"Mungesa e transparencës mund të çojë në kontestim"

Vangjel Dule:
Kryetari i PBDNJ-së shpreh shqetësimin për mungesën e transparencës mbi procesin e regjistrimit të popullsisë që do të ndodhë në vitin e ardhshëm
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, paralajmëron se kur ekzistojnë premisat pas dy dekadash për realizimin e një procesi kaq të nevojshëm në një shoqëri dhe të kryhet në kushtet e mungesës së transparencës që mund të çojë në kontestim, atëherë do të krijojë shumë më tepër probleme se ato aktualet.
Në një intervistë për gazetën "Shekulli", duke iu referuar regjistrimit të popullsisë që pritet të nisë në muajin prill të vitit të ardhshëm, lideri i PDBNJ-së shpreh shqetësimin e tij për mungesën e transparencës dhe informimit të popullsisë mbi atë që po ndodh.
Sipas tij, duhet një bashkëpunim i ngushtë me shoqatat përfaqësuese të këtyre minoriteteve dhe të këtyre grupeve, të cilat kanë një akses të një natyre tjetër, është aksesi i drejtpërdrejt, është shpjegimi i thjeshtë, praktik dhe konkret i asaj që do të ndodhë dhe se si duhet të ndodhi.
Në takimin që ju keni pasur me grupet e minoriteteve në vendin tonë jeni shprehur skeptik në performancën që do të ketë regjistrimi i popullsisë dhe banesave.
Nga lindin këto dyshime?
Të gjithë qytetarët, jo vetëm pjesëtarët e minoriteteve, do të kenë mundësinë dhe të drejtën që krahas gjeneraliteteve të tjera të deklarohen edhe në lidhje me përkatësinë e tyre etnike, gjuhën amtare. Është një proces sa teknik aq edhe politik.
Është hera e parë që në themelimin e shtetit shqiptar, ose të paktën për të qenë më i saktë, pas luftës së dytë botërore, që në vendin tonë shpresojmë të realizohet një proces i tillë demokratik. Kemi pasur regjistrime të popullsisë në kohën e regjimeve totalitare të cilat vetëm të vërtetën nuk reflektonin, sikurse edhe në shumë aspekte të tjera edhe në ato të dimensioneve numerike dhe të shtrirjes gjeografike të pjesëtarëve që i përkasin një minoriteti etnik, linguistik etj,.
Rrjedhimisht duhet që ky proces aq i rëndësishëm, i cili është një instrument bashkëkohor i domosdoshëm për hartimin e politikave lidhur me të drejtën e minoriteteve, të jetë transparent dhe i besueshëm.
Duhet të jetë një proces i cili do të japë zgjidhje për problemet që janë krijuar gjatë gjithë këtyre kohëve dhe jo të krijojë probleme të tjera, të reja, nëse ai nuk do të jetë një proces transparent dhe i besueshëm.
Çfarë do të kuptojmë me proces politik, a mund të kemi një dalje të të dhënave joreale të komuniteteve që ekzistojnë në vendin tonë, apo mund të ketë një tjetërsim të numrit?
Nuk janë numrat qëllim në vetvete, është instrument regjistrimi i popullsisë dhe nuk ndryshojnë të drejtat që gëzon një komunitet me statusin me minoritet nëse ai është 10 mijë anëtarë më pak apo më shumë.
Është fjala për konceptimin e strategjisë së respektimit të këtyre të drejtave, rrjedhimisht ne duhet që nëpërmjet këtij procesi t'i krijojmë të drejtat çdo qytetari që të shprehet lirisht, pa ekuivok, të respektohet dhe të regjistrohet statistikisht kjo e drejtë e tij dhe ne si politikë në bazë të saj të hartojmë filozofinë.
Dhe mbi këtë filozofi të hartojmë politikat e reja që duhet të zbatojmë për garantimin e të drejtave të pjesëtarëve të minoriteteve, si një shtet tashmë jo më postkomunist, por si një shtet anëtar i NATO-s dhe së afërmi edhe një shtet anëtar i Bashkimit Europian.
Nga të dhënat që ju keni, sa janë të informuar njerëzit mbi formularin e regjistrimit të popullsisë?
Konstatojmë se i gjithë aktiviteti informues është shumë i vonuar. Duhet të kemi parasysh faktin se grupe të veçanta me interes të veçantë në këtë regjistrim janë ato të minoriteteve të cilat kanë veçori, kanë veçori me gjuhën.
