“Më shumë kompetenca minibashkive, shërbim më eficent ndaj qytetarëve”
Flet kryetari i njësisë bashkiake nr. 8 në kryeqytet, Arben Tafaj
Banorët e kryeqytetit shumë shpejt do të shmangin ecejaket sa në një zyrë në një tjetër për të gjetur zgjidhjen e problemeve në zonën ku banojnë. Drafti që është gati për të marrë miratimin e anëtarëve të Këshillit Bashkiak do ti japë 11 zyrave të minibashkive në Tiranë më shumë kompetenca që nga investimet e deri tek zgjidhja e konflikteve për pronën private.
Kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 8, njëkohësisht dhe anëtar i grupit të punës Arben Tafaj shpjegon atë çfarë do të ndryshojë zbatimi i projektit që sipas Tafajt është hartuar për të qenë më afër shqetësimeve të qytetarëve.
Projekti pritet të prezantohet javën e ardhshëm nga kryebashkiaku i Tiranes Lulzim Basha i cili është dhe kryetari i grupit të punës, gjë që sipas kryetarit të minibashkisë nr. 8 Arben Tafaji tregon vullnet për të ndryshuar realisht situatën kaotike që ka mbizotëruar në kryeqytet vitet e fundit dhe jo për të hartuar një projekt që nuk u zbatua asnjëherë sic ndodhi në vitin 2004 kur një nismë të tille e mori kryeministri i atëhershëm dhe jo kryetari i bashkisë.
Drafti për decentralizimin e kompetencave të vendorëve në Tiranë, pritet që të diskutohet në këshillin bashkiak.
Nëse nuk do të ketë ndryshime në ligjin organik të Bashkisë, ky draft miratohet nga ky Këshilli i Bashkisë, në rast se ligji do të preket, ai duhet të kalojë për votim të cilësuar në parlament.