2010-ta, sukseset dhe dështimet
Viti 2010 është një nga vitet më të ngjeshura futbollistike, si në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, me një kalendar ngjarjesh të bujshme, të shoqëruar me suksese, por të pashmangshme edhe dështimet. Me ndeshje të shumta ndërkombëtare në rang përfaqësuesesh, nga ajo A e deri te U-15, përfshirë zyrtare e miqësore, por dhe në nivel klubesh, pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve (Dinamo) dhe në Ligën e Europës (Besa, Tirana, si dhe debutimi i historik i Laçit).
Nëse kuqezinjtë e “mëdhenj”, nën drejtimin e kroatit Josip Kuzhe patën një supervit, kombëtaret inferiore patën një vit jo të mirë. Edhe përfaqësimi i katër skuadrave të klubeve, të cilat morën pjesë në kompeticionet evropiane, ishte thuajse i dësthuar. Gazeta “Albania” paraqet disa nga ngjarjet më të rëndësishme.
RENDITJA NË FIFA
Shqipëria e mbylli vitin 2010 në vendin e 65-të në ranglistën botërore të FIFA-s, në të cilën marrin pjesë 208 skuadra kombëtare futbolli nga gjashtë konfederata, duke humbur shtatë vende nga renditja rekord e saj: vendi i 58-të, i regjistruar në nëntor të këtij viti. Gjithsesi, kuqezinjtë patën një ecuri mjaft pozitive duke e krahasuar lëvizjen e pozicioneve të përfaqësueses sonë, duke marrë si pikë referimi muajin janar, kur ajo ndodhej në vendin e 97-të. Në një supervit me 9 ndeshje e me një bilanc të jashtëzakonshëm: 5 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje, Shqipëria humbi vende në renditjen e FIFA-s, por dhe në atë kontinentale – të UEFA-s – për shkak të barazimit pa gola në miqësoren me Maqedoninë, që e çoi vendin tonë në vendin e 65-të, me 497 pikë, ose 23 pikë më pak se muaji paraardhës, 520 pikë. Në renditjen botërore, Shqipëria ndodhet midis Panamasë (64) dhe Iranit (66). Në renditjen e UEFA-s, Shqipëria ndodhet midis Armenisë (34) dhe Polonisë (36). Nga ekipet kundërshtare të Shqipërisë në Euro 2012 (grupi D); Franca ka ngjitur 3 vende, tani e 18-ta (867 pikë), duke qenë edhe e para në grupin tonë. Bjellorusia është rritur me 2 vende, tani e 38-ta (660 pikë). Bosnjë-Hercegovina është ngjitur 7 vende, e 44-ta (582 pikë). Rumania humbi 4 vende (56/531 pikë). Luksemburgu zbriti 1 vend: i 134-ti më 180 pikë. Në renditjen botërore, kryeson Spanja me 1887 pikë, e ndjekur nga Holanda (1723 pikë) dhe Gjermania (1485 pikë). Në “Top-10” janë edhe Brazili, Argjentina, Anglia, Uruguai, Portugalia, Egjipti dhe Kroacia.