Moshat e rritura nuk kanë pasur mundësinë të mësojnë gjuhën zyrtare dhe gjuhën e shumicës. Kemi grupe të tjera të cilat nuk kanë nivelin arsimor dhe kulturor të mjaftueshëm për të ndjekur realitetet dhe të informohen.
Kësisoj ne vlerësojmë se duhet të intensifikohet përpjekja informuese me qëllim që të realizohet edhe qëllimi i këtij procesi, që është pjesëmarrja dhe nga ana statistikore reflektimi me korrektësi i realitetit në shoqërinë tonë.
Si mund të realizohet pjesëmarrja 100% për të gjithë këto shtresa njerëzish, çfarë duhet bërë?
Besojmë se informimi me rrugët klasike pak efekt ka në këto raste. Duhet një bashkëpunim i ngushtë me shoqatat përfaqësuese të këtyre minoriteteve dhe të këtyre grupeve, të cilat kanë një akses të një natyre tjetër, është aksesi i drejtpërdrejt, është shpjegimi i thjeshtë, praktik dhe konkret i asaj që do të ndodhë dhe se si duhet të ndodhi. Gjë që ka munguar deri tani.
Janë zhvilluar me insistimin tonë disa takime krejt formale me përfaqësues të minoriteteve, pa u dhënë atyre mundësinë që të punojnë sistematikisht në aspektin e informimit të qytetarëve dhe në veçanti të pjesëtarëve të minoriteteve. Gjë që duhet pa humbur kohë të intensifikohet.
Ne jemi të gatshëm që me mundësitë tona e bëjmë edhe pa një bashkëpunim deri tani me institucionet shtetërore që duhet ta kishin bërë këtë përpjekje sensibilizuese për qytetarët.
Nga ana tjetër duhet që të jenë konkretizuar sepse për arritjen e një fushate sensibilizuese të suksesshme duhet që të jenë konkretizuar detajet, modalitetet.
Ende nuk është shpallur zyrtarisht data, koha e zhvillimit të këtij regjistrimi, formulari përfundimtar, modalitetet se si do të procedohet praktikisht në terren me këtë proces, gjëra që duhet të ishin bërë me kohë dhe tani të ishim në përfundim të procesit sensibilizues.
Krahas kësaj, për ne është e domosdoshme që në të gjitha grupet e punës në rang komune dhe bashkie duhet domosdoshmërish të ketë pjesëtarë të grupeve të ndryshme shoqërore me statusin e minoritetit.
Sepse janë ato të cilët njohin më mirë dhe mund të kontribuojnë në mënyrë më efeciente për të pasur një proces përfshirës, transparent dhe të besueshëm.
Nga INSTAT nuk ka pasur asnjë kontakt me PBDNJ-në, për shkak se ju konsideron një parti politike dhe meqenëse ky institucion është i pavarur.
A e shikoni këtë si një kontribut të munguar në këtë proces dhe a ndikon kjo në përshtatjen e këtij pyetësori?
Ne nuk pretendojmë që të bëhemi partner të INSTAT-it, ne jemi një forcë politike dhe për ne përbën përparësi regjistrimi i popullsisë.
Por, në këtë shtet kaq të politizuar në çdo shërbim të saj, që duhet faktikisht të ishte i depolitizuar nuk do të ishte fundi i botës nëse INSTAT të realizonte dhe një takim me PDBNJ-në, e cila ka qenë forca politike që për një 20 vjet të aktivitetit të saj politik dhe parlamentar kërkon me insistim zhvillimin e një regjistrimi të përgjithshëm të popullsisë me tiparet që është premtuar se do të zhvillohet vitin e ardhshëm, informal, këshillimor, quajeni si të doni.
Por nuk është ky thelbi. E rëndësishmja është që ne jemi të gatshëm dhe mundësitë tona po i aktivizojmë sistematikisht, duhet pra, ajo që është më e rëndësishme, që shoqatat përfaqësuese të minoriteteve të jenë pjesë e pandarë në të gjitha fazat e këtij procesi.
Kryefjala e shqetësimit që ju shprehni është mungesa e transparencës. Madje edhe në takimin e përfaqësuesve të grupeve të minoriteteve që PBDNJ organizoi ky proces organizohej me zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri.
A do të thotë kjo se në rast se nuk do të jetë ajo transparencë që kërkoni, minoritetet nuk do t'i njohin këto statistika?
Është hipoteza më ogurzezë. Kur ekzistojnë premisat pas dy dekadash për realizimin e një procesi kaq të nevojshëm në një shoqëri dhe të kryhet në kushtet e mungesës së transparencës që mund të çojë në kontestim, atëherë do të krijojë shumë më tepër probleme se ato aktualet.
