Në Durrës, filmat shihen në teatër
Pas Shkodrës, “Giffoni Shqipëria” ka mbërritur ditën e djeshme në Durrës. Gjatë pesë viteve jetë të këtij festivali filmi, i vetmi në llojin e tij për fëmijë dhe të rinj, kjo është hera e tretë që ndalet në Durrës. Nxënës të përzgjedhur nga shkollat e qytetit kanë ndjekur dy seanca projeksionesh në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ndërkohë që “Giffoni” do të vazhdojë edhe sot në Durrës. Në ceremoninë e prezantimit të edicionit të pestë të Festivalit të Filmit kanë qenë të pranishëm kryetari i bashkisë së qytetit, zoti Vangjush Dako dhe prefekti Klodian Pajuni. “Më vjen mirë që ne jemi iniciatorë që Durrësi të jetë një etapë e “Giffoni”-t. Është shumë e rëndësishme që për një qytet si i joni, që nuk kinema, por që kërkon ta ketë atë, që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të shohin filma, të gjykojnë e të diskutojnë me ta. Më vjen mirë që kjo iniciativë fillon nga këta të rinj, të cilët gjatë dy ditëve të “Giffoni”-t do të kenë mundësi jo vetëm të ndjekim prodhimet më të mira botërore, për moshën e tyre, por të përfshihen në diskutime që do t’i nxisin të mendojnë”, - u shpreh prefekti Pojani. Bashkia e Durrësit së bashku me atë të Elbasanit janë të vetmet institucione lokale që kanë mbështetur organizimin e festivaleve në qytetet e tyre. “Falënderojmë organizatorët, të cilët të mbështetur edhe nga ne kanë zgjedhur Durrësin për të sjellë festivalin e filmit “Giffoni Shqipëria 5”. Aktivitetet sociale, ekonomike dhe kulturore janë në prioritetet e bashkisë sonë dhe ndër këto aktivitetet për fëmijë kanë përparësi”, - ka theksuar kryetari i bashkisë, zoti Vangjush Dako. Ndërsa për presidentin e festivalit, Namik Ajazin, fakti që në prezantimin e këtij festivali kanë qenë bashkë autoritete lokale që i përkasin forcave të ndryshme politike, tregon se ky aktivitet që i adresohet fëmijëve dhe të rinjve shkon përtej politikës. Ajazi ka theksuar edhe njëherë se shpreson që ky festival të nxisë vëmendjen edhe të autoriteteve lokale ndaj filmit për fëmijë. “Ne shpresojmë që në edicionet e ardhshme të “Giffoni Shqipëria”, përveç prodhimeve botërore më të mira të viteve të fundit, të kemi të pranishëm edhe prodhime shqiptare”. “Broken Hill” një bashkëprodhim australiano-amerikan, “Si të mbijetoj vetëm” prodhim holandez, “Maksi i turpëruar”, një film që vjen nga Danimarka, “Më i miri”, “Yje të përflakur” janë disa nga filmat e gjatë që do të shfaqen për fëmijët dhe të rinjtë e qyteteve ku do të ndalojë festivali. Ndërkohë që programi i filmave me metrazh të shkurtër përfshin “Mbreti i ishullit”, “Dita ime e fundit e luftës”, “I madhi Piter Tozzi”, “Në barkun e balenës”, “Natyralisti”, “Astrid”, “Sbam”, “Kapelja e vogël” dhe “Oi’ Lioco”. Pas Durrësit, “Giffoni” do të shkojë në Elbasan e Shkodër, ndërsa në datën 26 tetor do të mbërrijë në Tiranë. Pas tri ditë projeksionesh, edicioni i pestë i “Giffoni Shqipëria” do të mbyllet me një ceremoni të madhe çmimesh që do të organizohet në Teatrin e Operës dhe Baletit mbrëmjen e 28 tetorit