Keq me biznesin e librit
Nëse vitet e tjera biznesi i librit shënonte shifra rekord të titujve të rinj, këtë vit botuesve u kanë rënë pendët. Kreu i përvitshëm i Shoqatës së Botuesve e ka lënë karrigen, sepse është bërë deputet, duke u zëvendësuar nga kolegu i tij, Petrit Ymeri. Nuk është aq entuziast Ymeri sa kolegu i tij për panairin e këtij viti, që pritet të hapet nga 12-16 nëntor, në mjediset e Pallatit të Kongreseve
Arsyeja pse Ymeraj i jep një sfond pak të errët këtij panairi ka të bëjë me biznesin e librit. Ky vit ka qenë shumë i dobët për botuesit, sepse kriza ekonomike ka prekur dhe librat. Prandaj vetiu përgatitja për panairin e 12-të të librit që do të mbahet në Tiranë lajm të parë ka faktin se nuk do të ketë shumë tituj të rinj.
Në konferencën e djeshme për shtyp, ku Ymeri ka prezantuar zyrtarisht të dhënat teknike mbi panairin, pohoi se doemos që numri i titujve të rinj gjatë një viti është tkurrur për pasojë edhe titujt e rinj në stenda do të jenë më pak se vitet e shkuara, e kjo sipas tij, ka ndodhur për shkak të krizës ekonomike që e ka prekur librin shqip, pasi ka rënë numri i lexuesve, çka reflektohet në shitjen e librave në libraritë e Shqipërisë. Megjithatë, sipas Ymerit kjo “rrudhje” nuk ka ndikuar shumë në promovimin e botimeve të rinj në prag të panairit të librit.
Ndërsa si ngjarje e rëndësishme, në ditët e panairit botuesi i “Diturisë” ka prezantuar për mediat ftesën që i kanë bërë shkrimtarit italian, Frederico Moccia (Frederiko Moça) i cili paraprakisht ka konfirmuar praninë e tij përgjatë ditëve të panairit. Ai është autor i dy librave që janë botuar në Shqipëri, dhe së shpejti pritet edhe libri i tretë. Do të jetë i pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit, ndërsa me ardhjen e tij, sipas Ymerit do të promovohet edhe një çmim që do të akordohet për herë të parë në Shqipëri. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, u shpreh se ky do të jetë panair ekskluziv i të gjithë botuesve, madje një aktivitet ku do të marrin pjesë të gjitha entet botuese shqiptare duke përfshirë edhe universitetet, përfaqësitë e huaja etj. “Interesi për panairin e librit ka ardhur duke u rritur edhe për faktin se të gjitha aktivitetet e organizuara gjatë këtyre viteve kanë pasur gjithnjë cilësi e më të mirë. Botuesit shqiptarë dhe ato të vendeve të tjera pjesëmarrës e ndjejnë veten shumë mirë në panairin e Tiranës, nga mënyra e përfaqësimit, por edhe interesi i lexuesit, i cili sa vjen e rritet”, - thotë kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri. Sipas tij, ky është aktiviteti më i madh kulturor në Shqipëri, duke u nisur edhe nga aksesi i pjesëmarrjes. Janë mbi 100 subjekte pjesëmarrëse nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia, Greqia për të prezantuar botimet e reja të këtij viti. Duke marr shkas nga vërejtjet e vitit të kaluar mbi organizmin e panairit të librit, ai tregon se sivjet do të vërehem disa ndryshime. “Nuk do të kemi me katin përdhes për paraqitjen e librave, por hollin dhe ballkonin. Jemi të sigurt që kemi bërë një veprim të mirë, sepse më shumë dëshirë janë ngjitur në ballkone edhe shumë botues të tjerë. Ndërsa nga ana tjetër, shumë subjekte të tjerë që nuk ishin në nivelin e duhur të përfaqësimit të panairit nuk janë paraqitur”, - thotë Ymeri, duke shtuar se në dispozicion të aktivitetit është vënë edhe salla e madhe e Pallatit të Kongreseve, kundrejt një pagese ekstra. Pavarësisht, përgatitjeve të deritanishme, nuk ka ende një kalendar të saktë të promovimeve dhe takimeve me shkrimtarët që do të mbahen gjatë panairit, por secili prej botuesve do të promovojë veprat më të rëndësishme. Do të jenë kryesisht botime të reja dhe në stendat e tyre do të jenë të pranishëm shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë që ata botojnë. Edhe këtë vit do të jepen dy çmime, ai i librit më të mirë të përkthyer, si dhe për autorin e librit më të mirë. Aktiviteti pritet të mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës.