Kërcënimi verior

Krijimi i një situate të qetë në Veri të Kosovës do të varet jo vetëm thjesht nga zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, por edhe nga zbatimi i garancive, të cilat Qeveria e Serbisë ua ka ofruar serbëve të Veriut lidhur me këtë marrëveshje, thonë politikanët serbë atje.
Njëri nga liderët e serbëve që është edhe deputet në Kuvendin e Serbisë, Marko Jaksic, ka thënë se serbët janë tërhequr nga protesta që e kishte bllokuar vendkalimin kufitar në Jarinjë, po ata gjithashtu kanë theksuar se zhbllokimi i këtij vendkalimi kufitar është i përkohshëm.
“Serbët e Veriut të Kosovës kanë marrë garanci të shkruara nga Qeveria e Serbisë, e cila gjithashtu ka premtuar se këto garanci do t’i zbatojë përmes Kuvendit të Serbisë dhe ato kanë të bëjnë me atë që serbët në Veri të Kosovës nuk do të paguajnë doganën dhe se do të munden lirisht që t’i përdorin tabelat e regjistrimit, lejet e qarkullimit në trafik dhe kartat e identitetit të Republikës së Serbisë. Kjo është diçka që e obligon Qeverinë serbe në Beograd se obligimet që ka barrë, duhet t’i përmbushë”, ka thënë Jaksic.
Sipas tij, Qeveria serbe u ka thënë serbëve të Veriut të Kosovës se për garancitë që ua jep atyre janë pajtuar edhe ndërmjetësuesit evropianë, por edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Por, Jaksic thekson se çështja e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit do të varet edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë.
Milan Ivanovic nga Këshilli Kombëtar Serb thotë se serbët e Veriut tashmë janë deklaruar kundër zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe se zhbllokimi i vendkalimit kufitar në Jarinjë është hap i përkohshëm i serbëve të Veriut për t’i dhënë shans Qeverisë së Serbisë t’i zbatojë garancitë që ua ka dhënë atyre.
“Ne kemi vendosur ta ndërpresim përkohësisht protestën, duke u hapur rrugë garancive të Qeverisë së Republikës së Serbisë se nuk do të ketë transformim të vendkalimeve administrative në vendkalime kufitare, gjegjësisht se nuk do të ketë pagesë të doganës apo pagesa tjera”, shprehet Ivanovic.
Në anën tjetër, Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit parasheh praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë dhe ata të Serbisë, por edhe të EULEX-it.
Serbët e Veriut në vazhdimësi patën kundërshtuar praninë e zyrtarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare, gjë që pati shërbyer si shkas i protestave dhe bllokimeve të rrugëve që çojnë drejt këtyre vendkalimeve.
Jaksic thotë se të rëndësishme janë garancitë e Qeverisë së Serbisë dhe jo fakti se kush do të jetë i pranishëm në vendkalimet kufitare.
“Në një mënyrë është pak e rëndësishme nëse do të jenë aty edhe përfaqësuesit e policisë dhe doganave të Kosovës. Fundja, serbët janë duke e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nëse ky vendim thotë se vendosja e këtyre kufijve nuk është në përputhje me Kushtetutën serbe, atëherë doganierët dhe policët e Prishtinës në një mënyrë duhet të largohen nga aty”, thekson Jaksic.
Ndërkaq, Ivanovic ka paralajmëruar se në qoftë se garancitë e Qeverisë së Serbisë nuk realizohen, atëherë protestat e serbëve të Veriut do të rifillojnë.
“Ne mund t’i rinisim protestat dhe do t’i rinisim nëse thyhet premtimi që na është dhënë dhe nëse aty tentohet të zbatohet dogana klasike. Në qoftë se ato vendkalime nuk do të jenë në përputhje me Rezolutën 12 44 dhe nuk do të jenë neutrale ndaj statusit, ne mund t’i rifillojmë protestat, por edhe mund t’i radikalizojmë ato”, potencon Ivanovic.
Ndryshe, pas vendimit të të ashtuquajturit Kuvend i katër komunave të veriut, serbët e veriut të Kosovës ditën e premte janë tërhequr nga protesta në Jarinjë, ku për 3 ditë e kishin bllokuar vendkalimin kufitar.