E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënimet ndaj inspektorëve antiduhan, Policia e Bashkisë Fier i merr ne mbrojtje

Gazeta Shqip

Nëndrejtoresha Kalemi pohon se i ka kërkuar edhe prefekturës të ndërmjetësojë me Policinë e Shtetit për ndihmë

Policia e Bashkisë Fier ka marrë në mbrojtje inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik, të cilët po verifikojnë në terren për zbatimin e ligjit antiduhan. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të të dy institucioneve. Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë Fier, që në kontaktin e parë që Inspektorët e DRSHPF-së, kanë pasur me institucionin e qeverisjes vendore, u është ofruar ndihma në raste nevoje. Por, burimet e bashkisë kanë shtuar se, për shkak të organikës mjaft të vogël të Policisë Bashkiake, që përbëhet nga vetëm 15 efektivë, nuk është e mundur që të vihen në dispozicion gjatë gjithë orarit. Kjo, sipas burimeve të sipërcituara, do të shkaktonte mangësi në ushtrimin e detyrës së Policisë Bashkiake, aty ku ka më shumë nevojë komuniteti prej rreth 100 mijë banorësh që jetojnë në qytetin e Fierit. Ndërkaq, sipas zyrtarëve të Bashkisë Fier, inspektorëve të DRSHPF-së u është premtuar ndihmë në rast nevoje. Ky fakt është bërë i ditur dje edhe nga burime zyrtare të DRSHPF-së, të cilat sqaruan se gjatë ditës së sotme do të ketë një bashkëpunim të tillë me Policinë Bashkiake. Më tej, burimet e bashkisë kanë shtuar se në raste të ngjashme, prefektura ka koordinuar grupe pune të ngjashme.

Ndërkaq, sipas nëndrejtoreshës së DRSHPF-së, Shpëtime Kalemi, ajo i ka kërkuar që javën e kaluar Prefekturës dhe gjithë bashkive e komunave në rang qarku dhe Drejtorisë së Tatimeve, që ti mbështesin me anë të policive të njësive vendore, punonjësve të Policisë së Shtetit dhe inspektorëve tatimorë. Por, burime nga Prefektura e Fierit pohuan dje për gazetën Shqip se kjo kërkesë e DRSHPF-së nuk ka mbërritur në institucionin që përfaqëson ekzekutivin në qark dhe për këtë arsye nuk është njoftuar Policia e Shtetit. Burime nga kjo e fundit pohuan se nuk kanë marrë asnjë kërkesë për ndihmë apo denoncim nga inspektorët e DRSHPF-së. Dy ditë më parë, nëndrejtoresha e DRSHPF-së, Shpëtime Kalemi, doli në një konferencë për shtyp, ku denoncoi dhunën verbale me të cilën po përballeshin inspektorët e Task-Forcës, të ngritur për vënien në zbatim të ligjit antiduhan. Sipas saj, por edhe sipas inspektorëve, ata ishin dhunuar psikologjikisht dhe ishin ofenduar nga pronarët e disa lokaleve, që ishin gjobitur për moszbatimin e ligjit antiduhan. Madje një prej tyre pohoi për gazetën se në një lokal, pronari kishte mbyllur derën, duke i mbajtur brenda dhe në debat e sipër kishte deklaruar se do të ndikonte në pushimin e tyre nga puna. Në konferencën për shtyp Kalemi pohoi se në këtë aksion nuk kishte pasur mbështetje të policisë. E.Hoxhaj

Kërcënimet ndaj inspektorëve antiduhan, Policia e Bashkisë Fier i merr ne mbrojtje burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›