Kënga kuja vajtimtare ku-ku-mjau e kukumjaçkës në Ditën e pestë të Krijimit
(Në magazinën e në inventarin e gjuhës shqipe ekzistojnë rrënja/etimoni imitues nga britma origjinale e kukumjaçkës dhe dy kompozita fjalëformuese me kronologji tepër të lashta!). Ndër tablotë e famshme të piktorëve të Rilindjes Evropiane, me bazë tregimin biblik, krahas Adamit, Evës, djallit antizot, gjarprit që shpejton të fshihet në një ferrë dhe të shumë
çifteve të kafshëve e zogjve të tjerë, ka edhe një tablo, ku në një cep dhe në një degë ekstreme të një peme pothuajse të thatë, shohim edhe zogun vajtimtar. (Tablo e piktorit Jan Bruegel, The Garten of Eden, e vitit 1620). Ky zog, i cili sipas shumë bestytnive popullore të popujve të ndryshëm e parandjell dhe e parathotë të keqen, në gjuhën tonë shqipe quhet kukumjaçka, kukuvajka, kukuvajka ose edhe më shkurt si kuke/qyqe. Kjo kukumjaçka e kësaj tabloje, prej kohësh më kishte tërhequr vëmendjen, po ashtu siç më kishte tërhequr vëmendjen edhe shikimi aq ëmbëlsor e thellësisht lakmitar, me të cilin djalli, (i konceptuar si një tip humanoidi-majmunoidi me bisht), e vështronte Evën, në një tablo tjetër. (Hugo van Goes. The Fall of Man, 1470) Kisha një farë dijenie se në artet e rafiguruara të bazorelieveve e të pikturës, asiro-babilonase, egjiptiane dhe greke, gjendeshin edhe variante të hershme me Pemë Krijimi e Kopshte Parajse, mitologji me zogun kukuvajkë etj. Duke e rivështruar tablonë e Bruegel, krahasuar edhe me disa monedha greke me pamjen e kukumjaçkës A?E/Athinasë, Perëndeshës së Urtësisë, më vinte ndërmend një farë urtësie e kombinuar me një lloj pafajësie të shtirur, një shikim i humbur me qafën pak të mënjanuar, a thua se nuk i interesonte asgjë nga bota përreth të kësaj kukumjaçke, kështu formova një ide se, kukumjaçka e zanafillës e kishte kënduar këngën/kuku-në e saj vajtimtare paralajmëruese paksa më përpara se të ndodhte ai akti fatal i ngrënies së frutit të ndaluar dhe tashti po priste gjahun e vet. Duke e krahasuar emërtimin e këtij zogu në disa gjuhë ndryshme (si kukavica nga sllavët apo si çiveta nga italianët etj), unë arrita në një mendim se në gjuhën tonë emërtimi i këtij zogu si kukumjaçka dhe në variantin kukuvajka/kukavajka është më i qartë, sepse ai bazohet në imitimin e vetë zërit origjinal ku-ku-mjauuu, që nxjerr ky zog. Për më tepër emërtimet tona fjalëformuese kanë një kuptim që lidhet edhe me konceptime e ngjarje konkrete. Kështu, shkrova, njëfarë mini-tregimi, me njëfarë stili dhe simbolike pikante, të cilin po jua tregoj edhe ju.
Kjo ngjarje ndodhi në ditën e pestë të krijimit, në perëndimin e diellit, kur sapo ra muzgu, diku atje rrëzë atij Burimit të Vetvetishëm, i cili buronte dhe rridhte vetë edhe më përpara se sa Zoti të jepte Urdhrin për zbrazjen e ujërave qiellore në Tokë. (Zanafilla, 2, 7) Ndër sa e sa zogj fluturakë Zoti krijoi edhe një çift kukumjaçke. Kështu pra, ende pa u krijuar njeriu i parë Adam/Adem dhe bashkëshortja e tij Eva/Hava, në planetin Tokë, zanafilloi edhe Kënga e Kukumjaçkës. Ajo këndoi tre herë kukumjau. Ishte një këngë, që paralajmëronte diçka të keqe, ishte muzika e parë makabër, që paralajmëronte gjahun e saj të parë si një sakrifikim për zanafillën. Mjerë ajo krijesë që do të përfundonte në sytë e saj errësirë shikues-shpues, në thonjtë çaponj ngulës dhe në sqepin shqyerës. Sigurisht se nuk e dimë se çklithmë proteste lëshoi ajo qenie e parë që ra viktimë, nuk e dimë nëse kishte qenë mashkulli apo femra, nëse e kishin kryer aktin e parë seksual të çiftëzimit, nëse mbijetuan apo u zhdukën përfundimisht vetëm me një ditë jetë. Të nesërmen, në ditën e gjashtë të krijimit, në muzg, këtë këngë dhe klithmën pasuese thuhet se e dëgjoi edhe Adami.
