E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatmira Hajdari: Biseda me Azemin kur me tha se do divorcohej nga mua

Foshnja, shkelmonte në barkun e nënës... Po ndjente dhimbjen pa ardhur akoma në jetë. Sapo i kishin vrarë të atin, që s’do ta njihte kurrë. Nga shtëpia e tij, Azem Hajdari kishte ikur herët, mëngjesin e 12 shtatorit të ‘98-ës. Rikthehej pranë familjes pas 24 orëve, në arkivol. Për bashkëshorten shtatzënë, ky moment ishte më i vështiri në gjithë jetën e saj. Ndaj pas 14 vitesh, Fatmira, sot gjyqtare, rikujton sërish atë natë të errët që i mori njeriun më të dashur, ndërsa ngushëllimin e gjeti tek Azemi i vogël.

Emrin ia vunë miqtë dhe dashamirësit e Azemit të madh, atë ditë që e vranë. Bashkëshortja, Fatmira Hajdari tregon jetën pranë njeriut që bëri historinë e demokracisë shqiptare, si i shprehu dashurinë në moshë fare të re, braktisjen e shkollës së mesme për t’u martuar, jetën në qytetin verior të Bajram Currit dhe ardhjen në Tiranë, pasi Azemi ishte kthyer në mit për shqiptarët. Znj.Hajdari zbardh kërcënimet e herëpashershme që i bëheshin Azemit dhe këmbëngulja e saj që ai të ikte nga Shqipëria. Ajo rrëfen natën e fundit me Azemin, pak para vrasjes, dhe si erdhi në jetë Azemi i vogël, për të cilin, Fatmira thotë se emrin, pa lindur akoma, foshnjës ia vunë, natën e 12 shtatorit, miqtë e Azemit. Fatmira Hajdari, për shkak të pozicionit që mban si gjyqtare, shprehet se e ka të pamundur që të kërkojë rihapjen e gjyqit të Azemit dhe këtë ia lë në dorë politikës, sepse e tillë ishte vrasja e bashkëshortit të saj. Por Fatmira Hajdari është mosbesuese, se e vërteta e vrasjes së Azemit do të zbardhet ndonjë ditë...
Znj.Hajdari, fotoja në mur ju tregon shumë të rinj, ty dhe Azemin. Kaq të rinj jeni njohur?
Azemin e kam njohur në shkollën e mesme. Unë isha në vitin e parë, ndërsa ai në vitin e tretë të shkollës profesionale në Tiranë. Unë vija nga Librazhdi, ndërsa ai nga Tropoja. Që në momentin e parë më bëri përshtypja bukuria dhe shkathtësia e tij, që dallonte nga nxënësit e tjerë.
Si jua shprehu Azemi dashurinë?
Mbaj mend që më ka thënë: “Ti do të bëhesh nusja ime...” dhe brenda pak ditësh unë nuk kam arritur të lajmëroj as familjen time, dhe jemi nisur për Bajram Curr.
Si ju priti familja e Azemit, ishin në dijeni që ju do të ishit nusja e tij e ardhshme?
Kur shkuam në shtëpi, gjeta një mjedis shumë të ngrohtë. Më kujtohet që i ati i Azemit, më mori veçmas dhe më pyeti: “Moj bijë, të ka rrëmbyer im bir apo ke ardhur me dëshirë?”. I thashë: “E dua djalin tënd dhe kam ardhur të bëhem nusja e kësaj shtëpie”. Njerëzit e Azemit ishin shumë të dashur, dhe aty kuptova mjedisin ku ishte rritur Azemi.
Megjithatë, ju ishit një çift që arsimimin e kishte lënë përgjysmë...
Bashkë me Azemin filluam jetën tonë në qytetin e Bajram Currit. Nisëm gjimnazin në qytet dhe ndërkohë që unë u futa shitëse në Mapo, Azemi bëri edhe një vit kurs në Kavajë për galanteri dhe më vonë u punësua. Por dëshira e tij ishte shkolla e lartë, ndaj pas disa vitesh ai mundi të fillonte studimet e larta për Filozofi. Kjo kohë përkon edhe me fillimin e Lëvizjes së Dhjetorit.
Si e pritët përfshirjen e Azemit në krye të Lëvizjes antikomuniste?