9 NDESHJE NDËRKOMBËTARE
Shorti i hedhur në Varshavë për eliminatoret e grupit D të Kampionatit Europian të vitit 2012 e vendosi Shqipërinë përballë Francës, Rumanisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bjellorusisë dhe Luksemburgut. Gjatë vitit 2010, Shqipëria zhvilloi nëntë ndeshje ndërkombëtare, katër zyrtare dhe pesë miqësore. Bilanci në total: 5 fitore, 3 barazime, 1 humbje. (Sa për kuriozitet në vitin 2009, në 9 ndeshje arritëm këtë bilanc: 4 fitore, 1 barazime, 4 humbje). Trajneri Josip Kuzhe ishte i mbarë për Shqipëirinë, duke humbur vetëm një takim atë kundër Bjellorusisë në Minsk (2-0), por jo me kroatin në bankinë – për shkak të goditjes së tij me hemorragji cerebrale – por me ndihmësin e tij, boshnjakun Xhemal Mustedanagiç, ky i fundit e drejtoi Shqipërinë dhe në barazimin 1-1 kundër Bosnjës në Tiranë. Të gjitha fitoret e Shqipërisë kanë të njëjtin rezultat: 1-0, si kundër Irlandë e Veriut, Andorrës, Malit të Zi, Uzbekistanin (të gjitha këto në ndeshjet miqësore) si dhe ndaj Luksemburgut në kualifikueset e Kampionatit Europian 2012. Barazimet e mëdha (në ndeshjet zyrtare) janë ato kundër Rumanisë (1-1) në Pietra Neamc dhe Bosnjës (1-1) në Tiranë, që në letër kanë qenë dukshme favorite ndaj skuadrës sonë. Barazimi tjetër është ai në miqësoren kundër Maqedonisë (0-0) në ndeshjen e parë historike ndërkombëtare të zhvilluar në Korçë. Ndeshja e parë për vitin 2011 është ajo kundër Sllovenisë, më 9 shkurt.
NGA U-21 TE U-17
SHQIPËERIA U-21 humbi 3-2 më Azerbajxhanin në Baku për ndeshjen e fundit (e vetmja zyrtare për këtë vit) për eliminatoret e Kampionatit Europian 2011, por me azerët e drejtuar nga gjermani Bernhard Lipert që kryesuan deri në 3-0. Për Shpresën e drejtuar nga Artan Bushati kjo ishte humbja e gjashtë në tetë takime në këtë fushatë. Në ndeshjet miqësore të zhvilluar gjatë këtij viti, Shpresat barazuan 2-2 me Poloninë në Fier (25 maj 2010), fituan 2-1 me Luksemburgun (4 shtator 2010) dhe barazuan 0-0 me Maqedoninë (12 tetor 2010). Bilanci i këtij viti: 4 ndeshje, 1 fitore, 2 barazime, 1 humbje.
SHQIPËRIA U-19 e drejtuar nga Ramadan Shehu, e cila mori pjesë në takimet eliminatore të Kampionatit Europian për 19-vjeçarët, të zhvilluar nga data 6 deri me 13 tetor në Belgjikë, në tri ndeshje mori vetëm një barazim atë më Qipron (0-0). Në dy të tjerat: humbi 6-0 me Anglinë dhe 2-0 me Belgjikën, vendit organizator i kualifikueseve. Kualifikueset e Kampionatit të 11-të Europian (2011/2012) për moshën U-19 i rezervuan Shqipërisë në grupin 12, Austrinë (vend organizator), Danimarkën dhe Maltën. Takimet do të zhvillohen nga data 5 deri 10 tetor 2011.
SHQIPËRIA U-17 e drejtuar nga Ardian Mema mori pjesë në eliminatoret e Kampionatit Europian të kësaj moshe, ndeshje që u zhvilluan në Maltë. Përfaqësuesja jonë pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para 2-0 me Norvegjinë dhe po me këtë rezultat me Irlandën e Veriut, barazoi 1-1 me Maltën vendase, duke kapur vendin e tretë në grup. Golin e vetëm të Shqipërisë e shënoi Arben Muskaj shënoi në minutën e 3-të. Kualifikueset e Kampionatit të 11-të Europian (2011/2012) për moshën U-17 i rezervuan Shqipërisë në grupin 12, Gjermaninë, por dhe Sllovakinë dhe Estoninë, në rolin e vendit pritës. Takimet do të zhvillohen nga data 13 deri 18 tetor 2011.