Meqenëse Zoti e kishte caktuar Adamin/Ademin si një sundues-zotërues dhe si një zëvendës të tijin në planetin Tokë, lindi nevoja që zëvendësi ti njihte dhe ti emërtonte e regjistronte të gjitha qeniet e gjalla. (Bibla, Zanafilla, 1, 26; Kuran-i, El Bekare 30 etj) Kështu Zoti, sipas një rendi dhe radhe, i solli te Adami të gjitha krijesat për ti prezantuar e për ti emërtuar. Kur i erdhi radha kukumjaçkës, Adami e pyeti Zotin se çfarë zëri mund të lëshonte ky shpend dhe kur e mori përgjigjen u befasua sepse e njohu menjëherë atë zë, ku-ku-mjauu. Kështu e emërtoi si kukumjauu dhe si kukumjaçka. Në disa raste të vështira, sidomos kur kafshët ishin shumë të mëdha dhe të rrezikshme, vetë Zoti ia prezantoi dhe ia mësoi disa emërtime të tyre Ademit. Më në fund, kur Zoti u bind se ai i kishte përvetësuar shkëlqyeshëm, u sigurua dhe u mburr madje me një provim përpara të gjithë engjëjve, se sa mirë i mbante mend dhe i kishte magazinuar në memorien trunore, qenia e tij e re Homo Sapiens. (Bibla, Zanafilla, 2, 19-20; Kuran-i, El Bekare, 30, 31, 33) Shumë ditë më vonë, duke dëgjuar gjithfarë cicërimash të mrekullueshme dhe një kakopolifoni ulërimash, në klimën subtropikale të Kopshtit të Edenit, gjatë një shëtitje, çiftit njerëzor i ra në vesh, një këngë. Sapo këndoi tre herë kukumjauu, kukumjaçka, Adami i tha Evës:
-Uuuu, këndoi tre herë zogu kukumjauu, kukumjaçka!
-Po ti nga e njeh dhe nga e di, që quhet kukumjauu ose kukumjaçke?!
-E kam emërtuar vetë, pa u krijuar ti akoma si një klone nga ajo brinja ime. Wshtë një zog i vogël dhe emërtimin tim, në bazë të imitimit të zërit që nxjerr ky zog, ma ka aprovuar edhe vetë Zoti.
-Kjo britmë, edhe mua më duket si kukumjauu, një bashkim i një bashkëtingëllore k me zanoren u, që japin një ku-ku forte, të pasuar nga një mjauu therëse ku u-ja shuhet shpejt. Po përse ia ke ngjitur edhe këtë nofkën shtesë si mjaçka, sepse, mund ta kishe quajtur vetëm si zogu kukumjau?
-Po ja, ia kam ngjitur sepse ajo mjauu i përngjiste edhe një mjaullime të një kafshe të vogël me katër këmbë që quhet maçka-mace, e cila hante edhe ajo si kukumjau një kafshë të vogël që quhet mi ose minuk. Pra e bëra edhe për një efekt krahasues, për një ngjyrosje përkëdhelie, me një formë diminutive. Zoti e pëlqeu shumë këtë biemërtim, por edhe qeshi diçka me ironi
Ata e imituan disa herë kukumjaçkën, duke iu përshtatur edhe tonalitetit. Ata nuk shihnin në atë fazë dhe nuk ishin në gjendje ta përcaktonin, se çfarë pamje konkrete kishte ky gjallor zog.
Dhe ndodhi fataliteti i mëkatit të parë. Ata i gënjeu shejtani dhe Treneperka=666 dhe hëngrën nga fryti i Pemës së Dijes së Mirë dhe të Keqe. Për shkak të vetive jashtëzakonisht të rëndësishme dhe unikale që kishte në të gjithë Universin, kjo pemë molle kishte edhe disa emërtime të tjera, si përshembull quhej edhe si Pema e Mesit të Kopshtit të Edenit, Pema e Pavdekësisë. Po të cënohej njëherë ajo thahej dhe nuk mund të mbillej kurrë më në tokë. Ata e hëngrën Mollën e Ndaluar, hipën dhe e bënë atë zullumin edhe sipër në pemë dhe ia shkundën komplet kokrrat e saj në tokë. Kështu, siç i kishte paralajmëruar vetë Zoti, ata nga njerëz të pavdekshëm u kthyen në njerëz të vdekshëm. Zoti pafundësisht i prekur dhe i zëmëruar njëkohësisht, ia komunikoi vetë personalisht Adamit, Evës dhe gjarprit, dënimet e formës së pakthyeshme për fajin e madh që kishin kryer. Gjarprin e dënoi të qëndronte përjetësisht zvarrë mbas barkut. Çuditërisht Zoti nuk e dënoi djallin, megjithëse aso kohe e kishte në dorë ta shuante atë dhe tërë farë e fisin e tij! Zemërimin më të madh Zoti e kishte për mollën dhe jo se Eva e kishte humbur cipën e virgjërisë. Edhe, siç thonë se, çdo e keqe e ka edhe ndonjë të mirë, ose nuk vijnë të gjitha të këqijat për ne, Adamit dhe Evës tashti i ishin hapur sytë, ata shikonin. Çuditërisht, ata shikonin edhe nga sytë, por edhe nga mendja.
Dhe kështu në një ditë të bukur, vunë re se ajo kënga-muzika ku-ku-mjauu e ripërsëritur disa herë, i përkiste një zogu kokërrumbullakët, me dy sy të ndezur të rrumbullakët dhe me një sqep të vockël, i cili rrinte i vetmuar nëpër disa zgëqe të fshehta. Në pamjen e parë e morën për një lloj torollaku gazmor, por pak më vonë ata konstatuan se kjo kënga e tij ishte një këngë makabre që paralajmëronte një vdekje të sigurtë, bile edhe pamja e tij tashti ishte një trishtim i frikshëm. Ai hante zogj të vegjël