E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stimulimi i ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë

Elton Leka/Pedagog

-Të ulej norma bazë e interesit! Ky ishte mendimi personal, të cilën e kam shprehur në një opinion tjetër të publikuar te gazeta “Shekulli” në datën 4 maj 2013. Norma bazë e interesit u ul nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë me vetëm 0.25 %, duke e ulur në nivelin e ri historik të 3.5 %. Roli primar i BSH-së mendohet të jetë ai i mbajtjes së normës së inflacionit nën limitin 3 %, gjë të cilën ia ka arritur me sukses. Duke e pasur këtë të fundit objektivin e saj kryesor, BSH ka harruar apo e ka bërë me vetëdije, duke qenë më shumë se ç’duhet e kujdesshme, të luajë rolin e saj si stimulues i ekonomisë. Në këto kohë krize, këtë rol kërkohet që ta bëje duke ulur edhe më tej normën bazë të interesit. Pra, roli dhe veprimet e BSH duhet të jenë të përshtatshme me realitetin ku jetojmë. Ulja e fundit e normës bazë të interesit edhe pse ishte në nivelet e 3.75 %, nuk ka dhënë efektet e duhura stimuluese për rritjen e kreditimit e cila ishte vetëm 0.8 %.  Pra, që të ketë efekt dhe të çlirohet kreditimi nga ky ngërç i madh që ka kapur sektorin bankar nevojitet një ulje e mëtejshme e kësaj norme, duke e çuar atë të paktën deri në nivelet e 3 %. Kjo gjë duhet bërë e ndërthurur me politikat e ndjekura nga qeveria, në mënyrë qe politika fiskale bashkë me politikën monetare të BSH-së të stimulojnë rritjen ekonomike. Kjo duhet të bëhet sa me shpejt me ardhjen e qeverisë së re në detyrë. Nuk mund të presim ndonjë çudi të madhe që të ndodhë në vend, që ekonomia të fillojë përsëri të xhirojë në drejtimin e duhur. BSH-ja tani ka luajtur vetëm në mbrojtje, duke u sjellë ekstremisht e kujdesshme, por ekonomia shqiptare ka nevojë për parashikim dhe stimulim. Nuk duhet të bazohet më rritja ekonomike vetëm në rritjen e deficitit publik dhe të borxhit, ashtu siç ka ndodhur vitin e fundit. Rritja duhet të bazohet të rritja e kreditimit të bizneseve dhe familjeve në mënyrë që të rriten investimet dhe konsumi. Bankat e nivelit te dytë nuk rrisin kreditimin pasi ndjehen të pasigurta për të ardhmen. Ato vlerësojnë se me interesat e larta të kredive, bizneset dhe familjet nuk arrijnë dot ti shlyejnë këstet e tyre të kredive, pra nuk kanë aftësi paguese të mjaftueshme. Kjo ka bërë të mos jepen shumë kredi të reja. Rritja e kredive të këqija, si volum dhe si përqindje të portofolit të kredisë, ka ardhur edhe si pasojë e mosrritjes së vetë volumit të kredisë outstanding. Kjo rritje në përqindje e cila tashmë ka arritur në nivelin e 24 %, ndikon edhe psikologjikisht te bankat, të cilat frikësohen. Frika ka ardhur duke u shtuar edhe për shkak të të dhënave që vijnë nga ekonomia shqiptare, e cila vazhdon të ketë ritme të ulëta rritjeje, 1.7 % në tremujorin e parë të vitit. Rritje e cila është e bazuar kryesisht te politika ekspansioniste e qeverisë. Po përse nuk ka funksionuar siç duhet politika e BSH-së, e cila edhe pse ka ulur interesat gjatë dy viteve të fundit, kjo gjë nuk është reflektuar në sektorin bankar?  Përveç shumë faktorëve të tjerë makroekonomikë, kjo gjë shpjegohet edhe me një faktor të brendshëm në sektorin bankar. Faktori i burimeve njerëzore, i cili pa diskutim ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë negativisht në sektorin bankar. Në shume role kyçe, në bankat e niveleve të dyta, siç janë punonjësit që punojnë në vlerësimin e riskut, drejtorë, menaxherë të sektorëve të ndryshëm,  shpesh dhe jo shumë rrallë, janë të arsimuar jo mjaftueshëm, ose nuk kanë kapacitetet dhe aftësitë e duhura për të mbajtur pozicione të tilla, gjë që ka sjellë dhe vlerësime të gabuara të riskut të kredisë, të rekrutimit, seleksionimit dhe vlerësimit të personelit, të ndjekjes së gabuar të politikave të ndryshme bankare afatshkurtra dhe afatgjata. Si përfundim, mosrritja e kreditimit ka ndikuar si në rritjen e kredive të këqija të sektorit bankar, si në uljen e investimeve nga bizneset, si në uljen konsumit në përgjithësi, ashtu dhe në uljen e rritjes ekonomike prandaj Banka e Shqipërisë duhet te luaje një rol me aktiv duke nxitur kreditimin dhe ekonominë, ashtu siç ka bërë FED(Banka Federale) në SHBA dhe BQE(Banka Qendrore) në Europë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›