E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqardhje e OKB-së për himnin famëkeq serb

Kombet e Bashkuara kërkuan falje pasi një grup serb interpretoi një këngë famëkeqe, që lidhet me masakrën e Srebrenicës, para sekretarit Ban Ki-mun, njoftoi agjencia franceze e lajmeve AFP.

“Ne sinqerisht shprehim keqardhje që njerëzit u ofenduan nga kjo këngë, e cila nuk ishte futur në programin zyrtar”, tha zëdhënësi i OKB-së, Martin Nesirky, duke iu përgjigjur protestave që erdhën për shkak të këngës “Marshi në Drinë”, të kënduar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të hënën, transmeton Rel.

Duke mos qenë në dijeni për konotacionet nacionaliste të këngës, Ban dhe zyrtarë të tjerë të OKB-së duartrokitën korin serb Viva Vox, pas interpretimit të këngës.

“Marshi në Drinë” u shkrua fillimisht për të lavdëruar trupat serbe të vrarë gjatë një beteje në Luftën e Parë Botërore, por pastaj është bërë himn nacionalist për serbët.

Kjo këngë thuhet se u këndua nga forcat serbe gjatë masakrës së Srebrenicës, në vitin 1995, kur u vranë tetë mijë meshkuj myslimanë. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›