Këputja e fijeve të politikës së vjetër
Skënder Kapiti
-Vota popullore e 23 Qershorit 2013 e ndëshkoi ashpër regjimin e PD-së dhe të Berishës. Kjo ishte hera e 3-të e humbjes së thellë të tij pas referendumit personal për kushtetutën që u përsërit në vitin 1997. Ndëshkimi i 3-të që ju bë tani Berishës erdhi si një proces më se i merituar si rezultat i ndërgjegjësimit, reflektimit e reagimit popullor ndaj një regjimi autoritarist, kriminal e korruptiv të qeverisjes së PD-së dhe të kryeministrit të saj pasi ky ishte një regjim tipik mafiozo-autoritarist, një regjim terrori demokratik, politik, mediatik e institucional, i dhunës, i presionit e kërcënimit mbi opozitën, shoqërinë, individin, lirinë e demokracinë e vërtetë. E gjithë etika emocionale dhe deklarative e publike bërë nga ky regjim me fjalët autoritative si demokraci, liri, ligj, mirëqenie, patriotizëm, shtet ligjor, integrim etj., nuk ishte gjë tjetër veçse një maskë mashtrimi politik, ideologjik e demokratik, për të fshehur dështimet, rrënimet, korrupsionin dhe qëllimin e vërtetë: atë të sundimit të pushtetit. Jo vetëm partia e tij, po kudo shqiptarët në trojet e veta dhe diasporë u sunduan dhe u mashtruan nga politika e ligji komunisto-demokratik i Berishës. E gjitha kjo iu kthye në një bumerang neverie e urrejtje popullore. Madje ndërgjegjja dhe mençuria e votuesve shqiptarë me dërrmimin që i dha regjimit të Berishës injoroi dhe shumë diplomatë e vëzhgues, monitorues, politologë oportunë apo dhe për ndoshta diçka tjetër që e toleronin dhe e inkurajonin deri diku pushtetin e Berishës. Votuesi shqiptar injoroi të famshmet sondazhe të tyre për rezultatin mbi zgjedhjet, gjë që tregoi se verdikti dhe inteligjenca politiko-demokratike e popullit tonë kësaj radhe ishte më përpara se e tyrja. Ky kryeministër do të mbahet mend si kryeministri që në tetë vitet e qeverisjes së tij ka bërë vetëm fushatë elektorale spekulative me shpenzimet, harxhet e me paranë publike, me angazhimin e administratës publike dhe të fëmijëve të shkollave, që në të gjitha mbledhjet e qeverisë së tij është marrë në më të shumtën e kohës me opozitën dhe kryetarin e saj se sa me problematikën dhe punët e shtetit. Nuk e shpëtoi Berishën nga humbja as retorika dhe patriotizmi sipërfaqësor e fals dhe as ajo e politikës së prerjes së shiritave të inaugurimeve, e tunelit dhe e asfaltit për të mbuluar gropat e korrupsionit, borxheve dhe të abuzimeve me djersën dhe paranë e popullit. Fitorja popullore, që është largimi nga pushteti i këtij regjimi i ka hapur rrugën një Rilindje të vërtetë shqiptare për të cilën ka nevojë jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova, shqiptarët e Maqedonisë e kudo në trojet e tyre e diasporë. Kjo politikë e vjetër, që tashmë u ndëshkua nga vota demokratike në Shqipëri e që ka përkrahës e shumë simpatizantë akoma dhe për pak kohë edhe në politikën shqiptare, në trojet jashtë Shqipërisë, në Kosovë e Maqedoni ka mbjellë e ndjellë dhe atje dizinfomim e shpifje për kryetarin dhe opozitën e majtë të Shqipërisë, ka futur edhe atje frymë përçarjeje, pështjellim, ngatërresa e bllokim, manipulim e spekulim dhe me ndjenjat e interesat kombëtare edhe të tyre. Ndryshimi që premton të sjellë Rilindja Shqiptare fillon me çlirimin e shtetit, sistemit , lirisë, medias e komunikimit e patjetër do të ketë medoemos pasoja pozitive dhe përmirësim e ndikim për mirë edhe atje e kudo ku ka shqiptarë si në demokratizim, afrim, bashkëpunim e përmirësim shumë më të madh të marrëdhënieve vëllazërore gjithë shqiptare në funksion të bashkimit shpirtëror, të integrimit të vërtetë e serioz, të integrimit europian, që i paraprijnë dhe bashkimit kombëtar, e që besojmë dhe urojmë të punojë me përkushtim politika e re premtuese e Rilindjes Shqiptare që fillon nga Tirana, si kryeqendër e gjithë shqiptarëve. Me largimin nga pushteti të politikës së vjetër me 23 Qershor në Shqipëri do t’i këputen zgjatimet e do të thyhen edhe atje patericat politike të saj, që asgjë përveç të këqijave dhe tradhtisë, politika paternaliste e Tiranës deri tani, e sidomos e pushtet-politikës së PD-së nuk ka bërë për Kosovën e shqiptarët e Maqedonisë dhe që çuditërisht nuk e di përse atje politikanët, kryeministrat e udhëheqësit e Shqipërisë së derisotme mitizohen, lavdërohen e dekorohen për asgjë të mirë, po për diçka apo për merita që u kanë bërë madje dëme, pengesa e të këqija e deri dhe tradhti atyre. Përkundër kësaj vjen logjikshëm çudia se, përse në