E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olti Curri: Isha kundër Jetmirit si fitues, për mua ishte kopja e keqe e Qetësorit



Opinionisti i “Fan’s club”, Olti Curri tregon eksperiencën e tij në programin e të dielave në “Top Channel”, në një maratonë transmetimesh me Eno Popin. Olti, me një eksperiencë të gjatë në emisione radiofonike dhe spektakël, vjen në një rrëfim ku tregon se si i janë dukur banorët pas daljes nga shtëpia. Arsyeja pse ishte kundër Jetmirit si fituesi “Big Brother 3” si dhe emocionet si tekst shkrues i këngës hapëse të spektaklit final:
Olti, si do t’i komentonit të eliminuarit javë pas jave meqenëse ishit ndër të parët që i takonit pas daljes nga shtëpia?
Pasi i kisha ndjekur nga ekrani, ku duhet pranuar se edhe të panjohurit nën logon Tch marrin një dritë të veçantë, teksa i takoja “live” më dukeshin më pak tërheqës dhe më pak VIP-a. Sa i përket komunikimit ishin pak të ndrojtur, pasi unë isha opinionisti “i keq” dhe praktikova teorinë e sulmit, në mënyrë që t’u tregoja se çfarë i pret nga gazetarët pasi bëheshin personazhe publikë. Shpesh ngacmimet e mija nxorrën në ekran simpatinë apo humorin që ata nuk e kishin treguar gjatë qëndrimit në shtëpi.
Në emisionin e fundit patët një përplasje me Jetmirin, pasi ia thatë në sy se nuk ishit për fitoren e tij. Pse nuk donit që BB3 ta fitonte Jetmiri?
Personalisht mendoj që ishte një kopje e keqe e Qetësorit. Fakti që u shtir si “i fortë” kur më është dukur personi më i ndjeshëm dhe i brishtë aty brenda. Nuk mendoj se ka njeri të qytetëruar që do donte fitues, një konkurrent që komunikonte duke bërtitur që javën e parë me Valin, dhe më pas pothuajse me të gjithë të tjerët. Mjaft të kujtojmë ofendimin ndaj Seldit, Domit dhe shprehjen “të peshoj për flokësh” që i tha Eridionës. Por kulmi i Jetmirit ishte fleta ku ishin vizatuar familja e Kikës. Nuk e kuptoj pse Kika i la mundësinë atij, të bënte fushatë me foton e familjes së tij. Nëse Miri do kishte kaq dashuri për ta, le të thotë publikisht që një pjesë të shumës së fituar, do t’ia bënte dhuratë fëmijëve të Kikës, për shkollimin e tyre. Megjithatë, ndoshta tipa si Jetmiri janë moda e momentit dhe respekt publikut, ashtu si qeveritë, populli le të ketë fituesin që meriton.
Jetmiri fitoi 100 mijë euro dhe ende s’ka treguar se ç’do të bëjë me to, e keni idenë se për çfarë do të mund t’i shpenzonte ai ato para?
Gjithçka që nuk kalon nga xhepi im, nuk ngjall interes për mua.
Ju për kë ishit që të fitonte, dhe për cilin banor do të kishit mendimin se nuk e meritonte aspak ekzistencën brenda shtëpisë? Eridiona duhej të ishte fituese, dhe jo vetëm se është femër. Sa për pjesën e dytë të pyetjes mendoj se të gjithë e meritojnë të provojnë këtë lojë.
Ndërkohë gjatë bashkëjetesës u krijuan lidhjet; Jetmir-Rezi, Erion- Bertina, Seldi- Domenika, si i shihni secilën prej këtyre tre lidhjeve? çfarë parashikimi keni për vazhdimësinë ose jo të secilës prej tyre?
Dashuritë e krijuara aty do jetojnë më gjatë në faqet e gazetave, sesa në zemrat apo shpirtin e personave në fjalë.
Pavarësisht se kush e fitoi dhe kush e meritonte, ju fans i kujt banori ishit?
I askujt.
Gjatë programit të Eno Popit, jo rrallë mund të jeni konfrontuar me ish-banorët pasi nuk kanë pranuar dot batutat dhe komentet tuaja. Si jeni ndierë?
Jam ndjerë shumë mirë, do shqetësohesha nëse batutat e mija do kuptoheshin menjëherë nga ish-banorët. Do më duhej të ridimensionoja nivelin e tyre.
Ju shkruat tekstin e këngës hapëse të finales, si ju dukën banorët këngëtarë?
Si njeri i përfshirë me produksionet muzikore do thosha, një tmerr. Por duke ditur që ata nuk janë këngëtarë mu dukën shumë të ëmbël teksa përpiqeshin të këndonin sa më mirë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›