Momente të forta të të jetuarit

Artisti Artan Shabani tregon për ekspozitën "The Beatles Yeah! Yeah! Yeah!" të hapur këto ditë në Piemonte. Vitet '70 në Shqipëri, besimi i brezit të tij tek ndryshimi, të lidhura me Beatles-at e muzikës. Artisti jep edhe një opinion për artin që prezantohet sot në galeritë e vendit ku ka emigruar
Fotografi të Beatles-ave në rrugë, në koncerte, në studiot e regjistrimit, në ambiente private me të dashurat, fotografi me mbretëreshën Elizabeta II në "Buckingham Palace" në vitin 1965. Krah tyre tekste në gjermanisht dhe shqip, informacion për arritjet e Beatles-ave në muzikë, disqeve më të shitura, pak nga lavdia e grupit legjendë të rrokut, që bëri jehonë në Anglinë e viteve '60-'70 dhe në botën mbarë. Këtë arkivë personale artisti shqiptar Artan Shabani e prezanton këto ditë në galerinë "Alexander Alvares Contemporary Art", Piemonte. Fotografitë janë realizuar nga një fans i Beatles-ave, Astrid Kirchherr.
Ekspozita e hapur deri më 6 mars, mban emrin e një kënge të Beatles-ave, "The Beatles Yeah! Yeah! Yeah!". Shabani ka shprehur me art nostalgjinë e tij për vitet '70, një kohë e vështirë për të dhe brezin e tij, por edhe plot shpresë, besim për ditët që do të vinin. Kjo liri, në kujtesën e artistit, është e lidhur me Beatles-at dhe muzikën e tyre.
"Është e natyrshme që artisti pikturon dhe dokumenton jetën e vet, subjektivitetin personal", shpjegon ai rreth konceptit që ka pasur për ekspozitën. Ai ndalet edhe tek teknika me të cilën ka realizuar punët, nostalgjinë që e ka mbërthyer në momentet e tij të krijimit dhe mesazhin që kërkon të përcjellë me artin e tij: rivitalizimin e artit aktual. Në fund të bisedës, një opinion për shijuesin italian të artit, vendi ku ai emigroi me valën e parë të emigrantëve shqiptarë pas nëntëdhjetës.
Përse në këtë moment një ekspozitë për Beatles-at?
Momenti është surprizë e krijimit mbasi shpesh nuk është i kalkuluar. Gjatë kësaj kohe kam prezantuar një projekt për murin e Berlinit në Milano, Siçili, Paris dhe mendohet të prezantohet dhe në "Promenade Gallery", Vlorë. Ky projekt në vetvete mbart momente të forta të të jetuarit nga periudha para viteve '90, sigurisht dhe nostalgji, mbi të gjitha atë njerëzore.
Në atë periudhë shpesh ndodhte që muzika dhe këngët e Beatles-ave ishin një spirale lirie, veçanërisht në ambientet rinore. Për këtë arsye vendosa të prezantoj një cikël me kolazhe të realizuara gjatë vitit 2009-2010. Momentet e para janë rezultati i shfrytëzimit të materialeve arkivore dhe të ripërpunuara në kujtesën time, ndërsa fotografia përfaqëson vet aktin e vëzhgimit dhe lëvizjen apo aksionin që lidhet në harmoni me stilin tim.
Kam nisur punën me disa tekste në gjermanisht e shqip të marra nga një libër i publikuar në Shqipëri në vitin '91. Janë shfaqur kështu vitet, të cilat i trajtoj përmes çelësit aventuresk dhe romancës. Të evokosh "Bitëllsat", do të thotë të ngjisësh në skenë simbolin e rebelimit, por në sensin jomilitar dhe pacifist. Është si një përpjekje që kryhet për të rivitalizuar sistemin e artit aktual.
Çfarë përmban ekspozita?
E kam pagëzuar me titullin "The Beatles Yeah! Yeah! Yeah". Është një këngë e grupit anglez, ndërsa imazhet e punuara janë me ndërhyrje piktorike, imazhe fillimisht të realizuara nga një fans i tyre, Astrid Kirchherr tek "Ditë në Hamburg", si simbol i lirisë, dëshirave, besimit të njerëzve tek shpresa.
