Këngët e lirisë së Shqipërisë dhe teknologjia

Vaso Tole
Këngët patriotike dhe teknologjia, si mund të rrinë bashkë? Kompozitori dhe studiuesi Vaso Tole ka zgjedhur një sërë këngësh patriotike të gjysmës së parë të shek. XX, të cilat ai i grupon si Këngët e lirisë së Shqipërisë 1912-2012 dhe nëpërmjet një orkestrimi të ri ua ofron përdoruesve të telefonisë celulare Eagle si motive zileje. Tole ka gjurmuar këngët patriotike por edhe popullore e qytetare që u krijuan në ato vite të Rilindjes së përgjithshme kombëtare, kur u themeluan shoqëri artistike dhe muzikore. Këto shoqëri mbaheshin me një repertor patriotik që kishte për qëllim, duke cituar Nolin zgjimin artistik me anën e muzikës, hollësimin e shijes dhe krasitjen e mendjes së shqiptarit me harmoninë e tingujve. Këto këngë qarkulluan në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe në diasporën shqiptare në Rumani, Bullgari, Egjypt, Turqi, Amerikë etj.
Njoftimet për rëndësinë e këngëve patriotike për çlirimin kombëtar janë të pafundme në të gjithë Shqipërinë, por besoj se nuk ka një rast tjetër të ngjashëm në gjithë historinë e muzikës botërore, si ai i Bandës së Lirisë në Korçë, ku përveç veprimtarive koncertore, instrumentistët e saj kanë marrë pjesë me armë në betejat për çlirimin kombëtar. Akademik Vaso Tole merr rastin e betejës së Orman Çifligut ku dhanë jetën natën e 29-30 Korrikut të vitit 1911 edhe muzikantët e saj, dëshmorë e atdheut: Kosta Kosturi, Odhise Pjasto dhe Tushi Krastafillaku. Pikërisht, se këto këngë janë këngë të shpirtit liridashës të shqiptarëve, kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë e pandashme e trashëgimisë së tyre shpirtërore.
Nga këngët qytetare patriotike si Himni Rreth flamurit të përbashkuar, Për mëmëdhenë, O trima luftëtarë, Kur vjen behari çel qershia, këngë popullore patriotike si Kënga e Ali Pashë Tepelenës, Te rrapi në Mashkullorë, melodia e Valles së Osman Takës, popullore çame; Kënga e Halil Garrisë, popullore veriore etj.. janë realizuar në studio nga Edi Balili dhe Klodian Qafoku ritingëllime që prej tri ditësh kanë nisur të përdoren nga qytetarët abonentë të Eagle mobile. Kjo kompani në kuadër të projekteve të Vitit të Teknologjisë, bën të mundur që meloditë më të njohura lirike të viseve dhe trevave shqiptare, të risillen në vëmendje në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Të gjithë abonentët Eagle mund të tërheqin nga ëëë.eaglezone.al një rington muzikor nga meloditë e këngëve patriotike.