E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kënga shqiptare e Eurosong, e bukur dhe shumë ritmike



klotilda harka

Nuk e ka shkelur kurrë Shqipërinë, por ka dëgjuar shumë për të. E ndien afër këngën shqiptare në Eurovision dhe ndaj pranoi të flasë për herë të parë për gazetën “Panorama”. Jorgos Alkeos and Friends, konkurrojnë në Oslo me këngën “Opa”, e cilësuar si kënga më energjike e festivalit. Ai vetë është komentuar si paksa i vonuar në Festivalin Europian edhe pse nuk i ka mbushur ende 40 vjeç. Kjo për faktin se edhe pse karriera e tij filloi në vitin 1989 kur u shfaq në një “reality show” në Greqi, suksesin e njohu dekadën e fundit pasi arriti suksesin me 5 albume Platinum dhe 9 albume gold. Singel-i i tij i parë titullohej “Ti, ti” e tashmë njihet për kombinimin e muzikës greke dhe orientale me elementë të muzikës moderne pop. Dionisiz Skinas, bashkëshorti i këngëtares Keti Garbi dhe miku i tij i ngushtë këmbënguli që Alkeos më në fund të konkurrojë në Eurovizion. Këngëtari grek rrëfen gjithçka:
Jorgos kur u përmend emri juaj në konkurrentët e Eurovizion shumë thanë, “E pra tani u kujtua Jorgos!” Pse kaq vonë në këtë garë?
Do ta them të vërtetën siç e kam në zemrën time. Unë nuk u propozova ndonjëherë nga ERT, unë nuk jam njeri që i shqetësoj të tjerët. Madje dhe këtë vit nuk e bëra unë por Dionisis Skinas, i cili i nevrikosur më tha: “Je i papranueshëm, do ta ndjek unë këtë punë për ty, për të parë të paktën nëse kanë vlerësim për ty o vëlla!”.
Keni lundruar në internet për të parë në cilin pozicion jeni në parashikimet e “Eurovizion”?
Jo s’bëhet fjalë, pasi e shoh si të pavlefshme. Nëse nuk ke parë se çfarë do të paraqesin konkurrentët e tjerë nuk mund të kesh mendim për një këngë, që është për një konkurs specifik. Pastaj atje luan rol edhe prezantimi.
E keni dëgjuar këngën shqiptare dhe nëse po si ju duket?
E kam dëgjuar sigurisht dhe është një këngë shumë e bukur dhe me pjesë ritmike.
Po përfaqësuesen shqiptare, Juliana Pasha, keni pasur mundësi ta njihni nga afër. Si do e vlerësonit?
Po, ky konkurrim më dha rastin ta takoj dhe njoh nga afër Juliana Pashën. Eshtë një vajzë shumë e mirë si dhe gjithë grupi nga Shqipëria është i mrekullueshëm. I uroj përfaqësueses shqiptare suksese, të shkojë shumë mirë dhe uroj që bashkë të shijojmë momentet që po kalojmë në Norvegji.
Kthehemi tek ju, do të jetë suprizuese perfomanca juaj, Greqia do të mburret me Jorgos?
(Qesh) Në fakt po e përjetoj me ankth, edhe për shkak të tipit tim. Por do të thoja që e gjithë paraqitja skenike, veshjet dhe koreografinë do të doja t’i shihni në finale. Unë bashkë me stafin tim duam të sjellim ngjyra nga historia e Greqisë, edhe pse e di që është e rrezikshme kjo që po them.
çfarë do të mund të shkaktonte polemika, apo komente në perfomacën tuaj. Për çfarë rreziku e keni fjalën?
Po çelësi i perfomacës sonë është në lëvizjet në skenë pasi nuk është një kërcim spektakolar si ato që jemi mësuar të shohim zakonisht në Eurovizion, por spektakolar në një nivel tjetër. Pra dua t’ju them se nëse dikush e ka me qëllim të keq diçka do të gjejë për të të thënë.
Nëse kualifikoheni në finale në Oslo, europianët do të dëgjojnë lirën pondike dhe fjalën “Opa”. Vargjet greke nuk do t’i kuptojnë, e keni menduar këtë si disfavor?
Jo, pasi ne grekëve na njohin shumë mirë jashtë. Ata e dinë se çfarë është greku, gjuha greke dhe dinamika e saj. Sa filma janë bërë në Hollywood me fabula nga Greqia? Ajo çfarë ne do t’u tregojmë është buzëqeshja “Opa”, optimizëm dhe argëtim.
Britmat “hej” në këngë janë komentuar si “britma xhungle”, ashtu janë vërtet?
Gënjeshtra më thoni tani?! (Qesh). Jo nuk janë në xhungël! Unë nuk e di nëse harrojmë Greqinë e Lashtë. Ne nuk kemi vetëm kënaqësi dhe gëzim, pasi dhe filmi “300” ishte nëpërmjet këtyre britmave. Flasim për ata që duan t’i shohin gjithmonë gjërat konkretisht se për të tjerët çfarëdo që të bësh, nuk do t’u pëlqejë! Elena Paparizou u kthye me çmim dhe prapë pati komente jo të mira.
Deri tani kanë konkurruar shumë emra të njohur grekë, ju suksesin e kujt do të donit të përsërisnit në skenë?
Elena Paparizos, qoftë me lëvizjen e lirës ku pamë një lëvizje greke, dhe duke dëgjuar tingujt e Lirës pondike u përhapën ngjyra greke. Këtë dua të shoh përsëri, në anën akustike apo vizuale.
Nëse ju vetë humbisni, kujt do ia uronit fitoren?
Të gjithë më pëlqejnë, këngë pop, rok, etnike, si dhe baladat. Por me miqtë e mi do të mërzitemi nëse nuk kalojmë në finale pasi kemi thurur ëndrra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›