REKORDI I SALIHIT
Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi (aktualisht luan te Rapidi i Vjenës) është dhe golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në vitin në ndeshjet e vitit 2010: katër gola të tij, duke filluar me Malin e Zi, Andorrën, Uzbeksitanin dhe Luksemburgun. Golat e tjerë me fanellën kuqezezë mbajnë firmat Ervin Skelës (kundër Irlandës së Veriut), Gjergji Muzakës (kundër Rumanisë) dhe Klodian Duros (kundër Bosnjës). Hamdi Salihi është dhe legjionari që ka shënuar më shumë këtë pjesë të parë sezoni: 10 gola. Pas tij vijnë Migen Memelli (9 gola) me Al-Faisalin në Arabinë Saudite, Edmond Kapllani (5 gola) me Padebornin në Bundesligën 2, Erjon Bogdani (4 gola) me Çezenën në Serinë A, Elvin Beqiri (4) me Khazar Lankarnin në Azerbajxhan, etj..
PARAQITJA NË EUROPË
Nga 10 ndeshje që zhvilluan në total katër skuadrat shqiptare, që morrën pjesë në Ligën e Kampioneve (Dinamo) dhe në Ligën e Europës (Besa, Tirana dhe Laçi) bilanci është ky: 2 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje. Vetëm Tirana arriti të kalojë një tur, pikërisht ndaj hungarezëve të ZTE-së.
LIGA E KAMPIONEVE
Edhe pse fitoi 1-0 kundër Sherifit (gol i Emiljano Vilës në në në minutën e 19-të), Dinamo i dha fund parakohe ëndrrës për të kaluar një tur në Ligën e Kampioneve, për shkak se kishte humbur ndeshjen e parë në Moldavi me rezultatin 3-1 (për Dinamon shënoi argjentinasi Lukas Malarkane). Për Dinamon, humbja e Sherifin ishte e 10-ta në 14 ndeshje, ku ka arritur vetëm 2 fitore (1 në transfertë) dhe 2 barazime. Dinamo e kaluar për herë të fundit një tur në Ligën e Kampioneve në sezonin 2002-2003. Dinamo e drejtuar atëherë nga Faruk Sejdini fitoi në transfertë 2-3 me FK Kaunas në Lituani (17 korrik 2002: golat Ahmataj 55’, Pisha 56’, Qorri 76’ )dhe barazoi 0-0 në Tiranë (24.07.2002). Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondby e Danimarkës (dy humbje 0-1, 0-4).
LIGA E EUROPËS
TIRANA u kualifikua në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, pasi fitoi 1-0 në kohën shtesë me Zalaegerszegi TE, falë një goli të realizuar nga Erando Karabeci në minutën e 107-të, pasi më parë në të 90’+3, Sebino Plaku kishte humbur një penallti. Takimi i parë në “Qemal Stafa” kishte përfunduar në barazim pa gola. Kjo është hera e tetë për 24-herë kampionët e Shqipërisë që kalojnë një tur, kur për herë të parë e kanë realizuar në vitin 1987, kur eliminuan në turin e parë të Kupës së Kupave, Dinamon e Bukureshtit (2-1, 1-0), përpara se të eliminoheshin nga suedezët e Malmoes(0-0, 0-3).
Në turin e dytë eliminator, Tirana e mbylli me nder fushatën kualifikuese në Ligën e Europës, duke barazuar 1-1 në “Qemal Stafa” me holandezët e Utrehtit, edhe pse u eliminua në turin e dytë eliminator pas rezultatit të përgjithshëm 1-5, pasi takimin e parë në Holandë e kishte humbur 4-0. Volsvinkel shënoi për Utrehtin në minutën e 3-të, ndërsa Lilaj barazoi për bardheblutë në minutën e 11-të.
BESA - Skuadra kavajase pësoi një humbje të thellë 6-1 me Olimpiakosin e Pireut në Athinë, edhe pse pjesën e parë e mbylli pa gola. Takimi ishte i vlefshëm për ndeshjen e kthimit të turit të dytë eliminator të Ligës së Europës. Golin e vetëm për verdhezinjtë shqiptarë e shënoi maqedonasi Dimitrija Lazarevski (1-1, 48’). Kavajasit e Shpëtim Duros kishin humbur ndeshjen e parë në “Qemal Stafa” me rezultatin 5-0 (11-1 në total të dyja ndeshjet).
