"Këngëtarja tullace" rrëmbeu shumicën e çmimeve te festivalit

Ky edicion u karakterizua me një prezantim të shumë veprave skenike, zhanresh të ndryshme . Juria profesionale e këtij festivali, e përbërë nga regjisori, Sylejman Rushiti, aktorja Leonora Hasani dhe regjisori Ben Apolloni, çmimin për regjinë më të mirë ia ndanë regjisorit të dramës "Këngëtarja tullace", Diar Xani, ndërsa çmimi "Adriana" i takoi aktorës Florentina Ademi, për rolin më të mirë të femrës në shfaqjen "Këngëtarja tullace", të teatrit "Dodona".
Edhe aktori i kësaj trupe, Armend Ismajli, mori çmimin e Shoqatës së gazetarëve të Ferizajt "Haki Braha". Aktorit ferizajas, Hafir Bislimi, iu nda çmimi "Ismajl Rama" për rolin më të mirë të mashkullit në shfaqjen e Besim Ugzmajlit "Vrasja e legjendës".
Juria ndau edhe çmimin për aktorin dhe aktoren e dytë të festivalit, Ylber Bardhi dhe Vlora Nikçi si dhe për rolin më të mirë episodik që i takoi aktorit Gani Rrahmani.
Gjatë shtatë ditëve sa zgjati festivali, para artdashësve të artit skenik janë prezantuar njëmbëdhjetë shfaqje, dy prej tyre jashtë konkurrencës.
Regjisori, Sylejman Rushiti në cilësinë e anëtarit të jurisë, ka thënë me këtë rast se festivalin e ka karakterizuar një javë e bujshme me shumë prurje të reja skenike, ndërsa sipas tij, juria u përcaktua për më të mirët në mesin e të barabartëve.
Rushiti ka shtuar se kjo duhet të jetë edhe motiv shtesë për ata të cilët nuk u shpërblyen për të ecur përpara me shfaqje të tjera, ndërsa ka kërkuar që të ngritet debati në nivel kombëtarë për harmonizimin e politikave të teatrit.
"Është nevojë e kohës të mendohet për harmonizim të politikave të teatrit, ndërthurje të vlerave dhe prurje nga të gjitha trojet shqiptare" ka thënë regjisori Sylejman Rushiti.
Regjisori i shfaqjes "Këngëtarja tullace", Diar Xani, ka qenë mëse i lumtur që kjo shfaqje në një konkurrencë të fortë, mori numrin më të madh të shpërblimeve, duke thënë se gëzimi është më i madh nga fakti se me këtë shfaqje edhe është diplomuar në regji.
"Kjo me ndihmon që të ndihem më i motivuar për të vazhduar me suksese tjera" ka thënë Xani.
Ndryshe, festivalin e ka shpallur të mbyllur kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili krahas falënderimeve për pjesëmarrësit dhe trupat teatrore, ka kërkuar që edhe vitin tjetër të jenë pjesë e edicionit të 43 -të, ngase ky lidhet me 140 vjetorin e themelimit të qytetit të Ferizajt.
Organizatori i festivalit, në shenjë mirënjohje për punën e tyre 35 vjeçare në skenën e tetarit të Ferizajt, me nga një mirënjohje i ka shpërblyer aktorët ferizajas, Hafir Bislimin dhe Nexhat Xhoklin. /Kosovapress/