Duhet të jemi të qartë se është një hap që po hidhet me vendosmëri, me transparencë absolute dhe me besueshmëri të plotë, dhe përbën zanafillën e një filozofie, dhe të një politike të re europiane në vendin tonë ose çdo gjë tjetër do të krijojë një pështjellim të përgjithshëm, i cili do të kërkojë shumë kohë që të na rikthejë në pozitat ku gjendemi sot. Rrjedhimisht duhet të mendohen mirë që kanë përgjegjësinë politike, por edhe administrative të këtij procesi.
Sa të përfaqësuar janë grupet e minoriteteve në administratën shtetërore?
Jemi për mbi një vit e gjysmë duke denoncuar sistematikisht së pari një politikë të gabuar. Përfshirja e pjesëtarëve të minoriteteve në administratë po bëhet me kritere partiake. Do të më thoni se çdo gjë kështu ndodh në vendin tonë.
Por duhet të ndodhë ndryshe, pavarësisht nëse janë të majtë, të djathtë, votues të PDBNJ-së, të PD-së apo PS-së. Duhet që të ruhen raporte të caktuara përfaqësimi në të gjitha institucionet shtetërore.
Sot numërohen me gishtërinj e një dore përfaqësuesit e minoritetit etnik grek në radhët e forcave të sigurisë, në trupin diplomatik, në drejtësi dhe në shumë sektorë të tjerë. Ju përmenda këto të cilat janë më të njohura dhe nga më treguesit.
Vetëm pas zgjedhjeve të 28 qershorit janë mbi 160 ish-punonjës të administratës civile, me të drejtat që u garanton ligji për administratën civile, të cilët, siç u shpreh sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, në një deklaratë për shtyp, me vendime kolektive u larguan nga vendet e tyre të punës vetëm se nuk pranuan që bindjet e tyre politike t'i këmbenin me mbajtjen e postit në administratë.
Këto nuk janë fenomene të një shteti të së drejtës. Këto janë fenomene tejet negative të një shteti partiak dhe të cilat duhet që të luftohen sistematikisht me konceptet, politikat dhe praktikat që mbështeten në këto politika.
PBDNJ nuk pretendon që anëtarësia e saj të futet në administratën me kriter dhe pa kriter, por pretendon që pjesëtarët e minoriteteve të cilitdo ngjyrimi partiak të kenë akses në raporte të caktuara në të gjitha strukturat shtetërore dhe qeveritare sepse edhe ata janë taksapagues njësoj si pjesëtarët e tjerë të shoqërisë.
Dhe cili është kuptimi më i thellë saj. Nuk mund të kesh një shoqëri kompakte, nuk mund të kesh një shoqëri e cila maksimalizon energjitë e veta që gjeneron dhe ne kemi nevojë për këto energji në proceset që jemi integruese nëse gjithsecili nuk ndihet i barabartë në shanset, në mundësitë dhe në perspektivat sikurse ndihet i barabartë në përgjegjësinë e tij për të qenë taksapagues në shkallën e të ardhurave të veta.
Është kaq i thjeshtë ekuacioni, por që politikat e mbrapshta e pengojnë atë në zbatimin praktik.
Konstatimi
Duhet të kemi parasysh faktin se grupe të veçanta me interes të veçantë në këtë regjistrim janë ato të minoriteteve të cilat kanë veçori, kanë veçori me gjuhën. Moshat e rritura nuk kanë pasur mundësinë të mësojnë gjuhën zyrtare dhe gjuhën e shumicës. Kemi grupe të tjera të cilat nuk kanë nivelin arsimor dhe kulturor të mjaftueshëm për të ndjekur realitetet dhe të informohen.
Informimi
Besojmë se informimi me rrugët klasike pak efekt ka në këto raste. Duhet një bashkëpunim i ngushtë me shoqatat përfaqësuese të këtyre minoriteteve dhe të këtyre grupeve, të cilat kanë një akses të një natyre tjetër, është aksesi i drejtpërdrejt, është shpjegimi i thjeshtë, praktik dhe konkret i asaj që do të ndodhë dhe se si duhet të ndodhi.
Filozofia
Duhet të jemi të qartë se është një hap që po hidhet me vendosmëri, me transparencë absolute dhe me besueshmëri të plotë, dhe përbën zanafillën e një filozofie, dhe të një politike të re europiane në vendin tonë ose çdo gjë tjetër do të krijojë një pështjellim të përgjithshëm, i cili do të kërkojë shumë kohë që të na rikthejë në pozitat ku gjendemi sot.