LAÇI pësoi një humbje qesharake 7-1 nga Dnepri ne Mogilev të Bjellorusisë në ndeshjen e kthimit të turit të parë eliminator të Ligës së Europës, duke e mbyllur me turp aventurën e tij të parë në një kompeticion evropian, edhe pse në ndeshjen e parë në “Niko Dovana” të Durrësit barazoi 1-1. Qëndresa e kurbinasve rezistoi vetëm 10 minuta, kur Bychenok çeli goleadën bjelloruse. Yurchenko realizoi një tripletë (17, p , 56' , 81'), ndërsa Zenkovich (42’) dhe Chernykh (87’) kompletuan dështimin e Laçit. Valdon Nimani (61’) shënoi golin e flamurit për laçjanët, ashtu siç kishte bërë në Durrës, Bledar Marashi. Kapiteni i Laçit, Julian Brahja, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, rrjedhimisht i kuq, në minutën e 72-të, kur rezultati ishte 5-1.
THES ME GOLA
Nëse vitin e kaluar, Flamurtari vendosi një “rekord për Guinnes” për skuadrat shqiptare që kanë marrë pjesë në kompeticionet europiane, duke humbur 8-1 ndeshjen e kthimit me formacionin skocez Madhëruell, edhe pse djemtë e Eqerem Memushit kishin fituar 1-0 takimin e parë të turit të dytë eliminator të Ligës së Europës. Rezultatin tjetër më të keq e kishte pasur Besa, që ishte mundur nga ana e saj me Hibernians 7-1 (1972), po në Skoci. Rezultatin e humbjes 7-1 e përsëriti këtij Laçi. Gjithsej në 10 ndeshje skuadrat shqiptare pësuan 27 gola: 11 Besa (në dy ndeshje), 8 Laçi (në dy ndeshje), 5 Tirana (në katër ndeshje) dhe 3 Dinamo (në dy ndeshje). Vëtëm 7 gola shënuan skuadrat tona: 2 Tirana, 2 Dinamo, 2 Laçi dhe 1 Besa.
NDESHJET GJATË VITIT 2010
KOMBËTARJA A
Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0 (M)
Mali i Zi-Shqipëri 0-1 (M)
Shqipëri-Andorrë 1-0 (M)
Shqipëri-Uzbekistan 1-0 (M)
Rumani-Shqipëri 1-1 (Z)
Shqipëri-Luksemburg 1-0 (Z)
Shqipëri-Bosnjë 1-1 (Z)
Bjellorusi-Shqipëri 2-0 (Z)
Shqipëri-Maqedoni 0-0 (M)
BILANCI: 9 ndeshje; 5 fitore, 3 barazime, 1 humbje
KOMBËTARJA U-21
Azerbajxhan-Shqipëri 3-2 (Z)
Shqipëri-Polonia 2-2 (M)
Shqipëri-Luksemburg 2-1 (M)
Shqipëri-Maqedoni 0-0 (M)
Bilanci: 4 ndeshje; 1 fitore, 1 barazim, 6 humbje
KOMBËTARJA U-19
Kualifikueset Euro 2011
Shqipëri-Angli 0-6 (Z)
Belgjikë-Shqipëri 2-0 (Z)
Shqipëri-Qipro 0-0 (Z)
Bilanci: 3 ndeshje; 0 fitore, 1 barazim, 2 humbje
KOMBËTARJA U-19
Kualifikueset Euro 2011
Norvegji-Shqipëri 2-0 (Z)
Norvegji-Irlanda e Veriut 2-0 (Z)
Maltë-Shqipëri 1-1 (Z)
Bilanci: 3 ndeshje; 0 fitore, 1 barazim, 2 humbje
KOMPETICONET EUROPIANE
LIGA E KAMPIONEVE
Turi i dytë eliminator
Sherif Tiraspol (Moldavi)-Dinamo 3-1
Dinamo- Sherif Tiraspol 1-0
Sherif Tiraspol u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 3-2
LIGA E EUROPËS
TURI I PARË ELIMINATOR
Tirana-ZTE (Hungari) 0-0
ZTE-Tirana 0-1
Tirana u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 0-1
