E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi me telefon, blindohet vila e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit

SHKRUAN: Habjon Hasani 20-08-2011 11:30

Tri javë më parë, në telefonin e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, ka mbërritur një telefonatë kërcënuese nga një numër i huaj. Policia e Shtetit merr masa për mbrojtjen e tij, duke dërguar Forcat Speciale në Gjirin e Lalzit. Prokuroria: Ka hetime konfidenciale, për të cilat nuk mund të themi asgjë

Vila e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit i përngjan një fortese të blinduar, këto ditë të nxehta gushti. Një furgon i mbushur me forcat speciale të RENEA-s është stacionuar në ambientet e jashtme të saj, ku kreu i LSI-së dhe familja e tij kalojnë pushimet e verës, ndërsa makina të tjera të rënda ndodhen atypari. Arsyeja e këtyre masave të pazakonta sigurie? Burime të rezervuara nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria flasin për një kërcënim që i ka mbërritur tri javë më parë ish/zv.kryeministrit Ilir Meta. Kërcënimi është realizuar përmes një telefonate nga një numër i huaj, e fill pas saj Meta ka denoncuar në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ngjarja është klasifikuar si tepër sekret, ndërsa Policia e Shtetit është vënë në lëvizje si për mbrojtjen e familjes Meta, ashtu edhe për zbulimin e autorëve. Ndërsa është konfirmuar fakti se Meta dhe familja e tij janë nën mbrojtje të përforcuar nga struktura të rendit, mbeten ende shumë pikëpyetje në lidhje me motivin e kërcënimit të kreut të LSI-së. Zyrtarë të Policisë së Shtetit, të kontaktuar nga MAPO kanë refuzuar të japin detaje mbi hetimin e konsideruar konfidencial, por zbulohet se telefonuesi anonim ka kërcënuar kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për sigurinë e jetës së tij dhe të familjes. Mbas këtij episodi, ende të pazbardhur, është marrë vendimi për të shtuar masat e sigurisë për Metën e kjo detyrë u është caktuar forcave elitë në vend, atyre të RENEA-s. Ndërkaq, institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, duke dashur të ruajë konfidencialitetin e këtij hetimi delikat, nuk preferoi të komentonte, por as të përgënjeshtronte kërcënimin e mbërritur në adresë të kryetarit të LSI-së. I pyetur për arsyet e kanosjes së Metës, një zyrtar i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme tha se “Ka hetime konfidenciale, për të cilat nuk mund të themi asgjë”. Edhe LSI ka preferuar të mos japë asnjë koment për mediat mbi kërcënimin e Ilir Metës, megjithë transmetimin e lajmit nga disa stacione televizive, disa herë gjatë ditës së djeshme. Ndonëse është mundur të konfirmohet deri më tani një telefonatë kërcënuese me numër të huaj ndaj Ilir Metës, burimet nuk përjashtojnë mundësinë e disa mesazheve telefonike të së njëjtës natyrë, që e bëjnë denoncimin e Metës edhe më alarmant për strukturat që kanë për detyrë të mbrojnë atë. Gjatë këtyre tri javëve të fundit, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qëndruar shumicën e kohës në vilën e Gjirit të Lalzit, së bashku me familjen e tij. Burime pranë tij pohojnë se lëvizjet kanë qenë të kufizuara, edhe për shkak të mungesës së aktiviteteve në pikun e sezonit veror.

Familja Meta: Nuk ekziston asnjë kërcënim

Burime pranë familjes së kreut të LSI-së hedhin poshtë lajmin, duke pohuar se jeta e tyre rrjedh si normalisht. Masat e sigurisë? Për shkak të funksioneve të Metës

Nuk ka asnjë kërcënim. Jeta e familjes Meta vazhdon normalisht. Reagimi ka ardhur në orët e vona të mbrëmjes nga burime pranë familjes së kryetarit të LSI-së, të cilët hodhën poshtë ekzistencën e një kërcënimi në adresë të Ilir Metës. Burimet e mësipërme pohuan për MAPO-n se Ilir Meta ndodhet si zakonisht me bashkëshorten dhe fëmijët e tij në vilën e tyre në Gjirin e Lalzit, ku qëndrojnë prej kohësh tashmë gjatë pushimeve verore. Sa i përket masave të shtuara të sigurisë, ose më saktë një furgoni të Forcave Speciale që ndodhet në ambientet e jashtme të vilës së tij, i filmuar dje nga kamerat e Vizion Plus, burimet pranë familjes Meta thanë: Këto janë masa të zakonshme sigurie, të cilat i ofrohen ish/zv.kryeministrit, për shkak të funksioneve që ka pasur dhe ka. Si pjesë të normalitetit në familjen Meta burimet komentojnë faktin se fëmijët e tij ndodhen me prindërit, gjatë gjithë kohës në vilë. Gjatë ditës së djeshme MAPO ka tentuar të kontaktojë me familjen Meta, por edhe me zyrtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët kanë preferuar të mos komentojnë lajmet e transmetuara dje nga mediat për kërcënimin me telefon të kreut të LSI-së. Aktualisht kreu i LSI-së është në pritje të shtatorit për angazhimet e tij politike, por edhe për procesin gjyqësor në Gjykatën e Lartë, i nisur pas transmetimit të përgjimit të realizuar nga Dritan Prifti. Ky proces ka filluar prej pak javësh, ndërsa vetë Meta hoqi dorë nga kërkesa e avokatëve të tij për ta mbyllur gjyqin për paligjshmëri, duke kërkuar zbardhjen e plotë të akuzave të ngritura nga Dritan Prifti, e të materializuara nga video-përgjimi i realizuar prej tij.

Dalja e fundit publike e Metës, 3 javë më parë

Dalja e fundit publike e kreut të LSI-së, Ilir Meta, ka qenë thuajse 3 javë më parë, kur ai komentoi edhe kërkesën e Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese. Më 30 korrik Meta foli para Komitetit Drejtues Kombëtar, duke dalë kundër idesë së hedhur nga PS për ndryshimet në Kushtetutë. “Është pozitiv fakti që pranohet sot edhe nga autorët e këtyre ndryshimeve të natës së errët të 21 prillit të tre viteve më parë, që ishin të nxituara, ishin të gabuara”, - tha Meta në fjalën e tij, duke komentuar kështu pendesën e Ramës për ndryshimin e Kushtetës. Por ai shtoi se Kushtetuta nuk mund të ndryshohet, sa herë ndryshon pozicioni politik i një personi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›