Kepi i Rodonit,mes një shenjtori dhe një perëndie ilire

Kurora e këtij vendi nga më të bukurit dhe interesantët e ruan gjelbërimin gjatë gjithë vitit. Kur shikon një tufë dhish që sillen në afërsi të objekteve të lashta, ndien se lidhja e vjetër e legjendës së Skënderbeut rreth ndezjes së brirëve të dhive duke qenë në afërsi të kalasë dhe një manastiri që është njohur si manastiri i Mamicës, sillet edhe këtej rrotull
DURRËS - Kushdo që shkon në Kepin e Rodonit, do të ndiejë se aty nuk ekziston kufi i madh ndarës mes stinëve.Ngjyrat e ëmbla të gjetheve të pemëve gjetherënëse që bashkëjetojnë me makiet duken si dekoracion mjeshtëror, por jo se jemi në dimër. Sepse kurora e ketij vendi nga më të bukurit dhe interesantët, e ruan gjelbërimin gjatë gjithë vitit.
Kur shikon një tufë dhish që sillen në afërsi të objekteve të lashta, ndien se lidhja e vjetër e legjendës së Skënderbeut rreth ndezjes së brirëve të dhive duke qenë në afërsi të kalasë dhe një manastiri që është njohur si manastiri i Mamicës, sillet edhe këtej rrotull.
Një tufë e madhe dhish dhe objektet e vetmuara sikur të ndjellin trishtim që akoma nuk ka aq shumë njerëz në këtë vend kaq të bukur e me histori nga më të rrallat. Era e vjeshtës së tretë pas shirave të rëna, fryn e ngrohtë nën një ditë plot diell nëpër luginën e vogël të Kepit.
Duke iu afruar kishës së Shën Ndout që ndodhet vetëm pak metra larg saj, ndjen se po zbret në thellësi të historisë. Këtu thotë legjenda se Gjergj Kastrioti ka kaluar muajin e mjaltit me Donikën...
Është vjeshtë dhe kudo mbretëron një frymë paqësore. Në portin e katerave siluruese që të del përballë, tashmë ka vetëm varka peshkatarësh, ndërsa depoja prej betoni ku ruheshin minat e silurat është kthyer në një klub ku mund të shijosh peshkun e freskët të Rodonit, nga më të shijshmit në rajon.
Është e vështirë të shkruash për Kepin nëse nuk ke folur më parë me nje person të njohur në Durrës për promovimin që i ka bërë kësaj zone.
Tasim Besho nuk e ndjen peshën e moshës kur flet për Rodonin. Madje, në të folurën e tij ndihen notat e një poezie që rrjedh fshehtazi mes fjalëve kur numëron vlerat e rralla të Rodonit dhe Ishmit... Tasimi thotë se zona njihet si një nga zonat më të konservuara në Mesdhe.
I gjithë masivi kodrinor i Ishmit ku ndodhet Kepi i Rodonit përbën një nga zonat më të rralla mesdhetare, nënvizon ai, ku janë ruajtur si askund tjetër shkurret mesdhetare, dushku, lisi shelgu e shumë të tjera, pra ka resurse detin, kodrat, pyllin. Ka natyrën, peisazhin, klimën dhe bujqësinë organike...
Ka një bregdet të sheshtë ranor që i kalon 6 km gjatësi dhe me gjerësi deri në 300 m që e kanë zakonisht vetëm plazhet oqeanike. Si specialist i përgatitjes së paketave turistike, Besho thotë se Ishmi do të ketë shumë përparësi në të ardhmen. Kjo pasi nga 9000 ha sipërfaqe toke 2/3 -tat i ka sipërfaqe pyjore, ndërsa 1/3 -tën tokë bujqësore.
Ai thotë se është përgatitur tashmë infrastruktura e turizmit agrar, pasi janë trajnuar rreth 62 gra për t'u bërë shërbime turistëve që vijnë duke ofruar një kuzhinë tradicionale e bashkëkohore, si dhe banesa te thjeshta me të gjitha kushtet e hotelerisë: ujë, fjetje, ndriçim.
Mrekullia qëndron në faktin se në Ishëm, sipas Beshos, mishi i qengjit, kecit, pulat, djathrat, verërat kanë një shije shumë të veçantë, që vjen si rrjedhojë e pozicionit gjeografik, si dhe mikroklimës së zonës, pasi rrihen nga erërat e kripura të detit.
