Diplomacia Online
_388786.jpg)
Prej të premtes, Ministria e Jashtme ka vendosur të aktivizojë diplomacinë digjitale përmes të cilës synohet të përmirësohet imazhi i Kosovës në faqet e internetit.
Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi ka prezantuar strategjinë, në të cilën parashihet njohja e Kosovës nga infrastruktura globale e internetit.
“Veç kësaj, me këtë strategji synohet edhe njohja nga ueb faqet, ndikimi i përmbajtjes së Kosovës në burimet kryesore të informacionit online, ngritja e mënyrës së tregimit për Kosovën duke futur përmbajtje me cilësi të lartë te audienca e synuar, përmirësimi i ndikimit online të MPJ të Kosovës dhe integrimi i komunikimeve digjitale në komunikimet e koordinuara strategjike të Qeverisë, janë vetëm disa prej objektivave të Strategjisë së Diplomacisë Digjitale të prezantuara të premten në Prishtinë”, ka thënë Selimi gjatë një prezantimi që i ka bërë strategjisë së re.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme së bashku me Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, Sekretaren e Parë të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Myrna MacGregor, Drejtoreshën e British Council, Arjeta Emra, kanë shpalosur pjesë të strategjisë, synimet e saj dhe rezultatet e pritura.
Sipas Zëvendësministri Selimi, kjo strategji është produkt i një partneriteti të gjerë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Ambasadës norvegjeze, Ambasadës britanike, Këshillit Britanik dhe Fondacionit IPKO.
“Është një projekt në të cilin kemi punuar tash e gjashtë muaj, në hartimin e të cilit janë angazhuar ekspertë nga Norvegjia, ekspertë nga Britania, aktivistë të internetit, me qëllim që ta përdorim diplomacinë digjitale, mjetet e reja të informimit në internet për qëllimet e diplomacisë publike dhe njohjes sa më të madhe të Kosovës në botën e jashtme”, ka thënë Selimi.
Ai ka prezantuar pjesët kryesore të strategjisë, qëllimet dhe objektivat e saj, duke theksuar se ideja e strategjisë është se si ta përdorim diplomacinë digjitale për të zgjidhur problemet e politikës së jashtme.
Selimi po ashtu theksoi se projekti ka qenë i punuar bashkërisht nga MPJ e Kosovës dhe MPJ e Mbretërisë së Bashkuar dhe se në të janë përfshirë ekspertë të komunikimit, përfshirë edhe eksperten nga MPJ britanike, Zeenat Khanche, e cila ka qëndruar në Kosovë për 6 javë si dhe janë zhvilluar konsultime shumë të gjera me palët e interesuar siç janë faqet e ndryshme në internet, ekspert të IT-së dhe përfaqësues të shumë të shoqërisë civile.
Zëvendësministri po ashtu ka theksuar se në kuadër të kësaj strategjie parashihet edhe lobimi i vazhdueshëm, si pjesë e një fushate për një kod të përhershëm të ISO dhe ICANN.
Ai ka theksuar se strategjia parasheh edhe aktivizimin e qytetarëve në fushata online për të lobuar në ueb faqe individuale në shtetet që rekomandojnë të përfshihet Kosova në listat rënëse në ueb faqe.
Ndërsa, Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, ka thënë se Qeveri norvegjeze gjithnjë ka qenë mbështetëse e fuqishme e Kosovës, përfshirë edhe diplomacinë kosovare dhe përpjekjet e saj për të projektuar imazhin e “Europianëve të Rinj” në shtetet tjera dhe për të fituar në mënyrë të vazhdueshme sa më shumë njohje për shtetësinë e Kosovës
Ai vlerësoi rëndësinë e madhe që ka interneti në informimin e njerëzve në botë, duke theksuar se ky mjet komunikimi na ofron mundësi që mesazhet tona t’ia dërgojmë një audience globale.
Ambasadori Braathu premtoi 50 mijë euro për zbatimin e strategjisë për këtë vit dhe "më shumë mjete vitin e ardhshëm".
Sekretarja e Parë e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Myrna MacGregor, ka theksuar rëndësinë e diplomacisë digjitale në zhvillimet diplomatike aktuale, duke theksuar mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar për projektin në fjalë.
Ndërkaq, Arjeta Emra nga Këshilli Britanik tha se edhe ky projekt është pjesë e projektit të nisur muaj më parë, “Kosova flet me BE-në”.
“Diplomacia digjitale është një prej mjeteve më të rëndësishme që mund ta ndihmojë procesin e njohjeve dhe të shërbejë informata që janë të vërteta dhe pozitive për Kosovën”, ka shtuar ajo.