Unë jetoja akoma në Bajram Curr dhe mbaj mend se disa ditë përpara, Azemi erdhi në shtëpi. Sapo u fut, rrëmbeu foton e Enver Hoxhës nga muri dhe e shkelmoi. I ati i tha: “Me çfarë guximi i vë shqelmin...?”. Por Azemi iu kthye babait të vet, duke i thënë: “Ky njeri na ka mashtruar gjithë shqiptarëve. Koha e tij ka mbaruar njëherë e përgjithmonë”.
Po me ty, cila ishte biseda që bëri, kërkoi mbështetjen tënde?
Më kujtohet shumë mirë kur Azemi më tha: “Me ty do të bëj një bisedë të rëndësishme”, dhe më mori veçmas. Më tha se duhej të divorcohesha. Mbeta e shtangur. I kërkova arsyen dhe ai m’u përgjigj: “Unë kam nisur një rrugë të vështirë, nga e cila nuk dihet nëse do të dal gjallë apo jo, kështu që ti, më mirë ndahu nga unë dhe shiko jetën tënde e të fëmijëve, pasi prej meje mund të jesh e rrezikuar”. Në çast i thashë Azemit se “kjo s’ka për të ndodhur kurrë, sepse unë do të të mbështes deri në vdekje”. Të nesërmen Azemi u rikthye në Tiranë. Tashmë komunizmi ishte rrëzuar. Ne më pas u shpërngulëm nga qyteti i Bajram Currit për të jetuar në Tiranë. Familja jonë u bashkua.
...Por që, Azemi u nda nga familja më 12 shtator të ‘98-ës. Çfarë kujtoni nga çastet e fundit me bashkëshortin tuaj?
Atë ditë Azemi është ngritur më herët se ditët e tjera. Kërkoi që t’i bëja gati rrobat dhe më vuri në dijeni se kishte një miting në Fier. Kur iku e ktheu kokën pas. Ishte lyer shtëpia dhe oborri. U kthye, i pa. U duk sikur i pëlqeu. Unë atë ditë kam qenë gjithë kohën shtrirë, isha shtatzënë, por edhe kisha një ankth shpirtëror. Sërish folëm në telefon kur po kthehej nga Fieri. Dukej se ishte i gëzuar, sepse i kishte shkuar shumë mirë mitingu në Fier. Edhe unë, ngaqë e pashë të lumturuar, u gëzova dhe i kërkova që të pinim një kafe, kur të vinte në Tiranë. Më tha se do të më dërgonte makinën dhe më porositi që të merrja dy fëmijët me vete. U gëzova që ma plotësoi dëshirën. Atë natë nuk e harroj kurrë. E kam marrë në telefon, sa erdha para PD-së.
Si u shfaq Azemi kur erdhi tek ju, dukej i shqetësuar?
Jo, përkundrazi. Azemi erdhi i qeshur, ashtu me kostumin gri, me nxitim, dhe më puthte mua, puthte dy fëmijët. Pimë kafe. Sikur të ishte kafja e fundit dhe limonada e fundit për fëmijët. Azemi ishte i lumtur ngaqë mitingu i kishte shkuar shumë mirë. Para meje nuk shfaqi shqetësim. Më bëri përshtypje, se atë natë ishte shumë errësirë para selisë së PD-së. Kisha një si parandjenjë atë natë, madje i vura fëmijët në makinë pas, vetë qëndrova përpara.
Pse kishit frikë?
E kam thënë dhe më parë, Azemi ka pasur ankth tre muajt e fundit. Kishte shumë kërcënime. Por mua nuk më thoshte, se isha shtatzënë. Unë ndërkohë kisha marrë edhe një telefonatë nga ministri i Rendit, Perikli Teta, që më kërkoi që unë t’i thosha Azemit që për çdo lëvizje ta merrte atë në telefon. Ia thashë këtë Azemit me shqetësim, por ai qeshi. “Nuk e di nëse do më ruajnë apo do më vrasin vetë këta”, më tha. Azemit i kishin bërë katër atentate me armë brenda atij viti.
Sa kohë qëndruat bashkë?
Ndoshta diku rreth gjysmë ore. Më tha që të nisesha me fëmijët, pasi do të takonte doktorin dhe do t’i jepte kasetën Pjetër Arbnorit, që të shfaqej në Shkodër...
A e dinte Azemi se nga kush kërcënohej?
Nuk e dinte nga mund t’i vinte. Sepse s’mund të them, nga njerëz të veçantë. Thjesht nga lëvizjet e tij politike. Nuk ka folur për persona të veçantë.