Në fshatin Bizë është gjetur tartufi. Tasimi argumenton edhe faktin se Ishmi është një zonë e kulturuar, pasi, sipas tij, është edhe qendra e trekëndëshit të civilizimit! Argumenti i tij mbështetet nga fakti se ky trekëndësh civilizimi përbëhej nga Durrësi, Albanopolisi dhe Lezha. Ishmi është pika e mesme e këtij trekendëshi, përfundon idenë e tij ai.
Kështu janë krijuar disa pole turistike me një kompleks banesash që fillojnë nga Shkafanja e në Bizë- Drac- Shetaj. Në Gjirin e Lalëzit, në fshatin Shën Pjeter, sipas Beshos, është një grup tjetër banesash, ku kryeson Vlash Lazri, i cili ka krijuar kushte mjaft komode.
Ai tregon se si një pedagoge italiane, Ana Maria de la Vergine, pasi erdhi një herë në këtë zonë, ka ardhur disa herë më pas... Ajo tregonte se ishte mrekulluar kur kishte dëgjuar pëllitjet e gomarit në mëngjes dhe më pas kishte shkuar e kishte marrë pjesë në mjeljen e lopës.
"Ju keni pasuri të pafund", u kishte thënë ajo. Këtu është vend për turizëm për të rinjtë që vijnë të gjejnë të shkuarën e prindërve të tyre, por edhe për të moshuarit që vijnë të gjejnë të kaluarën e humbur...Ato që pashë në këtë vend", ishte shprehur Ana, "i kisha dëgjuar se i kishin pasur gjyshërit e mi, por nuk i kisha parë".
Kisha e dytë e Shën Ndout
Në Kepin e Rodonit çdo vit 8000 - 10 000 vetë marrin pjesë në panairin e 13 qershorit që përkon me ceremoninë përkujtimore të ditës së Shna Ndout. Natën e 13 qershorit, pelegrinët e të gjitha feve, si nga Ishmi, ashtu edhe nga rrethet e afërta, kalojnë natën nëpër tendat e improvizuara, për të nderuar shenjtorin tashmë tepër i përmendur në këtë zonë..
Kryetari i Komunës së Ishmit, Gëzim Ylli, thotë se komuna në bashkëpunim me prefekturën e Durrësit, po projekton një strukturë të re riparimi e shtrimi të rrugëve për tek Kisha e Shna Ndout dhe se është i bindur se numri i njerëzve do të vijë duke u rritur nga dita në ditë.
Për t'iu përgjigjur nevojave të shumta të njerëzve në luginën pranë kishës improvizohen në tenda dhe karroceri makinash rreth 600 biznese, çka ndikon dhe në përmirësimin ekomomik të banorëve të zonës së thellë, por njëkohësisht nga me piktoresket në Shqipëri. Interesante është edhe dyzimi i emrave dhe historive që ndjek objektet e Kepit.
Një ndër 34 mrekullitë e jashtëzakonshme të këtij shenjtori (Shën Ndout apo Shën Antonit), që numëron historiografia e Kishës Romane, është edhe vetia e shfaqjes në publik në të njëjtën kohë në dy vende të ndryshme. Mesa duket, ky fat ka ndjekur shenjtorin evropian edhe në Shqipëri. Festa e tij kremtohet njëherësh si në Kepin e Rodonit, ashtu edhe në Laç.
Sipas kryekomunarit Ylli, banorët e zonës besojnë se shenjtori kur ka ardhur për herë të parë në Shqipëri, ka zbarkuar nga anija pikërisht në Rodon dhe në kujtim të tij është ngritur kisha e shenjtë. Ashtu si Shna Ndou që nderohet njëherësh në dy kisha, edhe kepi i Rodonit ka dy emra: Kepi i Rodonit dhe i Muzhlit.
Vetë emri Rodon që personifikon perëndinë ilire të detit që mban zona, po ashtu edhe kisha e shenjtë e ngritur pikërisht mbi këtë kep tregon se fati i dy vlerësimeve të njëhershme ka shoqëruar si kepin e perëndisë së lashtë Redon, ashtu edhe shenjtorin katolik Shna Ndou i Padovës. Perëndia pagane Redon personifikon Poseidonin grek dhe Neptunin roman.
