E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, procesi në "ngërç"!

Seancat që nisin zakonisht në orën 10:00, zgjasin vetëm pak minuta dhe mbyllen duke caktuar seancën e radhës.

Shtyrja u bë me kërkesë së avokatit Mihal Delijorgji. Shkak është bërë pasi avokati i Delijorgji ndodhej në një proces tjetër gjyqësor, atë për ekspertizën e video përgjimit Meta-Prifti. Më 17 tetor nisi leximi i pretencës prej 500 faqesh nga ana e prokurorisë për të 29 të pandehurit e kësaj çështje, por leximi ka mbetur peng i shtyrjes së seancave të njëpasnjëshme, herë për shkak të avokatëve e herë për mungesën e ndonjë gjyqtari.

Seanca e radhës u la për të martën në të njëjtën orë. Në pjesën e parë të pretencës, organi i hetimit bëri me dije se të pandehurit me dashje kanë organizuar çmilitarizimin duke shpërfillur kushtet e sigurisë, me dashje kanë furnizuar për çdo ditë me rreth 150 tonelata municione ish-repartin e tankeve dhe me dashje po ashtu kanë shfrytëzuar për qëllime përfitimi edhe punonjës të strukturave shtetërore, aktualisht edhe këta të pandehur. Prokurorët deklaruan dëmin ekonomik të dhjetëra banesave e bizneseve private të shkatërruara nga shpërthimi tragjik, i cili kap vlerën e 2 miliardë e 123 milionë lekëve, si dhe 102 milionë lekë për objektet publike.

Prokurorët kujtuan sërish se në Gërdec ndodheshin 1067 tonelata barut i vulosur në konteinerë, 286 mijë djegore dhe 4833 tonelata predha. Mesa u pa, prokurorët e kishin rënduar pozitën e Pinarit, Minxollit, Delijorgjit dhe Ngjeçit, të cilëve u atribuohet akuza e “vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim” kundër 26 personave dhe duke rrezikuar jetën e shumë të tjerëve. /Start/

                                                                                             2011-10-31 10:45
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›