Një lloj nostalgjie për një kohë të vështirë, por të mbushur me shpresë dhe dëshirë për ndryshim. Ky projekt vërtitet rreth kujtesës së dyfishtë, nga njëra anë vështirësitë në kohën e diktaturës dhe në krahun tjetër, shpresa, e shprehur në përjetimin e muzikës së Beatles-ave.
Çfarë thoni nëpërmjet tyre tekstit fotografive?
Tekset janë të natyrës "dokumentuese", shpesh kam ndeshur ekspozita të alestuara vetëm me tekste dhe ky nuk është fenomen i ri në art. Shpesh mbi tekste unë vizatoj ose ndërhyj me penarel ose tempera, dhe e kundërta ndodh në pikturë ku ndërhyj me tekste mbi sipërfaqe të pikturës.
Një ndër ekspozitat të cilat kujtoj ishte "Ubi Sunt" e Ervin Hatibit, në të cilën prezantohej pikturë dhe tekste-kaligrafike, ishte si të lexoje një libër të pikturuar ose të shikoje një pikturë të shkruar.
Ç'raport keni me këtë kohë, me Beatlesat, me muzikën e tyre?
Sigurisht brezin tim të viteve '70 e lidhin shumë gjëra, muzika ishte ritmi që brezat vibrojnë energjinë e tyre dhe shpesh ndodh secilit prej nesh që kur hasim ndonjë këngë të "vjetër" na lidh me një ose shumë ngjarje të jetuara, kjo është dhe një kujtesë ose nostalgji. Grupi anglez për disa gjenerata ishte ikonë lirie dhe shpresë për ndryshim.
Është e natyrshme që artisti pikturon dhe dokumenton jetën e vet, subjektivitetin personal. Arti ka dimensionin e vet në univers prandaj dhe artisti vizual nuk kërkon të bëjë tjetër gjë gjatë jetës së vet, por mundohet ta kuptojë dhe ta ndihmojë këtë botë të shfaqet sa më natyrshëm.
Si u prit nga vizitori?
Publiku italian i galerive shpesh i dorëzohet rutinës dhe shpesh ekspozitat që shohim në Itali janë "trendy" dhe bëhen një lloj gossip i momentit. Për Beatles-at kisha idenë që të prezantoja një ekspozitë që të ishte e qartë për mesazhin dhe autentike si ide. Ekspozita po vizitohet jo vetëm nga publiku italian, po dhe ai shqiptar në Piemonte.
Mund të them që shtypi italian e ka dokumentuar mjaft mirë dhe në mënyrë profesionale këtë ekspozite, psh, "Flash Art", "Mousse Magazine", "La Stampa", "Giornale il Piccolo", "La Repubblicca", "Expo Arte", "Exibart" etj.
Në Itali janë shumë gazeta dhe revista të cilat jetojnë me sistemin Art, kurse në Shqipëri ende kjo nuk shikohet si një prioritet, duke përjashtuar ndonjë editor i cili është në rolin e militantit artistik sikurse "Zenit" në Tiranë, i cili është ndër të paktët ose i vetmi që insiston në sistemin kulturë me Art, Filozofi etj,
Çfarë keni tjetër nëpër duar tani?
Projektet e afërta janë: Bienalia e Mesdheut dhe një ekspozitë me dy artistë shqiptarë në Bresha. Gjithashtu jam duke përgatitur një cikël për ekspozim në Indonezi dhe Kopenhagen. Është e rëndësishme që puna të jetë në vende dhe në publik të ndryshëm.
Mendoj që në Shqipëri të gjithë artistët duhet të investojnë mbasi koha në Shqipëri "është përdhunuar" nga njerëzit të cilët e keqpërdorin. Me të kaluarën nuk është se kemi ndonjë raport të mirë.
Pas 20 vitesh demokraci, mënyra sesi e shohim botën, kushtëzohet nga pasuria dhe materializmi, e kjo vlen edhe në sistemin e artit. Sot bota nuk ka nevojë për diktatura të reja, pasi në të vërtetë jetojmë të nënshtruar në një sistem të tillë, ndonëse nuk e kuptojmë.