Sipas dokumentacionit historik, Redon quhej e gjithë zona e Gjirit të Lalëzit nga Bisht Palla deri në Ishëm, por më vonë ajo u reduktua vetëm në Ishëm dhe pikërisht në Kepin e Rodonit edhe këtu të dyzuar pasi njihet edhe si kepi i Muzhlit.
Zona ku është ngritur kisha, ka një kulturë prehistorike ku janë kryqëzuar kultura vendase ilire, sidomos ajo e qeramikës që në shek e VII p.k, si dhe kultura e importuar nga viset romane e greke. Objektet e kultit kanë qenë prezente që në krishtërimin e hershëm.
Vetë kisha e Shna Ndout ka një ndërthurje të stileve romake, gotike e bizantine çka dëshmon për gjurmët që kanë lënë përplasjet e luftrave të gjata mes kishës lindore e perëndimore. Shna Ndou, emrin e të cilit mban kisha, ka lindur mbi 800 vjet më parë, më 15 gusht të vitit 1195 në Lisbonë të Portugalisë.
Është pikërisht forca e këtyre mrekullive të propaganduara në popullsinë e zonave përreth ajo që bën të mundur të grumbullohen kaq shumë njerëz të besimeve të ndryshme për të përkujtuar ditën e këtij shenjtori. Historia dhe bukuria e vendit janë kryqëzuar në njëra-tjetrën.
Infrastrukturë e re turistike për Kepin e Rodonit
Kepi i Rodonit, një nga perlat turistike që ndodhet në pikën më veriore të rrethit të Durrësit, po pushtohet tashmë nga rrugët. Kjo zonë e veçantë ishte kthyer gjatë periudhës së luftës së ftohtë në një mollë të ndaluar për banorët vendas dhe këdo tjetër, pasi bënte pjesë në hartën ushtarake si një nga bastionet më të fortifikuara të vendit ku ishin instaluar reparte ushtarake të llojeve të ndryshme të armëve.
Por duket se po synohet që ajo të hapet realisht me investimet që po kryhen për ta kthyer Kepin në një pikë turistike dhe burim të ardhurash ekonomike për turizmin.
Prej vitesh ka filluar avancimi i rrugëve dytësore që të shpien drejt kësaj mrekullie natyrore. Ka rrugë që po asfaltohen dhe që tashmë i janë afruar fshatit të fundit në afërsi të Kepit, Shetajt (megjithatë ka ende për të bërë dhe lëvizja në kohë shirash drejt kishës nuk është e këshillueshme, sidomos me mjete të vogla).
Është ndërtuar rruga Draç-Shetaj me një vlerë prej 90 milionë lekësh, e cila është një nga arteriet kryesore që kalon nëpër kurrizin e kodrave të gjelbëruara të Ishmit.
Përveç saj, për të shërbyer si për banoret e zonës, ashtu edhe rritjes së fluksit turistik me vizitorë ditorë të pushuesve te Gjirit të Lalzit, nga zona e Fushë-Draçit është konstruktuar rruga e dikurshme, e cila është zgjeruar dhe asfaltuar dhe lidhet me aksin kryesor të rrugës që lidh fshatin Shetaj me Ishmin.
Kryetari i Komunës së Ishmit, Gëzim Ylli, thotë se vlera e kësaj rruge ka qenë rreth 40 milionë lekë të reja, ndërsa rruga që do të zgjidhë përfundimisht problemin e vizitueshmërise dhe kthimit të zonës së Kepit të Rodonit në një zonë elitare turistike në vendin tonë do të jetë rreth 6 km e gjatë.
Ajo, sipas Yllit, do të ketë një gjerësi prej rreth 6 metrash. Vlera e kësaj rruge kap shifrën e 140 milionë lekëve investime. Një investim i tillë zgjidh përfundimisht problemin e kthimit të Kepit me vlerat e veta historike që ruan atje Kalanë e Skënderbeut, në një pikë të vizitueshme gjatë gjithë periudhës së vitit, pasi në këtë periudhë rruga bëhej e pakalueshme nga strukturat e saj nën lagështire dhe terrenin e lagësht argjilor.
Largohesh nga Rodoni duke kujtuar Beshon i cili flet qetë dhe plot emfaze për Rodonin dhe fjala e tij të duket sikur është e përzier me puhizat e ngrohta të kësaj zone të rrallë, nga më të veçantat në Mesdhe, siç thotë Besho.