Laçi-Dnjepër Mogilev (Bjellorusi) 1-1
Dnjepër Mogilev-Laçi 7-1
Dnjepër u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 8-2
TURI I DYTË ELIMINATOR
Besa-Olimpiakos (Greqi) 0-5
Olimpiakos-Besa 6-1
Olimpiakos u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 11-1
Utreht (Holandë)-Tirana 4-0
Tirana-Utreht 1-1
Utrehti u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 5-1
Faqe 15
Nga kampionia Dinamo te Besa e Kupës
Kavajasit fituan edhe Superkupën. Renova fitoi Kupën e Pavarësisë
KAMPIONE DINAMO
Dinamo u rikthye në mënyrë madhështore në panteonin e kampionëve të mëdhenj. Kësaj radhe për herë të 18-të. Tirana është ajo që mban rekordin shqiptar përsa u përket titujve. Me 24 të tillë. I paarritshëm nga askush. Partizani renditet i treti me 15, por skuadra e kuqe aktualisht luan një kategori më poshtë, në të Parën, por dhe atje nuk po një sezon të mirë. Dinamo e fitoi praktikisht titullin qysh me përfundimin e fazës së dytë, duke i lejuar vetes edhe disa gabime: në fazën e tretë, 8 humbje në 11 ndeshje, por që nuk ia vunë kurrë në rrezik titullin kampion. Në ndeshjen e fundit të edicionit të kaluar, Dinamo fitoi 4-2 me Besën në “Qemal Stafa”, me kavajasit që e mbyllën sezonin si nënkampionë.
BESA FITON KUPËN
Kavajasit e fituan për herë të dytë Kupën e Shqipërisë, duke fituar në finale 2-1 ndaj Vllaznisë, në një ndeshje ku fituesi u përcaktua pas 120 minutave lojë. Besa u bë fituesja e edicionit të 58-të të Kupës së Shqipërisë, teksa më parë e kishte fituar atë në vitin 2008 (atëherë në finale me Teutën). Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi kapitenit Shehi trofeun e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në vend, njëherësh edhe i dytinë historinë 86-vjeçare të klubit kavajas, që siguruan edhe një vend në vend në Ligën e Europës në sezonin e ardhshëm.
BESA FITON SUPERKUPËN
Besa, fituese e Kupës për sezonin 2009-2010 u përball në finalen e Superkupës me Dinamon, fituese e kampionatit, por për këtë sezon. për vitin e kaluar. Besa e drejtuar nga Shpëtim Duro fitoi 3-1 me Dinamon e drejtuar nga argjentinasi Luis Manuel Blanko, e që e mbylli takimin me dhjetë lojtarë (Peqini doli me karton të kuq). Elis Bakaj shënoi i pari për Dinamon, por Besa e përmbysi rezultatin: Poçi (me penallti), Dhembi dhe Shtini ishin autorët e tripletës kavajase. Kavajasit e fituan për herë të parë këtë trofe. Kjo ishte finalja e 17-të historike të Superkupës, teksa bardheblutë janë dhe skuadra me më shumë trofe të fituar, 8 të tilla, por dhe finalistja e parë e humbur, kur në vitin 1989 humbi me Dinamon (2-0). Fituesit e Superkupës: Tirana (8), Vllaznia (2), Flamurtari (2), Dinamo (2), Partizani (1), Elbasani (1) dhe Besa (1).
