E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi për prishjen e grevës, Bulqiza dhe miniera rrethohen nga policia

Minatorët e përfaqësuar nga Sindikata dhe forcat e policisë, negociata në mesnatë. Më herët, familjarët u përplasën me përmbaruesit, të cilët tentuan t’i nxirrnin forcërisht në mesditë minatorët

BULQIZE Mbrëmjen e djeshme 12 fugona policie të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit kanë rrethuar qytetin e Bulqizës dhe kanë mbajtur në mbikëqyrje zonën, ndërsa është menduar se mund të organizohet një ndërhyrje për nxjerrjen e minatorëve. Në ditën e 26-të të grevës së urisë minatorët dhe familjarët e grevistëve janë përplasur fizikisht në hyrje të galerisë kryesore. Kjo ishte paralajmëruar që dje, kur u tha se kërkohej zbatimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, vendim ky që kërkonte largimin me dhunë të minatorëve nga greva e urisë.

Ndalimi

Dita nisi e qetë dhe u mendua se do të kishte një zgjidhje, pasi në orët e paradites “dikush” dha lajmin se pronarja e ACR-së kishte nisur udhëtimin nga Tirana drejt qytetit të Bulqizës, madje herë pas here jepeshin “informacione” për vendndodhjen e saj. Rreth orës 15.00 minatorët dhe familjarët që bëjnë roje te hyrja e pusit numër një, janë befasuar kur aty është shfaqur një furgon policie dhe disa civilë. Sapo ata kanë zbritur janë shprehur se qëllimi i kësaj “vizite” të beftë kishte të bënte me zbatimin e vendimit të gjykatës që ishte marrë dy ditë më parë. Minatorët dhe familjarët e grevistëve janë bërë kordon dhe nuk e kanë lejuar policinë dhe përmbaruesit të hyjnë në galeri. Pas rezistencës së tyre përmbaruesit janë mjaftuar me mbajtjen e një proces-verbali dhe janë larguar, ndërkaq minatorët kanë shtuar masat e sigurisë, duke rritur numrin e minatorëve që bëjnë roje pranë hyrjes së galerisë kryesore.

Vendimi

Komisioni i grevës dhe konfederata sindikaliste u mblodhën dje paradite në një takim për të vendosur mbi fatin e mëtejshëm të lëvizjes sindikaliste. Mbledhja ka vendosur që greva të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave nga kompania ACR si dhe largimin e administratorit të Bulqizës, Medat Zogu, për të cilin ACR nuk bie dakord me minatorët. Ndërkaq kreu i konfederatës, Kol Nikollaj, deklaroi se do të përkrahin minatorët e grevës së urisë duke vazhduar protestat në të gjitha format. Minatorët nuk kanë bllokuar dje aksin nacional Tiranë-Peshkopi, pasi kanë pritur që në Bulqizë të mbërrinte pronarja e kompanisë ACR. Minatorët shprehen të gatshëm të zhvillojnë takim me këtë të fundit, por pa praninë e administratorit të kësaj kompanie. “Nëse policia do tentojë të futet brenda me forcë, ne do hapim tubacionin e ujit e do të përmbytemi brenda me gjithë minierën e Bulqizës. Jemi të vendosur të mos heqim dorë nga greva derisa firma ACR të plotësojë kërkesat tona.”- u betuan sërish dje minatorët dhe sindikalistët e Bulqizës. Kol Nikollaj denoncoi presionin e ushtruar mbi minatorët nga përfaqësuesit e ACR-së. Administratori i ACR, Giga Bedineishvili, deklaroi edhe dje se kompania është gati të plotësojë kërkesat e minatorëve dhe akuzoi Kol Nikollajn se po pengon marrëveshjen.

Në një mesazh dërguar minatorëve administratori shkruan: “Të nderuar minatorë, ACR është gati të plotësojë kërkesat tuaja. Gati të rifillojmë punën e të kthejmë normalitetin në minierë. Kol Nikollaj e grupi i tij po na pengon që të arrijmë këtë”. Ky mesazh është konsideruar provokativ dhe i padenjë. Mësohet se policia lokale po heton në gjendje të lirë 30 minatorë që kanë qenë pjesëmarrës në bllokimin e rrugës nacionale.

PAJTIM HASA

Kalaja: Ndalni sa më shpejt grevën e urisë

Sipas kreut të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, greva e tyre nuk është përkrahur nga minatorët e tjerë

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura u bën thirrje minatorëve të ndërpresin grevën e urisë sa më parë dhe të ulen në bisedime me përfaqësues të kompanisë për realizimin e kërkesave të tyre. Gëzim Kalaja u shpreh se i mbështet kërkesat e minatorëve, por se ata duhet t'i japin fund grevës së urisë.

"Marrim përsipër të gjitha përgjegjësitë, të gjitha kërkesat e drejta, të arsyeshme që mund të realizohen për t'u ulur në tryezën e bisedimeve, për të nënshkruar marrëveshjen dhe për rifillimin e punës. Nuk ka rëndësi se kush do të firmosë, por e rëndësishme është që të bëhet nga përfaqësia e minatorëve dhe ata të marrin çfarë ata kanë kërkuar dhe të çojnë bukën e gojës në familjet e tyre", tha Kalaja, duke e konsideruar këtë grevë pa kuptim, për interesat meskine të drejtuesve të grevës.

Zgjatja kaq shumë në kohë e protestës, prej rreth dy muaj, sipas Kalasë, është në dëm të minatorëve dhe të minierës. Kalaja ka theksuar se minatorët po përdoren nga drejtues të grevës dhe se ata nuk mbështeten nga punëtorët e minierave të tjera në vend. Minatorët kanë deklaruar se nuk do ta ndërpresin deri ne realizimin e kërkesave që kanë parashtruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›