Bënte kujdes para jush, duke pasur parasysh që ishit dhe shtatzënë?
Sigurisht, madje shpesh nuk më linte të kapja telefonin, që të mos bëhesha merak. Kohët e fundit nuk shkonim në punë të dy bashkë në një makinë. Më dërgonte një makinë të dytë. Zyrat i kishim pranë, ballë për ballë. Muajin e fundit nuk udhëtoi më me mua.
Atëherë, pse nuk ruhej Azemi?
E kam thënë dhe më parë dhe do ta them herë pas here, se Azemi nuk i frikësohej askujt. Ai s’kishte frikë nga kërcënimet. Atë, jo vetëm që e kishin qëlluar disa herë, por edhe e kishin kërcënuar shpesh. E kisha dëgjuar edhe unë.
Dhe cili ka qenë reagimi juaj kur atë e kërcënonin?
I kam kërkuar që të largohej nga Shqipëria. I kam thënë: “Ik, largohu, bëj një shkollë, merr një master”, i lutesha. Por ai nuk ikte, sepse në atë kohë kishte nisur Lufta e Kosovës. Nuk mundte të shmangej nga përgjegjësia e tij për Luftën e Kosovës.
Cila ishte biseda juaj e fundit me Azemin, natën e 12 shtatorit, para se të iknit në shtëpi?
Atë natë më premtoi se do të kthehej shpejt, ndjehej dhe i lodhur. Ishte i gëzuar nga mitingu i Fierit, por dhe i lodhur. U nisa për në shtëpi, ndihesha më mirë. Ngaqë ishte shumë errësirë para PD-së pata një ankth, dhe vendosa t’i kaloja fëmijët në sedijen e pasme të makinës. Te Rruga e Elbasanit gjithçka ishte më e qetë.
Ndërkohë në shtëpi po prisnit Azemin, por, si e morët lajmin e vrasjes së tij?
Isha duke pritur me ankth, ndërkohë që fëmijët po luanin. Po shihja televizor. Ndërkohë më vjen një telefonatë. Ishte një zë burri. Një zë i vrarë, i shqetësuar: “Hape televizorin, kanë gjuajtur Azemin”. Ishte e treta herë brenda vitit që e qëllonin. I thërras djalit: “Kiri, kanë qëlluar sërish babin, çoje te TV Shijaku”. Nuk mund t’i heq nga memoria ato çaste. Reiz Çiço jep lajmin. Kam bërtitur shumë. Ka bërtitur edhe Kiri. Ka thyer xhamat. Komshinjtë kapën Kirin. Ishim të vetëm në shtëpi. Nuk e besoja se Azemi nuk jetonte më. Mendoja se mund të kishte shpëtuar edhe këtë radhë. Por kur erdhën njerëzit, e kuptova se kishte mbaruar.
Dhe cili ishte pengu juaj?
Mua s’më lanë të shkoja në spital. Më ka mbetur peng. E pashë Azemin pas 24 orëve... Atë natë nuk e kanë nxjerrë nga morgu. Gjendja ishte e acaruar. Kishim ankth. Atë natë filloi edhe një shi i madh. Në orën 09:00, të nesërmen në darkë, hyri Azemi në shtëpi me arkivol. Kur ma sollën ka qenë e vështirë. Pas 24 orësh më erdhi me arkivol. Nuk më lejuan ta shoh. Fëmija më gjuante në bark.
Azemi, e dinte që fëmija që do të lindte ishte djalë?
Jo. Azemi nuk e dinte se ishte djalë. Më kishte thënë se nuk do e shohësh në është djalë apo vajzë.
Kush ia vuri emrin?
Pa lindur akoma, djalit ia vunë emrin njerëzit. Dashamirësit e Azemit, ata ia vunë emrin. Për mua ishte e vështirë t’i thërrisja fëmijës tim Azem.
Do të kërkoni rihapjen e gjyqit të Azemit?
Vrasja e Azemit është tërësisht politike dhe i mbetet politikës për ta zgjidhur këtë çështje. Unë jam gjyqtare dhe nuk ma lejon Kodi i Procedurës Penale që të kërkoj rihapjen e gjyqit, por ajo që mund të them është se vrasja e tij nuk është zbardhur dhe kam frikë se e vërteta s’ka për t’u zbardhur asnjëherë. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›