E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: konfiskim pasurisë 2.8 mln eurove

Pasuritë e dy vëllezërve nga Berati dhe të njohurve të tyre dyshohen si fryt i shfrytëzimit të femrave


Vellezërit Shehu, hetohen në Greqi si pjesëtarë të një grupi të trafikimit të femrave nga Lindja


TIRANË- Prokuroria për Krime të Rënda në kryeqytet, nëpërmjet ligjit "Antimafia" i kërkoi togave të zeza konfiskimin e pasurisë me vlerë 2.6 milionë euro në llogaritë e dy vëllezërve beratas Aleksandër e Sokol Shehu, kunatit të tyre Can Murataj, si dhe mikut Fatos Zeka.


Vetëm pak muaj pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe ajo e Apelit vendosën sekuestrimin e kësaj pasurie, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, kërkon konfiskimin përfundimtar të saj.


Sipas kërkesës së Xholit, pasuria me vlerë rreth 2.6 milionë euro duhet t'i kalojë shtetit pasi "poseduesit" e saj nuk provuan se kjo shumë ishte siguruar në rrugë legale.


Gjithashtu, prokurori Xholi i kërkon togave të zeza që pasuria që do konfiskohet t'i kalojë Zyrës së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave.


Nga ana tjetër, ndaj dy vëllezërve Shehu, njësia e Task-Forcës në kryeqytet, ka nisur hetimet për akuzën e "pastrimit të parave". Hetimi ka marrë shkak nga procedimi penal i nisur në Greqi ndaj tyre që në vitin 2006, ndërsa hetohen atje për "krijim të organizatës kriminale"; "trafikimit të qenieve njerëzore për prostitucion" e "pastrim parash", krime të kryera në bashkëpunim.


Sipas kërkesës së prokurorit dhe vendimit të sekuestrimit, të siguruara nga "Shekulli", mësohet se dy vëllezërit Shehu nga aktiviteti i tyre kriminal përfitonin rreth 12 mijë euro në ditë, që i ndanin me një grup mafioz nga Lindja. Prej këtej ata dyshohet se kanë sjellë edhe një grup femrash që shfrytëzoheshin për prostitucion në Greqi.


"Nga hetimet pasurore, është konstatuar se të dyshuarit Aleksandër e Sokol Shehu, familjarët e tyre dhe personat e lidhur me ta, Can Murataj (kunati) dhe Fatos Zeka (lidhje shoqërore), disponojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të tyre. Bazuar në ligjin "Antimafia" rezulton se të hetuarit familjarët dhe personat e lidhur me ta, janë subjekte të këtij ligji, ndaj dhe pasuritë e tyre duhet t'i nënshtrohen procedurës së sekuestrimit.


Një veprim i tillë është kryer, për shkak se familjarët dhe vetë të dyshuarit janë të lirë, çka përbën një rrezik real dhe potencial që pasuritë e tyre të tjetërsohen, apo të humbasin",- thuhet në kërkesën e prokurorit Xholi.


Pas sekuestrimit, tashmë kërkohet konfiskimi i 7 llogarive bankare me një vlerë prej 2.6 milionë euro dhe rreth 4 mijë lekë të reja. Këto llogari bankare, janë në emër të Aleksandër Shehut, vëllait të tij Sokol Shehu, kunatit të tyre, Can Muratajt e shokut të tyre Fatos Zeka.


Në emër të dy vëllezërve Shehu e të afërmve të tyre janë dhe dy apartamente në Tiranë, e një truall me sipërfaqe 4.100 metër katrorë në fshatin Muçaj të Vlorës. Në të është ngritur edhe një pikë karburanti.


Ata janë pronarë të një lokali në Berat dhe një kompanie me emrin "Shehu" sh.p.k, që është në aktivitet. Në këtë shoqëri, ortak i vetëm dhe administrator është Aleksandër Shehu, që ka si objekt shitjen me shumicë e pakicë të karburanteve, bar-kafe, import dhe eksport etj. Për kunatin e Shehajve, Can Muratajn, akuza ka siguruar të dhënat se figuron i regjistruar si subjekt tatimor në Tiranë në fushën e "shërbimeve telefonike".


Për këto prona ende nuk ka një vendim sekuestrimi apo bllokimi, pasi nuk është kompletuar dokumentacioni i nevojshëm që të vërtetojë dyshimet e ngritura, se ato janë ngritur me para të "pista".


Pritet që para togave të zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda të fillojë procesi gjyqësor për konfiskimin e kësaj pasurie ku dhe mbrojtësit ligjorë të të dyshuarve të paraqesin prova kundërshtuese të këtij konfiskimi.


TË KONFISKOHEN:

Llogari bankare në lekë, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar më 21 maj 2009 me 2.900 lekë
Llogari bankare në lekë, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009, me 967 lekë
Llogari bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 507 mijë euro
Llogaria bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 519 mijë euro
Llogari bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009, me 550 mijë euro
Llogari në euro, në emër të Sokol Shehut dhe Fatos Zekës, verifikuar me 21 maj 2009 me 522 mijë euro
Llogari bankare në euro, në emër të Can Muratajt, e verifikuar me 21 maj 2009, me 500.000 euro.

TË PA SEKUESTRUARA:


4.100 m2 Sipërfaqe trualli në fshatin Muçaj Vlorë
Pikë karburanti në Vlorë
Shoqëria "Shehu" Sh.p.k.
Lokal "Bar Kafe"
Dy apartamente në Tiranë

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›