketë qenë rastësi thua që ai e ka shkruar gabim partiturën apo e ka bërë me qëllim që partitura e tij të largohet sa më shumë nga e ajo e këngës së Pink? Në vijim të diskutimit profesional, ne kemi kërkuar ndihmën e një studio muzikore e cila ka bërë krahasimet mes dy këngëve. Ja cilat janë mendimet e ekspertit...

1 - Kënga "Botën do ndryshoja" që ne kemi dëgjuar nga Besa është në fa major, ndërsa partitura e publikuar nga Çako është në do major. Pra ai ka transportuar këngën në partiturë dy tone e gjysmë më poshtë që të largohet sa më shumë nga versioni i Pink.
2 - Çako ka ndryshuar strukturën ritmike por notat janë shumë të ngjashme me njëra tjetrën.
3 - Besa nuk hyn në batere por në levare (kur hyn në masë të paplotësuar) ashtu si Pink.
4 - Në fillim të orkestracionit, pavarësisht se Besa hyn me kitarë dhe Pink me piano, përsëri fraktura ritmike e instrumentit është e njëjtë.
5 - Strofa e Pink është tetë masa në kohën 4/4, ndërkohë që edhe kënga e Besës është po njësoj.
6 - Edhe brigi (para refreni) zgjat gjithashtu tetë masa dhe siç hyn ritmi tek Pinku ashtu hyn dhe te Besa.
7 - Refreni i këngës së Besës është me po të njëjtin ritëm dhe harmoni si ajo e Pink. Në çdo fund mase të strofës është përdorur fraktura ritmike tetëshe me pikë me gjashtëmbëdhjetëshe e njëjtë me atë të Pink.
8 - Fillimi i refrenit në partiturën e botuar nga Çako nuk është njësoj me atë të këngës, pra krahas ndryshimit të tonalitetit, ka dhe ndryshime notash në partiturën e botuar dhe kjo mendojmë se është bërë me qëllim.
9 - Të gjitha këto që thamë më lart janë sqarime për një publik që ka shkollimin e duhur për muzikë dhe falë zotit nuk janë të paktë dhe e dinë mirë se të gjitha këto janë arsye të mjaftueshme për ta quajtur një këngë të kopjuar. Ndërsa për njerëzit e thjeshtë këto nuk kanë pikë vlere, për ta thjesht kënga e kompozuar nga Çako iu duket si ajo e Pink dhe nuk duan as partitura dhe as ekspertizë.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Kënga e Pirro Çakos, kopje e hitit të Pink VIDEO: Ja kënga e Pink-ut e kopjuar nga Pirro Cako

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›