E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD emëron 6 gjyqtarë në detyra të reja

 

TIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë emëroi dje gjashtë gjyqtarë në detyra të reja brenda sistemit të drejtësisë. Në mbledhjen e djeshme, ku ishte pjesëmarrës edhe Presidenti i Republikës, njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u miratuan lëvizjet dhe emërimet e reja të gjyqtarëve. Gjatë takimit të djeshëm u emërua drejtoresha e re e Shkollës së Magjistraturës, një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, dy gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe dy të tjerë në Gjykatën e Faktit. Pas diskutimeve mes anëtarëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur në postin e drejtoreshës së Shkollës së Magjistraturës, Marjana Semimin. Semimi është aktualisht pedagoge në shkollën e Magjistraturës. Burime pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë bënë të ditur se anëtari i KLD-së, Hysni Demiraj, u emërua dje gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në të njëjtin pozicion është emëruar edhe gjyqtari Gjin Gjoni. Ndërsa deri dje gjyqtari Gjoni ishte në Gjykatën e Faktit të Tiranës, vendimi i djeshëm i KLD-së e ka emëruar atë në Gjykatën e Apelit Tiranë. Sipas burimeve, gjyqtari i Tiranës, Fehmi Petku, u emërua dje në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Deri dje gjyqtari Petku ushtronte profesionin e tij në Gjykatën e Faktit të kryeqytetit. Ndërsa ish-kryetari i Gjykatës së Tiranës, Albert Meçe, do të kthehet sërish në gjykatën që dikur drejtonte. Duke iu referuar burimeve, KLD-ja vendosi dje emërimin e tij në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Gjithashtu edhe gjyqtari Artan Zeneli u emërua në Gjykatën e Tiranës. Sipas burimeve, emërimet e reja u bënë pothuajse në unanimitet të plotë nga anëtarët e këshillit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›