Kosovë nga pushteti atje nuk vlerësohen, respektohen e nuk u bëhet mirënjohje si duhet atyre nga Shqipëria që kanë kontribuar aq shumë për të; për veteranët, invalidët dhe për të rënët dhe dëshmorët që kanë dhënë jetën për çlirimin e Kosovës, po kryesisht ato ju bëhen vetëm qeveritarëve nga Shqipëria vetëm e vetëm për “ meritën” e të qenit kryeqeveritar apo ministër në Shqipëri? Dhe se edhe atje do të fillojë si në Shqipëri çmitizimi i të pavërtetave, mashtrimeve e falsifikimeve dhe i kulteve të tyre dhe të autorëve të tyre, do fillojë ndërgjegjësimi e reagimi demokratik për një Rilindje siç bëri dikur Rilindja dhe Iluminizmi europian me mitet mesjetare. Do të fillojë një politike e re kundër frymës së politikës së vjetër titiste e enveriste e pasuar në LDK-iste e nano-berishiste që duan të ruajnë status quonë e materializmit e paternalizmit politik. Është e nevojshme ashtu si në Shqipëri, po edhe në Kosovë e Maqedoni e në politikën shqiptare, për ta çliruar dhe atje shtetin, politikën, partitë, organizatat, shoqatat, ligjin, drejtësinë e median nga trashëgimia e trysnia bajraktariste, krahinore, fisnore dhe tejet autoritariste, për ta çliruar dhe atje politikën, institucionet e shoqërinë nga interesi i ngushtë e nga korrupsioni politik të imituara nga Shqipëria. Kanë kaluar vetëm katër javë pas ndëshkimit të kësaj qeverisje në ikje dhe punët në Shqipëri po vene shumë më mirë se sa kur qeverisi po ky kryeministër para humbjes së pushtetit***
Vihet re në qetësimin dhe shtensionimin e situatës, në rënien e krimit, të agresivitetit e të konfliktit dhe në rritjen e shpresës për kthimin në normalitet të dialogut e komunikimit politik e ndërqytetar, të rendit, ligjit e drejtësisë, të funksionimit të shtetit dhe të demokracisë, të kërcënuara e të kapura më parë nga pushteti berishist, i cili i dha qeverisjes imazhin e një çerdhe shtrigash ku shpërndaheshin, shiteshin e grabiteshin prona e pasuri, ku bëheshin vetëgjyqësi e para-merreshin vendime gjyqësore, ku komplotohej , intrigohej e përgjohej opozita, ku refuzoheshim po dhe imponoheshin dekrete presidenciale e merreshin vendime antikushtetuese, ku paravendoseshin ligjet, të cilat duhej t’i miratonte parlamenti, ku komplotohej e bëheshin puçe institucionale e administrative, ku privatizoheshin e tenderohej gjithçka në mënyrë korruptive e jo transparente e ku prej godinës kryeministrore u voll zjarr, prej të cilit u vranë protestues e kalimtarë paqësorë. Edhe tani, pas dorëheqjes së Berishës si kryetar i PD-së dy konkurrentë për atë post, Basha e Olldashi, bashkë-autorët, bashkëpunëtorët dhe krye-servilët e kryeministrit tashmë në ikje dhe humbësit, që pas kryetarit të tyre tashmë i “vetëdorëhequr” janë autorët, të diskredituarit dhe të ndëshkuarit më të mëdhenj, në dy qarqet kryesore, në atë të Tiranës e të Fierit. Ata si dhe më shembullorët si servilë e puthadorë, në abuzim e korrupsion në poste partie e shtetërore,e që nuk mundet ndryshe pos të vazhdojnë në sinkron me simfoninë e “ligjin”e politikës së vjetër të liderit shpirtëror të tyre, ku si program, vizion e alternativë për të justifikuar ndëshkimin e ashpër popullor e për të rimarrë pushtetin kanë destruktivizmin, përçarjen, mashtrimin, shpifjet, akuzat, intrigat e përbaltjen e kundërshtarëve politikë, ndaj të cilëve ata po shfryjnë me histeri e urrejtje, edhe pse akoma Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk e kanë marrë në dorë qeverisjen e vendit, ku ata të dy, si Basha e Olldashi tregojnë dhe kulmin e injorancës dhe inkompetencës politike, duke i kërkuar qeverisë së paformatuar dhe të pakonstitucionalizuar akoma te Edi Ramës të japë dorëheqjen. Madje jo vetëm këto, po ata po ja kalojnë edhe kryemashtruesit Berisha pasi shfajësimin për humbjen kërkojnë t’ia faturojnë popullit. Është për të ardhur keq për këtë mjerim të madh ku është katandisur sot PD-ja pas humbjes katastrofike të zgjedhjeve të 23 Qershorit. “Ne kemi nevojë për një Rilindje të vërtetë Panshqiptare për të prosperuar, për t’u ndërgjegjësuar e ndryshuar, për të arrirë e lartësuar atë që meritojmë: dinjitetin e krenarinë kombëtare së pari, bashkë me mirëqenien, demokratizimin e integrimin, duke mohuar e larguar nga qeverisja e drejtimi ata që na kanë ndaluar e penguar”. Partia Socialiste sot ka më shumë se çdo parti tjetër potenciale politike, intelektuale, profesionistë të aftë për një ripërtëritje esenciale shoqërore e kombëtare, demokratike e integruese”. Le të shpresojmë.