E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futurizmi një bilanc kritik

Studentët e letërsisë në Universitetin e Tiranës marrin pjesë në dy leksione për fenomenin në arte të shekullit të njëzetë: Futurizmi. Profesorët Matteo D'Ambrosio dhe Enrico Crispolti i bëjnë, njëri një bilanc kritik dhe tjetri identitar


Për futurizmin (këtu do të flitet vetëm për futurizmin italian) si një fenomen domethënës në avangardat e nëntëqindës, vazhdojnë të bëhen kërkime universitare e akademike, kurse lëvizja vetë si shprehje ideologjike dhe artistike mbetet në Shqipëri edhe njëzet vjet pas heqjes së «Ndalimit», një territor i mbyllur dhe i panjohur dhe brenda qarqeve akademike. Jo se atdheu i futurizmit, Italia, ngriti flamur në këtë njëqind vjetor të tijin. «Më falni, por në këtë aspekt qëndrimi im është negativ», tha pas leksionit prof.


Enrico Crispolti. «Vendi juaj është i vogël megjithatë problemet nuk mund të jenë më të mëdha nga sa mund të mendohet për një vend si Italia, një vend me shumë probleme, ku shpesh ngjarjeve si 100-vjetori i Futurizmit ua zënë vendin improvizimi.


Dua të them se janë bërë gjëra të vogla». Prof. Crispolti, i veshur me një pulovër në ngjyrë të përafërt me gurëkalin, me një gravatë portokalli që lidh grykën e një këmishe pothuajse në mente.


«Lëbyrja e gëzueshme që do të shkaktojnë rrobat tona në rrugët e zhurmshme, të cilat do t'i kemi transformuar me Arkitekturën tonë FUTURISTE, do të thotë se çdo gjë do të fillojë të vezullojë si prizmi i lavdishëm i vitrinës gjigante të një argjendarie... », shpall në «Manifestin e veshjeve futuriste» të vitit 1913 Giacomo Balla një nga përfaqëuesit e futurizmit roman në artet plastike, të cilit prof.


Crispolti, historian i artit kontemporan në Universitetin e Salernos dhe Sienës i ka kushtuar edhe studimin «Il Futurismo e la moda. Balla e gli altri» (1986). «Qeniet njerëzore, deri tani, janë veshur (pak a shumë) si në zi. Në luftojmë kundër :


a) ndrojtjes e simetrisë së ngjyrave, ngjyra që sajohen e rregullohen në stampa të shpëlara me vija e pika idioteske.
b) gjithë fomave të pajeta të veshjes, të cilat e bëjnë njeriun të ndihet i lodhur, i stresuar, i mjerë e i mërzitur dhe kufizojnë lëvizjet, duke shkaktuar një zbehtësi të trishtë.
c) të ashtuquajturës «shije e mirë» dhe «harmoni» që e dobësojnë shpirtin dhe vrasin gëzimin.
Ne duam që rrobat Futuriste të jenë të rehatshme e praktike
Dinamike
Agresive
Tronditëse
Energjike
Të dhunshme
Fluturuese (dmth të japin idenë e fluturimit, ngritjes e vrapimit)
Të gjallërishme
Të gëzueshme
Ndriçuese (për të patur dritë edhe në shi)
Fosforeshente». Ky shpërthim në manifestin e Balla-s është një emotivitet që provokon besim duke filluar nga vepra më e parë: njeriu. Balla është një nga liderët shpirtërorë të futurizmit italian në artet plastike, tek i cili prof. Crispolti u ndal disi më gjatë, krahas Umberto Boccioni-t, Fontana-s, Prampolini-t etj., në leksionin e tij të pajisur me ilustrime «Identiteti dhe karakteri historik i Futurizmit» për studentët e letërsisë në Tiranë.


Pa vetëdije ai bën një gjest, duke treguar nga veshja e tij dhe thotë se botës së sotme i mungon sensi i utopisë. Ky është futurizmi sipas prof. Crispoltit: utopia ose arti (duke nënkuptuar këtu edhe forma të tjera të krjimtarisë njerëzore dhe të fantazisë) mund ta ndryshojë botën.


Ky besim që futuristët kishin (të shpallur në manifeste), ka humbur dhe forcat e realitetit duket se i vijnë njeriut kundër, më lakuriq se kurrë.
A ka një mënyrë më divulgative për prezantimin e futurizmit në Shqipëri? Po, thotë profesori italian, një ekspozitë me vepra arti të futuristëve italianë, do të ishte një gjë praktike, konkrete. Por kërkon qindra-mijëra euro dhe kujdes: vepra pirate të autorëve futuristë, janë nëpër këmbë.


Kurse prof. Matteo D'Ambrosio ishte më afër studentëve të letërsisë. Historian avanguard dhe semiolog, pranë Fakultetit të Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin e Napolit «Federico II», ai u ndal te lideri i Futurizmit, Filippo Tommaso Marinetti, i cili më 1909 shpalli lindjen e lëvizjes futuriste si lëvizje ideologjike dhe artistike.


Por, për të shkuar tek Marinetti, u përdor një «introduktë». Leksioni i D'Ambrosios për habinë e të pranishmëve nisi me «na ishte njëherë», që i referohej një romani futurist, «Il Codice di Perelà» (1911) të Aldo Palazzeschi-t (1885-1974).


Duke analizuar Perelà-në, një figurë subversive për qytetërimin njerëzor midis përrallës dhe fabulës, Palazzeschi ka krijuar një simbol të lirisë pa kushte. Pra, një roman futurist njëherësh jashtë futurizmit, kanonet e së cilës lëvizje përcaktojnë, kufizojnë dhe llogarisin drejtimin që duhet të ndjekë artisti futurist, pra rrethin e tij të lirisë dhe të «fluturimit».


«E nisa këtë leksion me Palazzeschi-n sepse doja të nënvizoja që brenda futurizmit gjenden edhe orientime shumë të ndryshme nga vetë futurizmi. Ka artistë të rëndësishëm, ata që janë në gjendje të ofrojnë kontribute origjinale. Në momentin kur aderojnë në logjikën e përgjithshme të lëvizjes, sjellin me vete kontibute të ndryshme, të veçanta nga të tjerët.


Vetë Palazzeschi mbeti futurist për pak kohë. Ndërsa «Kodi i Perelasë» sa ç'është një libër futurist është njëherësh pjesërisht futurist.» Kjo do të thotë se autori italian ishte në drejtim krejt tjetër po të kujtojmë se futurizmi i këndonte bukurisë së dhunës, luftës. D'Ambrosio e cilëson një nga dhjetë librat më të mirë të nëntëqindës italiane, krahas «Indiferentëve» të A. Moravias, «I ndjeri Matia Paskal» i L. Pirandelos etj.


Për të analizuar karakterin sintetik dhe simultan të poezisë futuriste u sollën për ilustrim dy tekste me zë të Marinettit, njëra prej të cilave «Zang Tumb Tumb» e vitit 1914. «Dallohet ajo elokuencë e Marinetit që ka influencuar tek Musolini», thekson ndër të tjera D'Ambrosio.


Duke e përfunduar leksionin një historiani i avangardës pyetjes se Cila është magjia e avangardës, i përgjigjet: Është gjëja më e vështirë për t'u studiuar, sepse historia e avangardës është historia e thyerjes, e përçarjes, është historia e dhunës ndaj kodeve, po edhe e vazhdimësisë së artit.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›