KUPA “PAVARËSIA”
Skuadra shqiptare nga Maqedonia, Renova, u bë fituesja e edicionit të dytë të Kupës “Pavarësia”, të zhvilluar më 28 nëntor, në ditën përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kombit shqiptar. Në këtë turne morën pjesë katër skuadra, Besa, fituesja e Kupës së Shqipëriësë; Liria e Prizrenit, fitueja e Kupës së Kosovës, Renova nga Maqedonia dhe Otrant nga Mali i Zi.
LAÇI NË HISTORI
Laçi, surpriza e madhe e sezonit të kaluar, kompletoi ëndrrën duke fituar për herë të parë në historinë e klubit kurbinas një biletë në Ligën e Europës, e duke qenë kështu skuadra e 13-të shqiptare që debuton në Europë. Një sezon i madh i ndërtuar nga treshja: presidenti Pashk Laskaj, trajneri Stavri Nica dhe goleadori Arlind Nora.
“KËPUCA E ART˔
Daniel Xhafaj fitoi “Këpucën e artë” të sezonit 2009-2010. Sulmuesi i Besës realizoi 18 gola në Kampionatin e 71-të Kombëtar, duke lënë pas serbin Mlladen Bërkiç (Apolonia, 15 gola), Elis Bakajn (Dinamo, 15 gola), Migen Memellin (Flamurtari, 15 gola) dhe Arlind Nora (Laçi, 14 gola). Sulmuesi i Bylisit, Romeo Hamzaj, fitoi “Këpucën e artë” të Kategorisë së Parë, duke shënuar 27 gola, 5 më shumë se Dorian Bubeqi i Lushnjës.
VALSI I BANKINAVE
Gjatë sezonit 2009-2010 në bankinat e 12 skuadrave të Superligës u ulën 22 trajnerë, ku rekordin e mbajti Tirana, me pesë lëvizje në stafetën 26 javëve të zhvilluara: Lonçareviç-Tafaj-Dede-Muka-Starova. Shkumbini, Skenderbeu dhe Vllaznia u drejtuan nga 3 trajnerë. Apolonia, Flamurtari, Gramozi dhe Teuta nga 2. Gjatë pjesës së parë të sezonit aktual 2010-2011 pesë skuadra kanë ndryshuar trajnerët: Besa dhe Shkumbini kanë pasur në drejtim nga tre trajnerë, Vllaznia, Bylisi dhe Tirana nga dy trajnerë.
KAMPIONËT E VEGJËL
KATEGORIA E PARË Bylis (kampion i Kategorisë së Parë) dhe Elbasani (vendi i dytë) u ngjitën direkt në Kategorinë Superiore. Kamza dhe Lushnja nuk arritën të përballonin dy skuadrat e Kategorisë Superiore, respektivisht Skënderbeun dhe Kastriotin në luftën për një vend në elitën e futbollit shqiptar.
KATEGORIA E DYTË - Vlora u shpall kampione e Kategorisë së Dytë pasi fitoi nga seria e penalltive (6-5) me Mamurrasin. Koha e rregullt dhe shtesat përfunduan 2-2. Mamurrasi dhe Vlora, respektivisht kryesueset e Grupit të Veriut dhe Jugut, u ngjitën në Kategorinë e Parë për sezonin 2010-2011. Në Kategorinë e Parë u ngjitën edhe Tomori i Beratit dhe Tërbuni i Pukës, që fituan respektivisht në play-out me Memaliajn dhe Skraparin.
Verdiktet e sezonit 2009-2010
KATEGORIA SUPERIORE
Kampione
Dinamo
Kupa e Shqipërisë
Besa
Superkupa
Besa
U ngjitën në Superligë
Bylis
Elbasani
Ranë nga Superliga
Apolonia
Gramozi
KAMPIONËT E SHQIPËRISË
Kategoria Superiore
Dinamo
Kategoria e Parë
Bylis
Kategoria e Dytë
Vlora
24 Dhjetor 2010