Prova e parë në Oslo e Julianës
Juliana Pasha ka kaluar provën e parë në arenën “Telenor” në Oslo, ndërsa ka kënduar “live” këngën “It’s all about you”, i pari regjistrim në video që tashmë gjendet në yuotube. Këngëtarja ka folur gjithashtu për mediat rreth emocioneve që po përjeton në këtë konkurrim të saj, duke shpresuar kualifikimin në finale në garën e 39 vendeve evropiane. Ndërkohë që në youtube, në faqen e Eurovizion dhe forume të tjera fansat nuk kanë kursyer komentet e tyre “pro” dhe “kundër”, rreth kësaj performance të parë, që deri tani është cilësuar me kualitet përsa i përket interpretimit. E veshur “casual” dhe me një kurorë në kokë, komentet për të janë përqëndruar fillimisht tek pamja e saj, ku shumë prej forumistëve e kanë komentuar si “një vajzë jo të bukur”. Madje disa pre tyre e kanë cilësuar si një kopje jo të mirë të Cristina Aguilerës, apo si “variantin mashkullor” të Lady Gagës. Duket se adhuruesit e Festivalit Evropian, që janë të apasionuar pas këtij konkurrimi plot ngjyra, presin shumë nga pamja e këngëtarëve që ngjiten në atë skenë. Ndryshe kanë qenë komentet për zërin dhe këngën e kompozuar nga Ardit Gjebrea, duke e cilësuar shumë korrekte dhe ritmike. Si impresionuese është komentuar shfaqja në skenë e violinistit me famë botërore që jeton në Itali, Olen çezari, i cili shfaqet në një lojë skenike me këngëtaren. Po ashtu komente ka pasur nga forumistët për tre këngëtaret me ngjyrë të xhazit: Joy Garrison, Glenys Vargas dhe Desiree Kedjour, të cilat janë vlerësuar për perfomancën e këndshme dhe frymën ndryshe që kanë sjellë në këtë këngë. Komentet kanë qenë me qindra pak ditë para natës së parë të festivalit, ku këngëtarja shqiptare konkurron e 12-ta. Para pak kohësh u fol se Juliana Pasha, që njihet si këngëtare profesioniste, kishte bërë ndërhyrje në pamjen e saj, ndërkohë që u është nënshtruar përgatitjeve intensive për perfeksionimin e lëvizjeve në skenë dhe mënyrën e komunikimit në konferencat e shtypit.