E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënohet gjyqtari i Dritan Dajtit, Zbulohet letra: Kujdes se çfarë bën

TIRANE- Një vit pas atentatit mafioz ndaj gjykatësit  Skerdilajd  Konomi, një tjetër gjyqtar  është kërcënuar me jetë.  Kërcënimi në fjalë ka vënë  në alarm strukturat shtetërore  dhe Forcat e Sigurisë,  të cilat kanë miratuar  në mënyrë urgjente,  nëpërmjet komisionit të  posaçëm për mbrojtjen e  gjyqtarëve, mbrojtje të  veçantë me forcat e njësisë  "Brisku" për gjyqtarin  Ardit Mustafaj. 

Burime të  sigurta nga ky komision,  i cili përbëhet nga përfaqësues  të KLD-së, Ministrisë  së Drejtësisë, përfaqësues  të Policisë së Shtetit dhe  drejtues të gjykatës në të  cilën ushtron detyrën zoti  Mustafaj, deklaruan për  "Top Channel", se gjyqtari  i Krimeve të Rënda është  kërcënuar, nëpërmjet një  letre, në datën 9 shtator.   Sipas "TCH", në këtë  letër, gjyqtari paralajmërohet  të ketë kujdes  dhe të mos bëhet palë me
atë çfarë kanë bërë të  tjerët dhe të japë dorëheqjen  nga gjykimi.

DOSJET E GJYQTARIT
Për shkak të sekretit hetimor, por edhe ndjeshmërisë  së kësaj çështjeje,  burimet nuk konfirmuan  se për cilin gjyq bëhet  fjalë. Por, referuar kalendarit  të çështjeve ku gjyqtari  Mustafaj është relator  apo merr pjesë, ai rezulton  si gjyqtari që ka  dhënë disa vendime mbi  çështje trafiqesh ndërkombëtare,  ndërsa ka ende  nën proces dosje të  trafikut të drogës dhe  armëve. I vetmi i ndjekur  me interes nga mediat dhe  ku gjyqtari Mustafaj është  pjesë e trupës gjyqësore,  por jo kryesues i saj, është  çështja "Dajti". Në këtë  gjyq ka tre të pandehur,  mes tyre edhe Dritan Dajti, nën akuzë për vrasjen  e katër efektivëve të policisë.  Në këtë proces ka pasur shpesh akuza në sallën e gjyqit dhe relatorja e mëparshme e çështjes, Nertina Kosova, me kërkesë të Prokurorisë dha dorëheqjen. Ndërsa gjyqtari Gurali Brahimllari e kallëzoi Dajtin në prokurori për fyerje ndaj trupit gjykues, çështje e cila ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës, ku Dajti është i pandehur.
HETIMET
Ndërkaq, menjëherë pas marrjes së kërcënimit, Policia e Shtetit ka marrë në mbrojtje gjyqtarin Mustafaj dhe familjen e tij, si dhe ka nisur punën për identifikimin e kërcënuesve. Për shkak të rëndësisë së çështjes, burimet nga Policia e Shtetit shprehen tejet të rezervuara
për të dhënë detaje nga ecuria e hetimit, duke u shprehur se "hetimet janë duke vijuar dhe nuk mund të jepen të dhëna, të cilat mund të dëmtojnë hetimin".
(e.m/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›